Pogradeci, ‘’perla’’ e liqenit në juglindje të Shqipërisë

Pogradeci, ‘’perla’’ e liqenit në juglindje të Shqipërisë

Written by Ilirjan Gjika on Saturday, 08 November 2014. Posted in City Guide

Mjelma, koram dhe lule shumëngjyrëshe, ky është Pogradeci, qyteti i magjishëm i gjithë stinëve

Pogradeci, ‘’perla’’ e liqenit në juglindje të Shqipërisë

 

Sa herë kujton Pogradecin gjithkujt i vjen ndërmend qyteti i bukur buzë liqenit, ku natyra ka krijuar një nga “perlat” e saj. Ky është vendi ku bluja e përhershme e pasqyrës së ujit, e kuqja e ndezur e lindjes së diellit, gjelbërimi gjithëvjetor dhe njerëzit e dashur e punëtorë, të presin buzagaz për të kaluar disa ditë pushimi.
Jo më kot, këtij vendi të magjishëm i kanë shkruar dikur Lasgushi dhe Kuteli, i kanë dhënë ngjyra dhe penelata Zengo e Taso, e ka fiksuar në celuloid Misto Cici dhe Fezollari, për ta  përjetësuar nga shumë artistë të tjerë, në kujtesën e brezave këtë perlë të Shqipërisë.
Dhe është e çuditshme por mëse e vërtetë se, çdokush që ka qenë njëherë në Pogradec, nuk i shpëton dot ngasjes për tu rikthyer aty. Madje ka nga ata që janë vendosur përgjithmonë këtu, duke blerë shtëpi apo ndërtuar ndonjë vilë pushimi. Kjo është magjia e këtij qyteti me zemër të madhe që i mirëpret në gjirin e tij të gjithë, qofshin shqiptarë apo të huaj.

 

 

