Tirana qyteti që jeton

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 27 July 2012. Posted in City Guide

Në qytetin ku argëtimi nuk mbaron asnjëherë

Tirana qyteti që jeton

 

Tirana është qyteti më i madh i Shqipërisë dhe njëkohësisht kryeqyteti i saj. Një qytet i zhurmshëm e plot jetë, Tirana ka mbledhur në gjirin e saj pothuajse 40% të popullsisë që jeton në Shqipëri, që e shohin kryeqytetin si një mundësi më të mirë për jetën dhe për të ardhmen e tyre. Tirana është gjithashtu edhe qendra kryesore administrative, ku janë vendosur pothuajse të gjitha institucionet shtetërore, si Presidenca, Kryeministria, Parlamenti Shqiptar, Gjykata e Lartë, të gjitha ministritë, dhe institucionet e tjera shtetërore të nivelit te dytë e të tretë. Në Tiranë janë të vendosura po ashtu të gjitha përfaqësitë diplomatike të shteteve me të cilët Shqipëria ka marrëdhënie diplomatike, dhe selitë e institucioneve politike të Evropës. Tirana është qendra më e madhe e edukimit në vend, me një Korpus Universitar ku përfshihen të gjitha degët e edukimit, por edhe me një numër të konsiderueshëm universitetesh private, të cilat ushtrojnë aktivitet vitet e fundit.

Tirana është kryeqendra e artit dhe jetës aktive, me institucionet kryesore kulturore si Teatri i Operas dhe Baletit, Akademia e Arteve, Teatri Kombëtar, Galeria e Arteve, Pallati i Koncerteve, etj., që zhvillojnë një jetë të pasur kulturore, me një axhendë të përcaktuar artistike, e cila zë fill në shtator e përfundon në fillim të verës. Tirana është vendi i përzierjes së kulturave të ndryshme të krahinave shqiptare, për shkak të popullsisë së saj heterogjene, e cila ka sjellë pak nga kultura dhe traditat e vendit apo të zonës nga vjen. Kjo pasqyrohet qartë në shumëllojshmërinë e kuzhinës në restorante të ndryshme, në dekorimin e shtëpive, e madje edhe në mënyrën e të veshurit, e cila spikat kryesisht në periferitë veriore të kryeqytetit. Por Tirana pasqyron njëkohësisht edhe rrezatimin e kulturës dhe të përvojës botërore, të sjellë nga jashtë prej atyre që jetojnë e punojnë prej vitesh nëpër botë, duke krijuar një larmi të pafund aktivitetesh, emrash, formash e ngjyrash, me tendencat e vërteta të një metropoli. Tirana mund të jetë kryeqyteti kampion në botë që mban emra në gjuhë të huaj për emërtimin e një aktiviteti tregtar. Kryeqyteti i Shqipërisë është  një metropol i vërtetë që luan një rol të rëndësishëm në jetën e gjithë Shqipërisë. Tirana është padyshim zemra e Shqipërisë dhe pikënisja e gjithçkaje. Mirëse vini pra, në këtë kryeqytet, ku jeta vlon në çdo qelizë të saj!

Pak Histori

Tirana u themelua në vitin 1614, nga Sulejman Pashë Bargjini, një feudal i pasur i kohës, nga fshati Mullet. Ai ndërtoi fillimisht një xhami dhe një hamam, që u bënë pastaj bërthama e qytetit të ardhshëm. Mendohet që Tirana të ketë qenë një qendër e banuar, qysh në kohën e Ilirëve, rreth shekullit IV para Krishtit. Rrënojat e qytetit gjenden akoma sot në këmbët e malit të Dajtit, ku mendohet të ketë ekzistuar një kështjellë. Një tjetër burim është zbuluar së fundmi pranë godinës së Parlamentit shqiptar, gjatë punimeve në infrastrukturë. Supozohet se janë muret e një kalaje të stilit bizantin, gjë që do ta çonte origjinën e lindjes së qytetit shumë më herët se shekulli XVII. Një nga burimet e emrit të Tiranës, është pikërisht emri i kështjellës, “Tirkan”, e cila përmendet për herë të parë në historinë e bizantinëve nga historiani Prokopius. Në vitin 1920, në Kongresin e Lushnjes, Tirana u vendos të bëhej kryeqyteti i përkohshëm i Shqipërisë. Statusin e saj përfundimtar e mori në vitin 1925.

