Shqipëria ka dëborë por nuk ka turizëm dimëror

Shqipëria ka dëborë por nuk ka turizëm dimëror

Written by Irhan Jubica on Wednesday, 16 September 2015. Posted in Editorial

turizmi dimëror në Shqipëri do të vazhdojë të mbetet i tillë deri kur shteti dhe biznesi të fillojnë të mendojnë “globalisht”

Shqipëria ka dëborë por nuk ka turizëm dimëror
I dënuar nga politika me fushata zgjedhore çdo dy vjet, turizmi edhe thjesht si term po përdoret gjithnjë e më rrallë në këtë periudhë, pavarësisht se zyrtarisht Shqipëria e ka hapë sezonin. E ndërsa në programet mjerane të kryetarëve të rinj të bashkive, turizmi mbeti në periferi të vëmendjes edhe për shkak të interesit të medias për përfitime maksimale financiare nga dashuria  e saj me politikën, për turizmin shqiptar mbeti me folë media e huaj, falë së cilës numri i vizitorëve ka rritje cilësore më shumë se sasiore. 
Për të mos u dukur nihilist në këtë qasje, mjafton të përmendim shifrat zyrtare të turizmit për tremujorin e parë të këtij viti - kur ende nuk kishin filluar efektet agonike të fushatës në ekonomi - të publikuara nga Banka e Shqipërisë, sipas të cilave, rritja e përgjithshme e numrit të turistëve gjatë kësaj periudhe në krahasim më një vit më parë është vetëm 1%. Nga ana tjetër, i njëjti burim thotë se të ardhurat nga kjo rritje minimale janë 13% më shumë se një vit më parë! Edhe pse Banka përpiqet të shpjegohet me rritjen e netëqëndrimeve dhe shpenzimeve të turistëve të huaj në Shqipëri, paradoksi nuk premton shumë për këtë sezon, që prapë na gjeti pa Ligjin për Turizmin, pavarësisht premtimeve po aq të pakalueshme të qeverisë, sa edhe rrugët e turizmit dimëror. Janë këto rrugë që e bëjnë përshkimin e 75 apo 90 kilometrave për më shumë se 5 orë kur është fjala për t’u nisur nga Shkodra drejt Thethit e Vermoshit, e jo më pak aventurë e kohë edhe Valbonën, pa përmendur infrastrukturën inekzistente drejt lindjes dhe verilindjes së vendit. Edhe pse për nga siguria jemi larg nga viti 1997, nuk është rastësi që asnjë agjenci turistike vendase apo e huaj nuk merr përsipër të dërgojë turistë për të vizituar liqenet legjendare të Lurës, apo traditat thellësisht unike e të paprekura të Hasit e Krumës. Këto zona as që figurojnë në hartat turistike shqiptare, e madje fare pak janë përfshirë në itineraret e aktiviteteve outdoor. Pa folur për shkatërrimet e njeriut apo të natyrës së ndikuar po prej njeriut.
Nga ana tjetër, nuk është rastësi as që shqiptarët zgjedhin Kolashinin e Malit të Zi apo Mavrovën e Maqedonisë e jo Voskopojën, Dardhën, Valbonën, Lurën e Thethin për pushimet e tyre dimërore. Zyrtarisht, 60% e turistëve dimërorë shqiptarë zgjedhin Malin e Zi: vetëm në vitin 2014, numri i shqiptarëve që shkuan për pushime në këtë vend ishte mbi 30 mijë, ose 6.6% ma i lartë se një vit më parë, ndërsa është i pallogaritshëm numri i turistëve nga Shqipëria në Brezovicë, Rugovë apo Junik gjatë dimrit, e po aq i pakonsiderueshëm edhe numri i pushuesve të brendshëm në destinacionet tona, i cili madje as që dihet për shkak të informalitetit.
Mirëpo përveç rrugëve, promovimit tepër të dobët të destinacioneve turistike, ndikim në mosfunksionimin e turizmit dimëror në Shqipëri ka padyshim edhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme jo vetëm për akomodimin, por sidomos për ofrimin e aktiviteteve në natyrë, sepse turizmi dimëror nuk është më ai i gështenjave të pjekura afër oxhakut, e as fiksimi shqiptar që me ikë nga Tirana në Voskopojë veç për raki e mish të pjekur. Në shumë prej këtyre zonave nuk ofrohet shërbim i posaçëm shëndetësor e as mjete të shpëtimit për turistët, sikurse nuk ka pista për ski, shtigje të përcaktuara për ecje malore, alpinizëm, hikking e të tjera sporte, pa kërkuar teleferikë “në hell”.
Është e qartë se pavarësisht përpjekjeve të grupeve të vogla, agjencive apo operatorëve të tjerë outdoor, turizmi dimëror në Shqipëri do të vazhdojë të mbetet i tillë deri kur shteti dhe biznesi të fillojnë të mendojnë “globalisht” për të ndërhyrë me investime të mëdha e të domosdoshme në të njëjtën kohë dhe në të gjitha drejtimet. Pa shkuar më larg, natyra nuk i ka dhënë asgjë më shumë Malit të Zi e Maqedonisë, por edhe Kosovës që me Brezovicën ishte zemra e turizmit dimëror të krejt ish-Jugosllavisë.
Mund të tingëllojë disi e çuditshme përmendja e turizmit dimëror në piskun e vapës, por ndoshta është mirë të merremi me të sa jemi në kohë, për të mos përfunduar si gjinkalla me milingonën në përrallën e Ezopit.
Edhe pse fqinjët tanë nuk shquhen për punëtorë të mëdhenj.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

13199

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.