Qyteti
Me një sipërfaqe prej 13 km 2 dhe një popullsi prej 40 000 banorësh, Pogradeci është një qytet që mund të vizitohet vetëm duke e shëtitur në këmbë. I vendosur përgjatë kodrave në formën e një teatri, shkallaret e të cilit zbresin drejt liqenit ai dallohet për sipërfaqet e mëdha të gjelbëruara.
Pogradeci ka shëtitore të gjera, në të cilat mund të gjesh akoma xhiron tradicionale të qyteteve shqiptare. Të tilla janë shëtitoret Lasgush Poradeci, Fan Noli dhe  apo sheshi Reshit Çollaku, ku ndodhen institucionet kryesore. Ndërsa shëtitorja ‘’Dhjetë Dëshmorët e Pojskës” dallohet për gjatësinë e saj. Ajo nis që nga qendra e qytetit dhe vijon në lindje drejt Tushemishtit. I gjithë bregu përgjatë përgjatë saj shfrytëzohet për plazh gjatë stinës së verës, shëtitje, vrapime, sport, peshkim, etj. Bregu është ranor me një shtresë të trashë dhe të bardhë rëre. Këtu ndodhen hotelet, apartamentet, shtëpitë e pushimit, rezidencat qeveritare, stacioni meteorologjik, etj.   
Ndër kryetarët e bashkisë që e kanë drejtuar qytetin mund të përmendim Zhani Treskën, Elida Canen dhe Bashkim Myrtezain. Kryetari më jetëgjatë është ai aktual Artan Shkëmbi, i cili është në gjysmën e mandatit të tretë. Nën drejtimin e tij Pogradeci ka pësuar ndryshime të mëdha dhe të thella në të gjitha fushat.
Disa nga personalitetet që kanë dalë nga ky qytet janë shkrimtarët poetë Llazar Gusho e Dhimitër Pojanaku, shkrimtari Dhimitër Pasko, Kryepeshkopi Dhimitër Kokoneshi-Kryetar i KOASH, akademiku Kopi Kyçyku, studjuesi Luan Starova, kineasti Esat Oktrova, përkthyesja Meri Lalaj, aktorja Marjeta Ilo-Ljarja, këngëtarja Ermira Babaliu, fotografi Ardian Fezollari, piktorët Anastas Kostandini, Vangjo Vasili, Skënder Lako dhe Gentian Zeka.
Dikur në fund të viteve ’70 në Pogradec punoi për një periudhë të shkurtër edhe shkrimtari Ruzhdi Pulaha, një nga përfaqësuesit më në zë të dramaturgjisë shqiptare. Këtu ai shkroi disa nga veprat e tij më të mira si “Maro Mokra”, “Zonja nga Qyteti” apo “Shoqja nga Fshati”, të cilat pasi u ekranizuan u futën në fondin e artë të kinemasë shqiptare.  
Institucione të rëndësishme kulturore që ushtrojnë aktivitetin e tyre janë Pallati i Kulturës, Klubi Sportiv, Biblioteka, Muzeu, Galeria e Arteve, etj.  Aktivitete kulturore  të tjera që zhvillohen në Pogradec janë: Hapja  e sezonit turistik, Konkursi vjeshta poetike, Ekspozita e përvitshme e arteve figurative, Netët Poetike të Lazgushit, Festa e Verërave, e cila në prag të festave të mëdha të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, organizohet me ritin e hapjes së buteve.  "Festivali Ndërkombëtar i Teatrit të Kukullave" është një tjetër event i rëndësishëm, piknisje e të cilit u bë tradita e shkëlqyer e këtij teatri në Pogradec.
 Duke qenë një nga qytetet më të bukur të Shqipërisë, Pogradeci ka qenë gjithmonë i pëlqyer nga kineastët. Janë një sërë filmash që tregojnë liqenin, natyrën, njërëzit puntorë dhe bujarë të kësaj treve. Të tillë mund të përmendim filmat ‘’Mëngjese Lufte’’, ‘’Zonja nga Qyteti’’, ‘’Shoqja nga Fshati’’, ‘’Duaje emrin tënd’’, ‘’Rrethimi i vogël’’, etj.
Historia
Pogradeci është banuar në periudhën e neolitit ku në Buqezë,  përgjatë brigjeve të liqenit u ngritën vendbanime palafite. Më vonë gjatë antikitetit kjo trevë banohej nga bashkësitë ilire të Dasaretëve,  që popullonin Mokrën e sotme dhe Enkelejdët që jetonin përgjatë fushës së sotme të Buçimasit (Pogradecit). Qytetet e tyre Pelioni dhe Enkelana u shdërruan në shekujt IV-III pk, në qendra të rëndësishme urbane.
Me krijimin e shtetit ilir pas mesit të shekullin të V pk, pushteti kaloi nga Taulantët tek Enkelejdët. Sipas historisë dimë se mbreti i parë ilir ishte Sirra i Enkelejdëve. Nga martesa e vajzës së tij Euridikës me Amintën e III të Maqedonisë, lindi mbreti i ardhshëm Filipi i II-të, i ati i Aleksandrit të Madh.