Sot Tirana është një qytet që rritet dhe ndryshon përditë dhe është qendra më e madhe tregtare dhe administrative në Shqipëri. Është një qytet i mbushur me hotele, restorante, bare, pub-e, qendra dhe komplekse argëtimi, që mundësojnë një jetë aktive dhe të shumëllojshme për të gjitha shtresat e popullsisë dhe për të gjithë të huajt që vizitojnë Tiranën për arsye nga më të ndryshmet.

Gjithashtu Tirana është një qendër aktivitetesh kombëtare dhe ndërkombëtare të rëndësishme, seminare, simpoziume, konferenca, festivale, spektakle etj, që e bëjnë një qytet tashmë të njohur dhe të hapur me botën.

Argëtim

Nëse doni të keni një ide për argëtimin në kryeqytet, duhet të vizitoni rrethinat e gjelbra të tij, mundësisht me një guidë njerëzore nëse nuk jeni të informuar. Është mirë që këto rrethina t’i vizitoni në pranverë ose vjeshtë kur natyra ka shpalosur të gjithë madhështinë e saj, por edhe stinët e tjera të vitit janë shumë të bukura. Ju mund të kalëroni, të organizoni piknike, të laheni nëpër pishinat e resorteve të shumta, të ecni në mal, të ekploroni bukuritë e shumta natyrore, të ushqeheni me produkte të shëndetshme etj.

Por nëse preferoni të qëndroni në kryeqytet, kemi sërish shumë alternativa interesantë për ju.

Në Tiranë do të gjeni me dhjetëra lokale dhe klube nate të gjinive të ndryshme, ku mund të shkoni të shijoni muzikën që ju pëlqen. Klube jazz-i, pub-e, disko, kabare, bistro, ambiente orientale, muzikë live, pa lënë mënjanë koncertet dhe aktivitetet e shumta që luhen nëpër sallat e teatrove dhe qendrave të kulturës. Aktiviteti është permanent dhe kënaqësia pa dyshim e garantuar.

Është e kuptueshme që pjesa më e madhe e aktiviteteve kulturore dhe argëtuese zhvillohen në periudhën vjeshtë-dimër sepse vera i thith pothuajse të gjitha argëtimet në bregdet.

Çfarë mund të vizitoni në Tiranë

Monumenti i heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, në qendër të Tiranës, një sërë ndërtesash historike, Xhamia e Et’hem Beut, Kulla e Kahatit, 35 m e lartë, ndërtuar më 1830. Nga maja e kullës, që është e hapur për vizitorët, mund të shijohet një pamje fantastike e sheshit Skëderbej, Urën e Tabakëve, (shek XVIII), një fragment të kështjellës së Justinianit, pranë Kinema Milenium 2, Monumentin Nënë Shqipëri, në Varrezat e Dëshmorëve, që ndodhet në pjesën juglindore të kryeqytetit, Teatrin e Operas dhe Baletit, Teatrin Kombëtar, Galerinë e Arteve Figurative, Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës, Pallatin e Kongreseve, Muzeun Historik, Muzeun Arkeologjik, Muzeun e Shkencave të Natyrës, etj.

Në pjesën jugore shtrihet Parku i Madh i Liqenit, me një sipërfaqe prej 230 ha dhe liqeni artificial në mes të tij me një sipërfaqe prej 55 ha. Në pyllin e Parkut të Madh, rriten 120 lloje pemësh dhe bimësh dekorative dhe një numër i madh lulesh.

