Gjysma e mrekullueshme e 14 kilometrave drejt Kalasë së Drishtit

Gjysma e mrekullueshme e 14 kilometrave drejt Kalasë së Drishtit

Written by Irhan Jubica on Sunday, 17 September 2017. Posted in Itinerare

Shkodër, vjeshta me biçikletë

Gjysma e mrekullueshme e 14 kilometrave drejt Kalasë së Drishtit
Në fund të nëntorit dielli luan me kodrat duke ua zhvendosur, e herë-herë duke ua zhdukur hijet, ndërsa ajri i paradites mbështjell të fundit fruta të egra: shegët e paturpshme, të zhveshura e të gjakosura nga nata e mbrëmshme. E kotë edhe përpjekja e gjetheve për t’ua mbuluar lakuriqësinë e kuqe; të zverdhura nga lodhja, gjysma e tyre janë shtrirë përdhe me kujtimet e një vere dashurie me lulet.
Është vjeshtë.

Nisja është lënë nga qendra dhe pavarësisht bulevardit të gjerë e të drejtë, pedalimi përmes qytetit nuk është aspak më i lehtë se në rrugën earnuar që të çon drejt Drishtit, në verilindje të Shkodrës: infrastruktura në shërbim të 29% të popullsisë që lëviz me biçikleta është thuajse inekzistente, por organizatorët e kësaj guide me biçikleta, një grup të rinjsh të Shoqatës GO2, thonë se do të duhet kohë e gjatë që qeverisja lokale ta konsiderojë këtë prioritet.

Pasi kalojmë përmes zonës së dikurshme industriale - tullat e objekteve të së cilës tani kanë ardhur më afër rrugës në formën e banesave për njerëz që e braktisën parajsën e tyre të pakuptueshme mes natyrës për një botë që u dukej e kapshme - shenjat e asfaltit zgjaten përmes dy fshatrave që s’paku emrin e kanë “I Ri”: Hot dhe Fshat.

E ndërsa ullinjtë shekullorë të Drishtit janë edhe 6 km larg, kalojmë përpara Monumentit të Lëvizjes së Postribës së 9 Shtatorit 1946, cilësuar si e para lëvizje antikomuniste e Europës Juglindore.

Ndalesa e parë. Biçikletat parkohen njëra mbi tjetrën, e ndërsa secili shkrep selfie mbi Urën e Mesit, më kureshtarët mëtojnë hulumtimin e këtij objekti 246-vjeçar, që mbahet aq mirë në krahasim me urën “e re”. Poshtë, krejt i tejdukshëm, Kiri rrjedh i qetë në shtratin e tij të bardhë, por brenda pak javësh ai do të fryhet si një adoleshent i droguar, duke kërcënuar me përmbytje tokat pjellore të cilave u jep jetë, e madje jo fort kohë më parë, pasi mblodhi një pjesë të mirë të ujit të Alpeve Shqiptare, lumi e rrezikoi krejt Shkodrën. Megjithatë, Kiri ende nuk ka mbajtur mbi shpinë kanoet e aventurierëve që kërkojnë adrenalinë nëpër familjarët e tij Osum, Vjosë e Shkumbin.

Rrugëtimi në vazhdim duket se vërteton konstatimin e drejtuesve të grupit, se Ura e Mesit është kufiri deri ku ka shkuar urbanizimi dhe civilizimi modern: më pas ka vetëm natyrë. Vështirë të gjendet në këtë zonë ndonjë restorant, lokal, hotel, guesthouse apo çfarëdo biznesi tjetër që do t’i shërbente nevojës së turistëve jo të pakët për ta kundruar në qetësi një nga pikat më tërheqëse të Shkodrës ku natyra dhe historia plotësojnë njëra-tjetrën. Ura që mund të ishte një emblemë e vërtetë e prodhimeve dhe e zhvillimit të zonës, në të vërtetë ka krejtësisht të shkatërruar edhe tabelën treguese të vendosur para pak vitesh, por kjo nuk i pengon qindra turistë të huaj që t’ia mësyjnë me biçikleta nga Shkodra apo edhe nga Mali i Zi.

