Si mund t’i shërbejë 100 vjetori i Pavarsisë turizmit shqiptar

Si mund t’i shërbejë 100 vjetori i Pavarsisë turizmit shqiptar

Written by Irhan Jubica on Tuesday, 27 March 2012. Posted in Editorial

Një mundësi që vjen nje herë në shekull

Si mund t’i shërbejë 100 vjetori i Pavarsisë turizmit shqiptar

 

Shqipërisë i doli huq gjithë kapardisja për dyfishim të numrit të turistëve gjatë sezonit turistik që po harrohet - dashtë zoti - bashkë me kobin që pasoi marketingun më profesional të perëndimit për vendin tonë: renditjen në kryelistat për turizëm anekënd botës, si dhe marrëveshjen për liberalizimin e vizave. Kur në fillim të sezonit, operatorët shprehën shqetësimin për ndikimin negativ që do të kishte mbi turizmin përveç janarit vrasës, edhe atmosfera e nderë e një procesi elektoral, avokatura shtetërore në media u përpoq ta injoronte këtë nuhatje profesionale që vjen kokëfortë prej përvojës. Mirëpo, qysh prej kulmit të sezonit - kur jo vetëm revista Travel, dëshmoi nëpërmjet zërit të operatorëve, se turizmi i këtij viti iku e shkoi - e deri tash nuk ka ende një bilanc të këtij sezoni e aq më pak një kapardisje qeveritare si ajo e tre-katër vjeshtave të fundit.

 

2012 nuk ka me qenë një vit elektoral, për aq kohë sa posti i presidentit të vendit shihet prej politikës si arritje personale që mundesh me e mbërritë brenda një salle me 140 karrige, e jo si përgjegjësi publike që duhet me e marrë shtëpi-më-shtëpi.

Deri këtu ky është një vit i mirë për turizmin.

Por gjëja më e mirë është se 2012 është 100 vjetori i Shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë. Prandaj, si në të gjithë botën, edhe pse gjysma e njerëzve nuk i dashurojnë qeveritë, ata janë megjithatë të prirur t’i besojnë premtimit për një vit të madh festimesh.

E festat nuk bëhen pa mysafirë.

Është e sigurt se Shqipëria nuk do të organizojë 14 Juillet, Fourth of July, e meqë s’është rasti, as Carnaval do Rio. Megjithatë, duke dashur ta shohim këtë vit si një mundësi unike për turizmin, konstatojmë se deri tani nuk është hartuar e as publikuar kurrfarë kalendari festimesh, çka do të thotë se edhe kjo ngjarje është e ekspozuar ndaj spontanitetit.

Turizmi mund të jetë në këtë vit një nga organizatorët e mëdhenj dhe gjithashtu përfituesit e mëdhenj të festimeve. Kuptohet, nëse turizmi do të shihej me prioritetin që meriton. Do të ishte shumë e rendësishme joshja në festimet gjithëvjetore e turistëve të huaj, një pjesë e të cilëve mund të vijnë në Shqipëri me kuriozitetin e të zbuluarit të një vendi që ka ekzistuar si shtet jashtë dijes së tyre, tash 100 vjet. Kjo mbetet ndoshta pjesa më e vështirë e këtij marketingu ndërkombëtar që Shqipëria duhet t’i bëjë vetes në këtë 100-vjetor, sepse shqiptarët e shpërndarë nëpër botë do të mblidhen në këtë çerdhe edhe pa i thirrë kush. Kjo mbetet pjesë e vështirë edhe sepse, në mënyrë paradoksale, në një botë që planifikon gjithçka, Shqipëria ende nuk po e identifikon dhe as po e fton këtë përqindje të vogël të njerëzimit që t’i planifikojë pushimet e ardhshme në Shqipëri. Kjo është një punë që së pari duhet ta kishte nisur shteti nëpërmjet kapilarëve të vet në çdo vend të botës, e sigurisht, i ndjekur nga sektori privat i turizmit, që gjithashtu në mënyrë paradoksale i fton shqiptarët ta kalojnë nëpër botë Ditën e Flamurit!

Do të duhej pra, që nëpërmjet institucioneve të hartoheshin dhe të aplikoheshin strategji të tilla që të përfshinin sektorin privat të turizmit së pari në prezantimin e një oferte speciale për këtë vit festimesh në nivel ndërkombëtar. Gjithashtu, i menjëhershëm duhet vetëdijsimi i turizmit mbi përvojat jo fort ëmbla të viteve të shkuara, si loja me çmimet, me kulturën, cilësinë e sasinë e shërbimit etj.

4.0/5 rating (1 votes)

Hits

17285

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.