Turizmi shqiptar, hallet e një stine vere

on Tuesday, 17 July 2012. Posted in Forum

Debat per sezonin turistik

Turizmi shqiptar, hallet e një stine vere
Pjesmarrës në forum:
Zak Topuzi; Drejtues i Sektorit Hotelier; Shoqata Shqiptare e Turizmit ATA
Prof. Gëzim My. Uruçi; President i Qendrës Nacionale të Speleo-Alpinëve të Shqipërisë
Luan Dervishej; Senioi Expert
Ndoc Mulaj; Drejtues i Qendra Alpe
Sadik Malaj;Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë
Petrit Gjecaj; drejtues Thethi Guide
 Vasil Bedini; Kryetar, Shoqata e Hoteterive të Jugut
Pyetjet e Forumit:
Si ka nisur ky sezon turistik, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të shkuar?
Cila është pritshmëria juaj si përfaqësues i Thethi Guide për këtë sezon?
Në fund të vitit të shkuar Shqipëria u rekomandua si një ndër destinacionet kryesore për 2011 nga mediat dhe ekspertët ndërkombëtarë. Duke marrë në konsideratë fillimin e këtij sezoni turistik, a mendoni se rekomandimet e mësipërme do të japin rezultate konkrete?
  A është e përgatitur Shqipëria për të pritur aq turistë sa pretendon dhe a është gati t’i presë si duhet ata?
A janë të mjaftueshme dhe në kohën e duhur masat që janë marrë kohët e fundit nga autoritetet, për të ndikuar pozitivisht në mbarëvajtjen e këtij sezoni turistik?

Zak Topuzi

Përpara se të marrin meritat në turizëm, të kuptojnë e të marrin përgjegjësitë

Më mirë disa kilometra rrugë më pak e më shumë kilometra kolektorë e kanale të ujërave të zeza. Mungesat në shërbime alternative dhe në standarde për klientët, e bëjnë shërbimin më të shtrenjte e aspak konkurrues. Shqiptarët, si rezultat i liberalizimit të vizave do të mund të prekin standardet dhe kështu do të mund të edukohen si konsumatorë. Ne mund ta humbim tregun vendas nga mungesa e standardeve, mungesa e njësive akomoduese cilësore (kryesisht hotele të klasifikuar e resorte), por kjo do ta vendosë turizmin shqiptar me këmbë në tokë. Nisja e sezonit veror ka kthyer në fokus turizmin në Shqipëri. Nëse më parë shqetësimet kryesore ishin rrugët, dritat e uji i pijshëm, se fundi vëmendja po përqendrohet tek mbeturinat, ujrat e zeza, ndotja akustike, standardet dhe cilësia e shërbimeve.

Për të qenë realist, nga qeveria janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të vendosur shtratin kryesor. Nuk mund të bëhej turizëm pa infrastrukturë dhe për mua kjo është arritja më e madhe, ndërtimi i infrastrukturës rrugore (për fat, vazhdon më intensivisht se e kisha menduar), gjithashtu investimi në burime energjitike, furnizimin me energji e ujë të pijshëm në zonat turistike është gjithashtu arritje. Këto investime madhore për një vend të varfër, ndërmerren me dhimbje, por duhen vazhduar, mbasi e gjithë Shqipëria duhet të kthehet në produkt turistik. Këtë vit duhet investuar në administrimin e ujërave të ndotura, sepse nuk na falet më. Më mirë disa kilometra rrugë më pak e më shumë kilometra kolektorë e kanale të ujërave të zeza. Me të drejtë shtrohet pyetja: ”A do të mundemi të kemi një turizëm të suksesshëm me këto nisma ndërkohë që pushuesit vendas e më te ardhura mesatare, ende vazhdojnë të testojnë alternativa të tjera pushimesh?Shumë specialistë mbështesin faktin që ne ofrojmë pushime me çmimet më të lira në rajon! Kjo nuk është e vërtetë. Në fakt, mungesat në shërbime alternative dhe në standarde për klientët, e bëjnë shërbimin më të shtrenjte e aspak konkurrues.
Pushimet në plazh, sot kërkojnë cilësi dhe ide te reja. Konsumatori shpenzon në dhjetë ditë kursimet e vitit për të provuar një dimension të ri nga e përditshmja, ndaj dhe standardet e shërbimet i kërkon më të larta.