15 km në jug të Tiranës, ndodhet Kalaja e Petrelës, me një moshë dymijë vjeçare, e ndërtuar nga fiset ilire të Albanëve, me prijës Glaukun. Kështjella ngrihet në majë të kodrës, duke ofruar një panoramë të mahnitshme të të gjithë zonës. Në kohën e Skënderbeut, kështjella është komanduar nga princesha Mamica, motra e Gjergj Kastriotit dhe ishte pjesë e principatës së Krujës.

15 km në veriperëndim të Tiranës, ndodhet kalaja e Prezës, edhe kjo pjesë e principatës së Krujës. E ndodhur pranë Aeroportit të Rinasit, kalaja është një pikë mjaft e frekuentuar nga turistët, për pamjet unike që ofron.

Një tjetër vend interesant, është Shpella e Pëllumbasit, ose “Shpella e Zezë”, e zbuluar vetëm kohët e fundit, 18 km larg Tiranës, në zonën e Skoranës. Me muret e brendshme të veshura me stalaktite dhe stalagmite, ajo është jo vetëm një vend tërheqës për vizitorët por edhe për studiuesit dhe speleologët.

25 km nga Tirana, ngrihet Mali i Dajtit, ku mund të kalohen pushime shumë të bukura, të mbushura me aktivitete, si trekking, ekskursione, ski, etj. Tashmë ju mund të shfrytëzoni edhe transportin e teleferikut, i cili e përshkon hapësirën për 15 min dhe ju jep mundësinë të shijoni pamje të mrekullueshme të natyrës nga lart. Kjo shkurton shumë kohën dhe krijon mundësi më të mëdha për të preferuar turizmin ditor që ofron zona e malit të Dajtit. Në Parkun Kombëtar të Dajtit, rriten një numër i madh bimësh dhe kafshësh dhe është e ndaluar rreptësisht gjuetia jashtë sezonit.

Një mundësi tjetër e mirë jashtë Tiranës është Mali me Gropa, ku njerëzit mund të shkojnë të çlodhen, larg zhurmave të metropolit.

Jashtë Tiranës

Kur dëgjojmë këtë shprehje, kemi parasysh fshatrat që rrethojnë Tiranën nga të katër anët e horizontit, pasi kemi dalë nga zonat e saj urbane. Edhe pse kohët e fundit janë populluar shumë, ato vazhdojnë t’i rrinë Tiranës si një kurorë e gjelbër, ku ajri i pastër dhe bimësia janë faktorë të lakmueshëm, krahasuar me zhurmën dhe rrugët plot beton të kryeqytetit. Në secilën prej këtyre anëve të gjelbra të horizontit që rrethojnë Tiranën, ju do të keni se ç’të vizitoni, të provoni kuzhinën e vendit apo të ushtroni sporte dhe shëtitje në natyrë.

Të gjitha llojet  sportve mund t’i ushtroni në këto rrethina, të bëni surf, në liqen, të ngjiteni në Malin e Dajtit, të bëni ski në dimër, të gjuani në sezonin e gjuetisë etj.

Për t’ju ndihmuar më shumë në zgjedhjen e aktiviteteve që doni të bëni në kohën e lirë, ju mund të informoheni nëpërmjet wesbsiteve

www.blue-albania.com

www.outdooralbania.com

www.travel-tirana.com

Në to do të gjeni hollësisht gjithçka doni të dini, struktura akomoduese, vende ku mund të zgjidhni kuzhinë të mirë, infromacione praktike për lëvizjen nëpër kryeqytet dhe jashtë tij, makina dhe bicikleta me qera etj.

Të vizitosh Tiranën, kryeqytetin e Shqipërisë, do të thotë të njohesh nga afër gjallërinë dhe ritmin e shpejtë të jetës!

4.4/5 rating (34 votes)

Hits

54274

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.