Turizmi, ky motor gjigand i pandezur

Turizmi, ky motor gjigand i pandezur

Written by Sazan Guri on Friday, 06 April 2012. Posted in Fokus

Sepse Shqiperia vlen...

Turizmi, ky motor gjigand i pandezur

Shqipëria, vend në kërthizën e Mesdheut nuk ka se si të mos kthejë vlerat e saj monumentale, kulturore, natyrore në një industri të vërtetë turizmi, madje të paparë e të pamatë. Monumentet shqiptare për njëmijë e një arsye, pothuase janë të panjohura, ndoshta edhe nga mbulimi agresiv i shtypit vendas e sidomos të huaj. Por në Shqipëri ndodhen jo pak, por rreth 2000 monumente kulturore, ku një vizitor ka çfarë merr, më shumë se aq monumente gjeonatyrorë, ku një çekiç gjeologu ka se çfarë rreh dhe pothuajse po aq munumente gjeografike, ku një natyralist ka se çfarë prek. 

Madje edhe mund të pohosh, nëse do të shohësh historinë e gjeologjisë, shko në Shqipëri, ku gjithë cikli triasik gjeologjik, apo 350 milion vjet dokumentim formacionesh shkëmborë zbythen në sipërfaqe. Nëse do të ngacmosh historinë e njerëzimit, shko prapë në Shqipëri, ku 2700 vjet qëndresë dhe jetë civile të vazhdueshme shfaqet në qytete si Berati, Durrësi, Shkodra etj. Nëse do të studiosh historinë e agrokulturës, përsëri shko në Shqipëri, ku rrepe, lisa, ullinj 500-600 vjeçarë, ende bashkërrojnë me rrëfimet e qëmoçme. Nëse do të cekësh historinë e monumenteve natyrorë, prapë shko në Shqipëri, ku kanione, shpella, burime karstike, të ofrojnë peisazhe të paimagjinueshëm për nga vlerat. Përpos tyre, dielli si ylber dritash, që lind në malet e gërxhet lindorë, rrit shkëlqimin e tij derisa perëndon, si në rallë vende të botës, në detin e purpurt blu, atje ku bashkohet lezeti, energjia dhe entuziazmi njerëzor.

Por Shqipëria sot përbën rast disi të veçantë për zhvillim dhe kthim në industri turizmi të vlerave të panumërta, që ende nuk i ka kthyer në të paçmuara. Sepse, ajo ofron turizëm të qëndrueshëm nga pikëpamja gjeo-natyrore, mbasi nuk karakterizohet si zonë, ku të pllakosin lëvizje të fuqishme të tokës, si tërmete, vullkane, subsidenca deri në rrëshqitje të pa parishikueshme ose t`i kanosen rreziqe nga deti, si cuname, uragane, furtuna, etj. Sepse ajo ofron turizëm të qëndrueshëm nga pikëpamja sociale, mbasi nuk tipizohet për terrorizëm, as si dukuri as edhe si rast sporadik, përkundrazi shfaq mbivlerësim në mikpritjen e vet. Sepse ajo ofron turizëm të qëndrueshëm nga pikëpamja politike, pavarësisht situatave të kohëve të fundit jo fort të qëndrueshme, pasi ritmi i saj drejt sistemit demokratik është në rritje, drejt një faze të maturuar dhe cikli të pakthyeshëm. Sepse ajo ofron me të metat e përkohshme, turizmin më të pastër ujor, ku ndotja natyrore e elementëve radioaktivë, ndryshe nga dete të tjerë është e pa përfillshme, ajo hidrokarbure, ndryshe nga ujrat e tjerë mungon, ku ende ruhet si në një virgjëri natyrale zinxhiri ushqimor i jetës, brenda kthjellësisë së blusë ujore.

Por Shqipëria përbën rast edhe më të veçantë, sepse ajo ofron ende ushqim organik, ku mijëra hektarë tokë rrisin bimë jo konvencionale ose pa OMGJ, apo përgatisin produkte të freskëta natyrale e me ajër mali, deri në atë, që ofon një kulturë të pazakontë mikpritje të farkëtuar dhe me ato pagane, që çdokush do ia kish zili ta shijonte. Atëherë, a ka mundësi të mos ndalesh, të përplasesh, të  ndërmarrësh nisma, të luftosh dhe të fitosh mbi konceptin se këtu nuk bëhet gjë.

Ja përse turizmi ndërkombëtar duhet të kthejë vëmendjen nga Shqipëria! Sepse aty ka qytete që prezantohen si amfiteatër, model për nga pikëpamja arkitekturore. Sepse aty ka lagje si në Berat, Gjirokastër, Krujë, që prezantohen deri në 15 rreshta, si pallate në pampor, apo si grataciela shumëkatëshe, ku piktorë, arkitektë, artistë, mund të ngrenë e mbajnë shkolla të caktuara. Sepse aty ka kështjella, kala ose fortesa sa vetë jeta e popullit shqiptar, më të mëdhatë, më të banueshmet, më të vjetrat. Sepse aty konsiderohen kishat dhe xhamitë si potenciale të shenjtë shpirtërorë në kuptimin e bashkëjetesës eukumenike dhe në kuptimin arkitektonik. Sepse aty konsiderohen malet (Tomori, Korabi), si potenciale të shenjtë natyrorë, në kuptimin gjeologjik, në kuptimin turistik dhe në atë fetar dhe sepse aty prehet si e pabëzajtur skena e parë e teatrove në Ballkan e në Europë, si ajo  në Bylis.

Ja përse turizmi shqiptar është një motor gjigant, modern, por që kërkon njerëz të kualifikuar për ta ndezur.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

6118

About the Author

Sazan Guri

 

Prof. asc Sazan Guri, eshte nje nga personat me aktive te medias dhe shoqerise civile, e gjithashtu nje nga dashamiret me te flakte te natyres ne Shqiperi

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.