Të gjitha këto që thamë më lart kërkojnë një sistem të përhershëm menaxhimi të industrisë turistike. Është e rëndësishme të kuptohet një herë e mirë se ky sistem menaxhimi, nuk mund te ngrihet me fushata dhe direktiva, por me përfshirjen aktive të qeverisë, pushtetit vendor, si dhe bashkërendimin e punës me aktorët privatë.

Turizmi është e vetmja industri me të ardhura të sigurta, që krijon vende të lira pune dhe mund të mbajë të angazhuar popullsinë rurale.
Do të jete një vit i sfidave reale në turizëm. E ardhmja në Shqipëri është turizmi ballkanik (I vendeve të Ballkanit). Kjo për shumë arsye: heqja e vizave, kultura, tradita, ushqimi, distanca e afërt, të mësuarit me veshtirësi dhe situate lufte e konflikti etj. Ballkani po lufton të kthehet në një brand, markë.

Mendoj se Ballkani është një risi për vizitorët; mos harroni, është pikënisja e qytetërimit, e perandorive që kanë sunduar botën gjatë këtyre 2000 vjetëve, luftrave, kulturës, artit, dhe ka diversitet klime, kulturash. Nga statistikat del se peshën kryesore të numrit të turisteve në këto vende, e përbëjnë lëvizjet midis tyre.

Avantazhi kryesor i Shqipërisë mbetet struktura e turistëve, rreth 80% të tyre e përbëjnë turistë të Ballkanit dhe emigrantë, të cilët për shumë arsye do të vazhdojnë të vizitojnë Shqipërinë. Turistët nga Kosova, për vitin 2010 përbënin mbi 40% të numrit të përgjithshëm të turistëve dhe për shkak të mungesës së vizave dhe të të ardhurave të ulëta, do të vazhdojnë të vijnë në Shqipëri. Mendoj se ky numër, për një periudhë afatmesme do të vazhdojë të ketë një rritje të maturuar. Shqiptarët, si rezultat i liberalizimit të vizave do të mund të prekin standardet dhe kështu do të mund të edukohen si konsumatorë. Kriza boterore do t’i detyrojë fqinjët, por dhe europianët të lëvizin më afër, e sigurisht Shqipëria është reklamuar si destinacion që nuk duhet humbur. Europa është e përshtatshme për udhëtime të shkurtra dhe kjo favorizon situatat e krizave. Për dy orë mund të vish në Rrinas nga aeroporti më i largët i Europës.

 Disavantazhet janë më të shumtë në numër. Mendoj se shqiptarët që kanë pasur mundësi financiare, por për mungesë vizash e preferonin Turqinë, do të vazhdojnë të lëvizin jashtë, duke eksploruar edhe vende të tjera si Greqia, Franca e Italia. Gjithashtu një pjesë e familjarëve të emigrantëve, do të tentojnë të lëvizin për pushime duke eksploruar Greqinë e Italinë. Kriza politike dhe situata zgjedhjeve vendore e ngarkuar politikisht, do të kenë një ndikim negativ.

Ne mund ta humbim tregun vendas nga mungesa e standardeve, mungesa e njësive akomoduese cilësore (kryesisht hotele të klasifikuar e resorte), por kjo do ta vendosë turizmin shqiptar me këmbë në tokë. Gjithashtu edhe qeverinë, që termin “turizmi prioritar” ta shohë me realizëm, e jo si slogan fushatash. Unë e shoh si një risi për industrinë e turizmit shqiptar, pasi do te krijojë një ambient me konkurrues, kjo për periudhën afatmesme. Si mangësi do të vlerësoja mungesën e politikave stimuluse e taksat e larta në turizëm nga Qeveria, duke e vendosur Shqipërinë në raport të disfavorshëm me konkurrentët rajonalë, të cilët po luajnë fort, për shkak të eksperiencës, por edhe të vlerësimit të turizmit si industri prioritare.