Tani rruga është buzë lumit dhe era që malet fryjnë mbi luginë, nuk i lë vend lodhjes së ngjitjes me biçikletë nëpër të përpjetat e vazhdueshme. Ende të gjelbra, kodrat e njëpasnjëshme janë ideale për florën, që në këtë zonë varion nga myshqet e përulura e deri te ullinjtë e lavdishëm, kurse qepët e traditës mbillen poshtë, në fushat e luginës. Ndërsa i afrohemi gjithnjë e më shumë Drishtit, shtohen edhe tokat e mbjella me rrush “çilek”, që e lëshon aromën edhe përtej gjetheve të mëdha. Edhe pse mund të jenë pasardhësit e vreshtarëve të përmendur nga perandorët e lashtësisë sidomos për verën dhe vajin e ullirit, vendasve iu desh premtimi i kryeministrit të mëparshëm për mbështetje financiare, që t’i ktheheshin mbledhjes së ullinjve rrëzë kodrave plot shega të egra.

Shtëpia e Kasemit është parkingu i biçikletave përpara se të fillojmë ngjitjen shtigjet e kalldrëmta të konin shkëmbor 800 m të lartë, mbi të cilin u ndërtua Kalaja e famshme mesjetare e Drishtit në shekullin XIII, ndërsa zbulimet kanë treguar se qyteti që kishte monedhën dhe statutet e veta, ka ekzistuar që në mijëvjeçarin e parë.

Pas gati dy orësh pedalimi me biçikletë, ngjitja duhej të ishte e vështirë, por pas 5-6 kthesash, ja ku është dera jugperëndimore e kalasë së dikurshme.

Brenda rrënojave të njërit prej mureve gjysëmrrethorë të kalasë, më shumë se 10 familje bëjnë jetë të vështirë. Në të majtë ngrihet një ndërtesë e rikonstruktuar jo shumë e ngjashme për nga stili arkitekturor me shtëpitë e tjera, me qëllim për të shërbyer si muze, por kritika nën zë për punime mbi zonë arkeologjike, ka marrë edhe rruga prej rreth 250 m e shtruar me pllaka guri deri te hyrja e vjetër e kalasë. Shtëpia me çardak, që në fillim të shekullit të kaluar strehoi udhëtaren britanike Edith Durham është thuajse e rrënuar dhe krejt e braktisur, ndërsa nëpër muret e një ndërtimi të vonë, dallohen gurët të gdhendur me simbole që i përkasin historisë mbi njëmijë vjeçare të Drivastum’it. Me dritare të vogla, shtëpitë e gurta duken si shtëpi kukullash, aq sa duket e habitshme sesi banorët e kësaj lagjeje nuk e kanë shfrytëzuar ende potencialin e madh ekonomik që trashëgojnë, thjesht veç prej lindjes aty: me numrin gjithnjë e në rritje të turistëve, ata mund të lironin nga një dhomë ose dy për vizitorët që janë të gatshëm të paguajnë për një natë qëndrimi në atë mjedis magjik ku përzihet lashtësia, tradita dhe natyra. Përveç ambienteve të brendshme tradicionale, guesthouse’t mund të ofronin edhe ushqime të zonës, vlera e të cilave shtohet edhe më për shkak të pastërtisë së origjinës bio dhe kushteve tepër të favorshme natyrore për bujqësinë dhe blegtorinë.
E ndërsa diskutojmë për atë se çfarë mund të bëhet një ditë Lagjia-Kala e Drishtit, koha e drekës iku dhe i vetmi “lokal” që mund të ofronte diçka ishte mbyllur, prandaj na u desh të zbrisnim; morëm biçikletat dhe shtegtuam edhe disa kilometra deri te një lokal në anën tjetër të Kirit, për të provuar gatimet tradicionale të zonës. Edhe në perëndim dielli ka forcë ta ndezë flakë lumin: mishi i dashit, i kecit e gjithçka tjetër, duket sikur u poqën mbi këtë skarë të natyrës.

Pas një kënaqësie të tillë, njeriu nuk e vëren rrezikun që mbart rruga e kthimit nëpër terr, për 14 km të tjera, deri në Shkodër. Në shtëpi.
4.0/5 rating (1 votes)

Hits

12521

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.