Në vitin 167 pk treva e Pogradecit ra nën sundimin romak, ku nga ana administrative do të bëjë pjesë në provincat e Maqedonisë dhe të Epirit të Ri. Më pas do të vijojë pushtimi bizantin, trashëgimni e së cilit është bazilika rrënojë e Linit. Gjatë mesjetës së mesme në shekujt IX-XI, Pogradeci do të kalojë edhe një periudhë të pushtimit bullgar, nga e cila do të trashëgojë një sërë toponimesh sllave, nga ku edhe atë Pogra-Dec që do të thotë qyteti nën kështjellë, pasi edhe sot qyteti ndodhet nën kështjellën antike dhe mesjetare. Më pas Pogradeci do të jetë pjesë e Principatës së Muzakajve, rënia e së cilës i hapi rrugën pushtimit të gjatë turk, i cili vazhdoi deri në vitin 1912.
Shkolla e parë e arsimit shqip u hap në vitin 1887 dhe është shkolla e dytë në Shqipëri pas asaj të Korçës, me mësues Koço Sotirin.
Në fillim të shekullit të XX-të, Pogradeci nis urbanizimin e tij të shpejtë. Do të ishin projektet e një inxhinieri francez, të cilat të zbatuara nga bashkia u ndërtuan rrugët kryesore të qytetit. Projekti u zbatua me rrugën buzë liqenit, e cila nis sot në hyrje të qytetit dhe përfundon në Tushemisht.  Më pas u ndërtua rruga e dytë e quajtur ‘’Rruga e Korçës’’. Ajo niste njëlloj me të parën dhe vijonte drejt lindjes duke u ngjitur në lartësinë e kodrës së qytetit. Midis këtyre dy rrugëve u bënë edhe lidhjet me rrugë të tjera sekondare, të cilat u ndërtuan sipas sistemit kuadratik. Ato krijuan fizionominë e Pogradecit  të ardhshëm, si qytet me planimetri moderne dhe hapësira të gjelbërta. Përgjatë tyre u ngritën shtëpitë dykatëshe dhe vilat e para të pushimit, me të cilat në vitet ‘30 shënohen edhe fillimet e turizmit.
Ndërsa në vitet e Luftës së Dytë Botërore Pogradeci do të kalojë pushtimet ushtarake italiane, greke dhe gjermane.
Pas Luftës, Pogradeci përjetoi Revolucionin Industrial të periudhës së komunizmit. Kështu nisi shfrytëzimi i minierave të qymyrgurit dhe hekur-nikelit, duke i dhënë përparësi industrisë minerare. Për transportin e tyre drejt industrive të përpunimit, qyteti u lidh në vitin 1978 edhe me rrjetin hekurudhor shqiptar. Stacioni i Gurit të Kuq, disa km pranë qytetit është edhe ekstremin i fundit i linjës hekurudhore lindore, Durrës-Pogradec
Popullsia
Pogradecarët janë njerëz të dashur dhe të afrueshëm nga natyra. Thjeshtësia dhe modestia janë të tjera tipare të këtyre njerëzve mikpritës dhe punëtorë. Ata flasin një dialekt të veçantë të Shqipërisë së jugut, të afërt me atë të Korçës, por që tingëllon bukur dhe e bën të afërt dhe miqësor komunikimin. Të mësuar më traditën e vjetër të turizmit, ata presin dhe përcjellin në çdo stinë të vitit me dhjetëra vizitorë dhe turistë. Por të parët që, e provojnë këtë ndjesi janë artistët, të cilët vijnë vazhdimisht këtu për të marrë pjesë në eventet e shumta kulturore-artistike.
 Nga pikpamja etnografike Pogradeci përbëhet nga dy nënzona, Mokra dhe Fusha e Starovës (Pogradecit). Dikur pogradecarët visheshin sipas traditës popullore. Veshjet e burrave përbëheshin nga këmisha e bardhë me mëngë të gjera, xhamadani i leshtë, poture prej leshi mbi të cilat vendosej brezi, ndërsa në kokë mbanin festen e bardhë ose të zezë. Ndërsa gratë vishnin këmishë të gjatë dhe të mbyllur. Sipër saj ato hidhnin një jelek pa mëngë dhe të qëndisur, ndërsa në këmbë mbathnin çorape leshi dhe opinga me xhufkë. Veshja e gruas kompletohej me shaminë e kokës, të zbukuruar me rruaza, temina apo qëndisma.
Turizmi
Pogradeci ndodhet 140 km larg Tiranës, ndërsa distanca nga nga porti i Durrrësit është 172 km. Mga qyteti tjetër port i Vlorës largësia është 212 km, ndërsa distanca nga pika e kalimit kufitar me Greqinë, Kapshtica është 60 km. 