 

Sigurisht që jemi më mirë se dhjetë vjet më parë. Duke filluar nga viti 2004, ka një rritje të maturuar të numrit të turistëve me rreth 20% në vit. Ka përmirësime, por jemi prapa fqinjve tanë, të cilët kanë avantazh eksperiencën në turizëm, si dhe e kanë kuptuar me kohë që është industria kryesore. Kanë zgjidhur problemet e pronës dhe kanë përfunduar paktin politik që turizmi të mos jetë kalë beteje e as trofe lufte.

Decentralizimi i pushtetit vendor ishte arritje por i pa shoqëruar me nivel profesional, po e dëmton rëndë territorin e për rrjedhojë, turizmin. Pushteti vendor nuk mjafton vetëm të decentralizohet; mungesa e kapaciteteve njerëzore e ka ulur ndjeshëm nivel qeverisës në të. Janë ata shkaktarë kryesorë (ligjërisht),r keqmenaxhimin e aseteve që kanë administrim, si dete, plazhe, rrugë, lumenj, parqe etj. Janë ata përgjegjës për ndotjen e shkatërrimin e mjedisit. Nuk mund t’u lihet vetëm bashkive e komunave të vendosin për fatet e territoreve të tyre, ato në radhë të parë janë aset i të gjithë popullit, e nuk mund t’i shkatërrosh për interesa apo për paaftësi. Dhe qytetarët duhet t’i vë para përgjegjësisëta të zgjedhur. Bregdeti, por dhe gjithë territori shqiptar, duhet të kthehen jo vetëm ne zona të menaxhuara mirë, por dhe me prezencë të përhershme të shtetit dhe shërbimeve të tij, për të garantuar cilësi jetese, pushimi dhe qëndrimi. Është momenti që institucionet publike, përpara se të përpiqen të marrin meritat në turizëm, të kuptojnë e të marrin përgjegjësitë.


 

Prof. Gëzim My. Uruçi

Të ruhemi nga euforitë dhe slloganet

 Kapacitetet e vendeve ndër kullat e kalësive, përreth Alpeve ilirike të Thethit, Vermoshit dhe të Valbonës, nuk i kalojnë 260 shtretër. Në fushën e turizmit malor, ky sezon ka filluar mirë, nga data 15 qershor 2011, me inisiativën e GIZ gjermane dhe përkrahjen e Ministrive të Turizmit të vendeve kufitare, filloi marshimi i madh përreth Alpeve Ilirike, me pjesmarrjen e shoqërive alpinistike të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, nën Siglen Peaks Balkans (Majat e Ballkanit, Verhovi

Balkana), ku Shqipëria u përfaqësua me 40 alpinistë dhe amatorë të sporteve malore. Po kaq edhe nga Mali i Zi dhe Kosova, si dhe një grup gjerman nga GIZ. Duke u nisur nga pikat e përcaktuara të itinerareve te Rugovës, Plavës – Gucisë, Thethit dhe të Valbonës, me një gjatësi prej mëse 130 km. Gjatë këtyre ngjitjeve grupet pjesmarrëse u njohën me natyrën e bukur shqiptare, si dhe promovuan ndër vendet e tyre këto vlera të turizmit malor në Shqipëri, Kosovë dhe Malin e Zi, ku do të prezantohen vlerat e mëdha të alpinizmit të të gjitha llojeve si dhe vlerave të speleologjisë në Alpet tona ilirike. Për këtë vit kemi një pritshmëri të lartë, për shumë grupe homologe nga Bullgaria, Franca, Belgjika, Çekia, Polonia, Kosova, Italia, Sllovenia, Rumania, Greqia, Turqia, Serbia e Mali i Zi. Këto grupe do të sjellin specialistë të fushave të ndryshme të speleo-alpinizmit, si në fushat e biologjisë, turizmit fetar, etnografisë, folklorit, gjeologjisë, karstit nëntoksor dhe te hidrografisë. Një risi është edhe sjellja e shumë grupeve të zhytjes nënujore në sifonet e shumë shpellave të mëdha e të paeksploruara deri më tani.Le të shpresojmë. Nëse Ministria shqiptare e Turizmit do të bashkëpunojë me specialistë dhe ekspertë të Qendrës së Speleo-Alpinëve të Shqipërisë, me qendër në Shkodër, rezultatet do të jenë shumë të mira. Nëse do të neglizohet, ky lloj turizmi do të ketë një rënie drastike. Urojmë që kjo të mos ndodhë. Ne duhet të ruhemi nga euforitë dhe slloganet. Vetëm po të marrim kapacitetet e vendeve ndër kullat e kalësive, përreth Alpeve ilirike të Thethit, Vermoshit dhe të Valbonës, ato nuk i kalojnë 260 shtretër. Një shifër shumë e vogël në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Europës. Por edhe në krahasim me Malin e Zi, Kosovën, Maqedoninë, Bullgarinë etj., ne jemi shumë prapa. Ku infrastruktura është shumë e dobët, krejtësisht e amortizuar. Pasi ne nuk kemi as edhe shkollën e udhëheqësve malorë, për në itineraret malore etj. Këtu çdo gjë i është lënë spontanitetit.Them se jo. Të gjitha këto i janë lënë individeve dhe “pikave” turistike ose “Kullave Alpine” të privatëve, që presin më shumë nga organizmat shtetërore turistike dhe sidomos nga Ministritë përkatëse të Turizmit dhe të Mjedisit. Për këtë duhen masa të forta, në përmirësimin e rrjetit rrugor dhe asfaltimit e tij në akset Bogë - Theth, Hani i Hotit - Vermosh dhe Dragobi - Rragam i Valbonës. Duhet gjithashtu edhe vendosja në këto pika e zyrave të informacionit turistik, si dhe e ambulancave të ndihmes së shpejtë, e pse jo në të ardhmen, edhe e një helikopteri për emergjencat dhe avaritë në mal, me një skuadër të specializuar për ndihmen e parë në shpella e male, gjë për të cilën i kemi njerëzit me përgatitje shumë të lartë, siç i kanë të gjitha shtetet e Ballkanit dhe të Europës.

 

Luan Dervishej

Pa ditur çfarë kemi, nuk mund të kemi çfarë duam

Duke mos ditur se çfarë kemi, çfarë mund të bëjmë dhe çfarë duam, nuk mund të themi se mund të përgatitemi apo se jemi përgatitur mirë. Fillimisht do të doja të uroja stafin për iniciativën e re për të botuar një revistë të dedikuar turizmit, një fushë sa e njohur dhe e panjohur për publikun shqiptar. Për turizmin është edhe lehtë, por edhe vështirë të flasësh apo ta trajtosh: çdokush e prek atë e ndaj mund të flasë apo të kuptojë atë se çfarë ka prekur/provuar nga turizmi, por nga ana tjetër është e vështirë që të mund ta përmbledhësh, përkufizosh turizmin, të nxjerrësh konkluzione, krahasime dhe gjykime përfshirëse, pasi ai është shumëdimensional dhe i lidhur me mjaft elementë të tjerë të zhvillimit. Turizmi si fenomen, tërësi aktivitetesh dhe marrëdhëniesh, si ekonomi ndërsektoriale ndërthuret me mjaft fusha të zhvillimit, ekonomisë, administrimit, infrastrukturës, trashëgimisë, marrëdhënieve ekonomike e sociale dhe diskutimet për zhvillimin e tij nuk mund të shmangen nga kompleksiteti i këtij ambienti dhe sistemi marrëdhëniesh. Kur përmendim apo trajtojmë turizmin në një media, ai është një produkt ku audienca është e interesuar si konsumatore e tij për informacion, argumente, analiza, këshillime për përdorimin e tij. Por kur diskutojmë dhe analizojmë për problematikat e tij, për konkurrueshmërinë, për cilësinë, për përmirësimin e tij, për të ardhmen e turizmit si ekonomi kombëtare, audienca është një aktor dhe faktor që mund të ndikojë në vendimmarrjen dhe zhvillimin e tij. Ndaj dhe adresimi i publikut për turizmin në media, duke marrë parasysh rolin dhe interesin e dyfishtë të tij për audiencën, është një sfidë jo e lehtë, ashtu siç nuk është i lehtë vetë menaxhimi dhe zhvillimi i tij. Kjo sfidë kërkon kontributin e një game të gjerë aktorësh që mund të trajtojnë temat apo elementet e ndryshëm të tij dhe debatet, sqarimet për një kuptim e vizion të përbashkët. Informacioni dhe komunikimi, trajtimi sistematik i elementeve përbërës të tij, fryma e bashkëpunimit, janë disa nga instrumentet që shpresoj se do të mund të përdoren dhe nga ky medium i ri për turizmin.