Në Pogradec mund të shkohet me rrugë tokësore nëpërmjet disa arterieve rrugore, siç janë superstradat Tiranë-Pogradec dhe Rrogozhinë-Pogradec. Gjithashtu udhëtimi mund të bëhet edhe me tren. Për të mbërritur këtu kalohet në një nga tunelet hekurudhorë më të mëdhenj për nga gjatësia, siç është ai i Qafë Udhëtimi Thanës, 3015 m i gjatë, i cili del buzë liqenit dhe kalon më pas përgjatë riverës pogradecare të tij.
Turizmi këtu mund të zhvillohet në të katër stinët e vitit, të cilat ofrojnë pejsazhe të ndryshme dhe mundësi të pafundme dhe të larmishme argëtimi. 
Duke nisur që nga turizmi familjar në Tushemisht dhe Lin, përgjatë gjithë bregut ngrihen me dhjetra hotele, motele, resorted he vila pushimi, të cilat ofrojnë ambiente modern dhe këndshme si dhoma me të gjitha komoditetet, bare, piceri, restorante, pista e platforma të ndërtuara mbi ujë, varka për shëtitje, parking, internet, sporte nënujore, guida turistike, etj.
Çdo verë popullsia e qytetit dyfishohet nga pushuesit e shumtë kryesisht nga Tirana, Korça dhe Elbasani. Natyra e bukur, liqeni, klima, ambienti tërheqës njerëzit mikpritës i bëjnë  pushuesit që të vijnë çdo verë këtu. Edhe autoritet vendore japin kontributin e tyre në këtë drejtim. Në vitin 2012 Pogradeci fitoi Çmimin e Turizmit Shqiptar për ofertën turistike më të mirë.
Kuzhina
Prodhimet e tokës dhe të liqenit e bëjnë Pogradecin një vend të spikatur për nga kuzhina tradicionale dhe ajo e kultivuar. Mund të përmendim lakrorin me dy petë të pjekur në saç, qullnikun, byrekët, kuleçët, pastërmanë, tavat e perimeve me oriz, tavat e peshkut apo të mishit të pjekura në furrë, etj. Vetëm korani, peshku i famshëm i liqenit ka dhjetë receta gatimi, të cilat dinë ti gatuajnë vetëm mjeshtrit vendas. Ndërsa nga ëmbëlsirat e traditës më e preferuar mbetet bakllavaja.
Në restorantet dhe hotelet e shumta mund të shijoni kuzhinën e liqenit me gatime të skarës apo në tavë. Një specialitet më vete janë edhe gatimet e shpendëve në saç, apo kuzhina e gjahut, ku nuk mungojnë rosat, shapkat apo lepujt e egër. Edhe kuzhina e huaj është interesante me varietet e saj të shumta. Të gjitha këto prodhime mund të shijohen me raki rrrushi, mani, kumbulle dhe verën e famshme të Pogradecit që ruhet në bute prej druri.
Koran Gut
Është e famshme  përgjigja që roja gjermane e liqenit i jep një grupi guerrilësh shqiptarë në filmin “Mëngjese Lufte”, me temë nga lufta në Pogradec. Kaq i famshëm është Korani “Mbreti” i liqenit saqë na vjen edhe nëpërmjet reminishencave të tilla nga historia. Është gjithashtu shumë e njohur shprehja e mbretëreshës Elisabeta të Anglisë: “Mbretëresha e Anglisë vjen të takojë Mbretëreshën e Liqenit”, shprehje të cilën ajo e tha pasi provoi shijen e peshkut të rrallë në brigjet e Ohrit fqinjë. Së bashku me Belushkën, Ngjalën dhe Klenin ato përbëjnë gatimet më të preferuara të turistëve. Por edhe nga pikpamja shkencore ai përbën një rast unikal të një specie të veçantë dhe endemike që rritet vetëm këtu.
Çfarë mund të vizitoni
Liqeni i Pogradecit
I krijuar rreth 2 milion vjet më parë nga mbushja me ujë e gropës tektonike, Liqeni i Ohrit është i dyti për nga madhësia në Shqipëri pas atij të Shkodrës. I ndodhur në lartësinë 695 m, ai ka një sipërfaqe prej 365 km2 nga të cilat Shqipërisë i përkasin vetëm 111.4 km2 . Gjithashtu ai është edhe liqeni më i thellë në gadishullin e Ballkanit me thellësi 287 m. Baseni i tij dallohet për tejdukshmërinë  e ujërave në të cilën rritet një florë dhe një faunë e pasur. Pastërtia e ujit është një tjetër karakteristikë e liqenit të Ohrit. Kjo vjen se ai furnizohet me ujë nga burimet karstike të Shën Naumit, Drilonit dhe Tushemishtit, si dhe nëpërmjet kanaleve nëntokësore nga liqeni i Prespës së madhe. Por liqeni Ohrit është liqen me derdhje, pasi prej tij, në Strugë buron Drini i Bardhë, 172 km i gjatë, një nga degët e lumit Drin. Përgjatë bregut të tij janë vendosur qyteti i Pogradecit dhe fshatrat e Linit, Hudenishtit, Memëlishtit dhe Tushemishtit, në të cilat është zhvilluar edhe peshkimi i Koranit dhe Belushkës, dy peshqve më të njohur nga 17 llojet që rriten në të. Për vlerat e shumta që bart liqeni i Ohrit është shpallur pasuri e Unesco-s.