Jemi mësuar të flasim për sezon turistik duke iu referuar sezonit veror ku tradicionalisht merren pushimet vjetore dhe bregdeti shfrytëzohet për plazhet e tij. Praktikisht edhe për turizmin shqiptar shifrat flasin për një masë kryesore vizitorësh në periudhën e verës. Krahas pushuesve vendas, kemi edhe shqiptarët nga Kosova dhe Maqedonia, si dhe emigrantët që preferojnë të shpenzojnë pjesën kryesore të pushimeve gjatë këtij sezoni. Ajo se çfarë mund të vërejmë në dinamikën e viteve të fundit dhe të bëjmë krahasime, është se turizmi në Shqipëri po kthehet në një fenomen mbarëvjetor. Njohja dhe trajtimi si i tillë është me rëndësi, si për komunikimin me publikun, por edhe për të trajtuar zhvillimin e tij. Kjo vjen si rezultat i zhvillimeve dhe i kombinimit të faktorëve ofertë dhe kërkesë në turizmin shqiptar. Nga faktori i zhvillimeve të ofertës turistike mund të përmendim përmirësimet në infrastrukturë, akses, imazh, shërbime të shtrira në gjithë territorin e vendit, që bëjnë të mundur hyrjen më të lehtë në Shqipëri dhe lëvizshmëri më të madhe të vizitorëve në territor. Po kështu dhe në faktorin kërkesë turistike kemi një dinamikë të zhvillimeve në vitet e fundit. Po shtohet numri i vizitorëve ndërkombëtarë që vijnë të eksplorojnë kulturën dhe natyrën shqiptare, lloj turizmi ky që shtrihet gjatë gjithë vitit dhe jo vetëm në sezonin e verës dhe jo vetëm në bregdet. Këta vizitorë, për nga mënyra e organizimit janë në masë të madhe me grupe ku mund të ketë një masë turistësh ose në forme individuale, turistë eksplorues dhe në përgjithësi aktivë. Vetëm grupmoshat e larta (çifte në pension) që vijnë të organizuar në grup, mund të jenë të orientuar me kombinim të pushimeve pasive. Pra aktualisht, vizitorët ndërkombëtarë joshqiptarë, nuk janë të kategorisë së pushimeve familjare me orientim kryesor bregdetin.