Driloni
Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, është një nga mrekullitë që natyra ka krijuar këtu. Ai ndodhet 5 km në lindje të Pogradecit, fare pranë fshatit turistik të Tushemishtit. Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tre vija uji që rrjedhin për tu derdhur disa dhjetra metra më tej, në bregun jug-lindor të liqenit. Njëri prej tyre, ai më kryesori krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur. Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shegjeve lotues apo kallamishtet e bëjnë më të freskët dhe më të pastër ajrin që thith. Ndërsa lokalet, urat e drunjta, mjelmat dhe shpendët e tjerë që gjallojnë, si dhe peshku i freskët dhe vera e kuqe që serviret në lokalet këtu pranë, të bëjnë që të shkrihesh me natyrën.    
Tushemishti
Tushemishti është një tjetër vend  i preferuar nga turistët. Ai përmendet qysh në shekullin e IX kur Shën Naumi, një shenjt lokal, manastiri i të cilit ndodhet disa kilometra aty pranë, vizitoi fshatin dhe bekoi lopët e tij. Ndërkohë që sot Tushemishti nuk është i përmendur vetëm për prodhimet e bulmetit, por edhe për kultivimin e koranit, pemët frutore dhe të turizmit i cili vitet e fundit ka marrë zhvillim të madh.
Ndërsa rrugët, shtëpitë dhe ambientet e tjera të tij janë përjetësuar dikur nga skenat e filmave të njohur shqiptarë ‘’Zonja nga Qyteti’’ dhe ‘’Shoqja nga Fshati’’, të cilët janë xhiruar këtu. Pikërisht për të përjetuar këtë fakt sot ruhet shtëpia e personazhit kryesor të këtyre kryeveprave kinematografike, Ollgës, busti i të cilës është vendosur në sheshin qendror të Tushemishtit, i cili tashmë quhet sheshi “Ollga”.
Lini
Gadishulli i Linit është i pari që të shfaqet me bukuritë e tij sapo nis dhe zbret Qafën e Thanës, e cila ndan fushëgropën e Prrenjasit me fushëgropën e Pogradecit. Nga lart, Lini, duket si një shputë dore që futet në liqen. Arkeologët kanë dokumentuar se ky gadishull shkëmbor është banuar qysh në periudhën e hekurit. Fshati është vendosur në anën perëndimore të tij dhe përbën një simbiozë të çuditshme midis njerëzve dhe natyrës. Brenda gjirit të mbrojtur në anën veriore ankorohen varkat e peshkatarëve, ndërsa në anën lindore të Linit ndodhen ‘’zagragjet’’, kopshtet e banorëve të tij, të cilat nuk janë veçse ngastra të vogla të rrethuara me mure guri, në të cilat kultivohen perimet.  Të quajtura si “dyqanet e familjes”, në to prodhojen sipas stinës domatet, specat, sallata jeshile, lakrat dhe veçanërisht qepët e kuqe të Linit, me të cilat gatuhet tava e famshme e peshkut.  I gjithë fshati përshkohet nga një rrugë gjatësore, përgjatë së cilës në të dyja anët janë vendosur shtëpitë dykatëshe.
Këtu është zhvilluar turizmi familjar ku banesat e fshatit janë përshtatur për shtëpi pushimi. Përveç plazheve, ajrit të pastër dhe të freskët, natyrës së bukur, kuzhinës dhe gatimeve në saç, Lini ofron edhe shëtitje dhe eskursione në natyrë përgjatë monopateve të kodrave. Midis plazheve të shumtë, si më i madhi dhe më i bukuri është ai i Neli Resort. I vendosur në rrëzë të shkëmbit të Barkalicës, ai dallohet për ujin e pastër, qetësinë, varkat dhe trampolinat. Përpara bregut të tij hapet një panoramë mahnitëse ku nëpërmjet pasqyrës së ujit shfaqen qartë Ohri me kështjellën e tij majë kodrës, Shën Naumi dhe mali i Thatë.
Bazilika e Linit është një faltore paleokristiane e ndërtuar diku në shekullin e VI-të. Nga arkitektura ajo është trikonkëshe dhe përbëhet nga naosi, baptisteri, atrium, dhe tre kapela të vogla, të cilat ndodhen në anët veriore, verilindore dhe jugore të naosit. Bazilika ka qenë e pajisur me ikonostas guri dhe dyshemetë e saj janë zbukuruar me mozaikë shumëngjyrësh, ku nuk mungojnë motivet floreale, nga fauna dhe ata gjeometrikë. 
Kalaja e qytetit
Kalaja ndodhet në lindje të qytetit në një kodër që lartësohet 205 m mbi Pogradec. Ajo i ka dhënë edhe emrin qytetit, diku gjatë pushtimit bullgar në shekujt  IX-XI-të. Fjala Pogradec vjen nga sllavishtja, ‘’Nën Kështjellë’’, që ka kuptimin qyteti nën kështjellë. Kalaja ka patur si funksion kryesor kontrollin e gjithë rajonit përreth, duke funksionuar që nga shekulli i V pk deri diku në shekullin e XI-të. Sot prej saj ruhen një pjesë e vogël e mureve rethuese dhe të apasionuarit pas fotografisë artistike mund të bëjnë aty foto të mbrekullueshme të panoramës përreth duke përfshirë qytetin apo liqenin.
Pojska
Gjatë rrugës automobilistike Pogradec- Qafë-Thanë, ndodhet Pojska, vendi historik ku u zhvillua një beteja e 16 korrikut 1943, midis partizanëve shqiptarë të drejtuar nga komandanti Reshit Çollaku dhe forcave italiane të pushtimit. Këtë gjë e pasqyron edhe monumenti përkujtimor kushtuar dhjetë dëshmorëve të Pojskës.
Varret e Selcës së Poshtme
Gërmimet arkeologjike që nisën në vitin 1969nxorën në dritë objektet e para në kodrën e Gradishtës, e cila është banuar pa ndërprerje që nga periudha neolitike e deri në antikitetin e vonë. E ndodhur në lartësinë 1040 m mbi nivelin e detit, mbi fshatin Selcë e Poshtëme, qyteza antike kishte një sipërfaqe prej 6 ha dhe rrethohej me mure kuadratikë. Ajo mund të vizitohet sot për pesë varret monumentale të gdhëndura në shkëmb, të zbuluara nga arkeologët dhe që kanë arkitekturë tërheqëse dhe të veçantë.  
Ura e Golikut
Ura e Golikut është përdorurnga këmbësorët dhe karvanet për të kaluar lumin Shkumbin. Ajo është ndërtuar diku në shekullin e XVIII-të, në vend të urës së mëparshme që ishte rrënuar nga koha. Ura përbëhet nga dy harqe me madhësi të ndryshme midis të cilëve ndodhet edhe një dritare për shkarkimin e ujërave. Objekti është 37 m i gjatë dhe ka një lartësi prej 7.5 m. E ndërtuar me gurë të lidhur me llaç ura është funkionale edhe sot.
Guri i Kamjes
Guri i Kamjes është një monument natyre në krahinën e Mokrës, pranë fshatit Dardhas në lartësinë 1461 m. Nga larg ai duket si një kryqëzor lufte që sapo ka dalë në det. Korazioni siç quhet ndryshe veprimtaria e erës ka krijuar këtu një mbrekulli të natyrës. Masivi shkëmbor është një bllok me përmasa 100 gjatësi, 80 m gjerësi dhe një lartësi prej 70 m.
Manastiri i Shën Marenës
Manastiri  i Llëngës është një monument kulture i ngritur në vitin 1660. Ndërsa kisha e tij që i kushtohet Shën Marenës është rindërtuar në vitin 1754 dhe është dekoruar me afreske dhe ikona nga mjeshtri i shquar Kostandin Shpataraku.
Festa e Shën Marenës kremtohet në 17 korrik të çdo viti, ku me dhjetra besimtarë zhvillojnë pelegrinazh tradicional. Pasi vizitojnë shpellën e Shën Marenës dhe lahen në ujërat e burimit që ndodhet aty pranë kalojnë natën në manastir duke ndjekur ritualin e përvitshëm.     

 

4.5/5 rating (38 votes)

Hits

68006

About the Author

Ilirjan Gjika

Gazetar, historian, studiues. Nje nga bashkepunetoret e pare te Revistes Travel, mjaft aktiv ne shtypin e perditshem dhe botues i disa librave ne fushen e histori-arkeologjise. 

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.