Me hapjen e rrugës Durrës-Kukës gjatë vitit të fundit, vërejmë se fluksi i lëvizjeve nga Kosova po shtrihet gjatë gjithë vitit dhe kemi frekuentime gjatë fundjavave. Nga ana e pushuesve vendas kemi një zhvillim në sjelljen e tyre si konsumatorë turistikë. Nga zhvillimet e përgjithshme social-ekonomike kemi një diversifikim të segmenteve të tregut konsumator me një gamë më të gjerë kërkesash dhe mundësish financiare. Me zhvillimet e ofertës turistike vendase, por edhe të huaj, e me liberalizimin e vizave, duke i kombinuar me mundësitë e mobilitet me të madh dhe në vend rriten alternativat për pushime, që po orienton një tendencë të realizimit të pushimeve në periudha me të shkurtra dhe në pika të ndryshme. Kjo rritje e dinamikës së lëvizjes së vizitorëve në intensitet dhe gamë me të gjerë kërkesash, ndikon që shërbimet turistike të ballafaqohen me intensivisht me kërkesat e tregut dhe eksperienca që krijohet të beje të mundur përmirësime në vazhdim. Pra, nëse mund të përmbledhim tani konkluzionet për të analizuar zhvillimet për këtë vit apo këtë sezon piku, mund të themi se kemi përmirësime graduale në një sërë drejtimesh, si infrastrukturë, cilësi dhe gamë shërbimesh, por vazhdojmë të kemi probleme që lidhen me sistemin e përgjithshëm (ekonomik, infrastrukturë, menaxhim shërbimesh) që vazhdojnë të mos zgjidhen apo përmirësohen, si janë problematika e menaxhimit të mbeturinave, menaxhimi i plazheve, cilësia e shërbimeve, zhvillimet kaotike, ndërhyrjet në ambient dhe peizazh e informacioni i pamjaftueshëm turistik. Pikërisht këto problematika që kanë të bëjnë me sistemin e organizimit dhe të menaxhimit të ekonomisë dhe jetës së vendit, kanë nevojë për analiza, debate, vizione, për zgjidhje që duhet të jenë afatgjata e që nuk mund të zgjidhen nga dinamika e zhvillimeve kërkesë-ofertë të tregut.  Atëherë. Parashikimet bazohen në analizat e zhvillimeve të mëparshme (ajo se çfarë trajtuam më sipër), në analizat e sjelljes së tregut dhe të zhvillimeve të brendshme e të jashtme që mund të kenë ndikim në fluksin turistik. Përveç atyre që përmendëm më sipër, këtë vit, si faktorë të brendshëm mund të shtojmë problemet që krijohen në imazh nga zhvillimet e janarit apo imazhet e përcjellja pas zgjedhjeve, si dhe realizimi i zgjedhjeve vendore në prag të sezonit intensiv turistik, që ka ndikimin e vet në cilësinë dhe organizimin e shërbimeve publike në zonat turistike. Situata globale ekonomike mund të ndikojë te vizitat e emigrantëve dhe te shpenzimet e përgjithshme për turizëm, përfshirë dhe të turizmit vendas. Si shumatore e gjithë këtyre faktorëve, parashikimi për këtë vit është që të vazhdojmë të kemi një rritje graduale të fluksit të vizitorëve, të kemi një shpërndarje edhe gjatë vitit, dhe të vazhdojmë të kemi krahas pushimeve në bregdet, eksplorime të zonave të natyrës malore, dhe të atraksioneve kulturore, përfshirë dhe qytetet kryesore të vendit. Problemet e krijuara, të imazhit në media në momente të veçanta gjatë këtij viti, mund të ndikojnë në një zbehje të intensitetit të vizitave nga turistët ndërkombëtarë (në krahasim me një parashikim më optimist nga fillimi i vitit). Problematika prezente e turizmit do të ndikojë në eksperiencat e turistëve, gjë që ka një efekt më afatgjatë dhe të pamatshëm në moment.

Nëradhë të parë duhet të analizojmë dhe të kuptojmë këto rekomandime. Mjaft media dhe kompani ndërkombëtare bëjnë vlerësime dhe rekomandime të përvitshme për vizitorët. Nga mediet që kanë adresuar Shqipërinë për këtë vit, Shqipëria vlerësohet si një vend interesant për t’u vizituar në kategorinë e eksplorimit, me një përzierje të natyrës, kulturës, historisë që mbart një veçanti e autenticitet, një vend që për arsyet e veta historike dhe të zhvillimit, ka mbetur pak i njohur dhe i pavizituar. Pra duhet të kuptohet se këto rekomandime vlejnë dhe ndikojnë për një kategori të caktuar vizitorësh dhe nuk janë vlerësime unike e gjithëpërfshirëse, vlerësime për të vetmin vend në botë që ia vlen të vizitohet, apo vlerësime për cilësi superiore shërbimesh. Përveç këtyre rekomandimeve, që patjetër ndikojnë në ngjalljen e interesit të turistëve, faktorë të tjerë në vendimmarrjen për të ardhur, janë informacioni i mjaftueshëm dhe alternativat e tjera që ata kanë. Po kështu vendimmarrja e turistëve për pushime dhe vizita nuk është e menjëhershme. Si rrjedhim, ndikimi për një rritje të ndjeshme të vizitorëve vetëm nga këto rekomandime nuk mund të jetë i menjëhershëm dhe automatik. Nëse jemi të interesuar për ardhjen e tyre, nuk mund të mbesim në pritje, por duhet të shtojmë dhe përmirësojmë shërbimet dhe komunikimin e informacionit.

Një ndër problemet kryesore të zhvillimit të turizmit në Shqipëri është se akoma nuk kemi një vizion dhe konsensus të gjerë se çfarë turizmi duam të kemi, çfarë duam nga turizmi, dhe kjo është e lidhur me njohjen dhe kuptim e asaj se çfarë kemi dhe çfarë do të jetë më mirë të bëjmë dhe që mund ta bëjmë. Aktualisht mund të dëgjojmë një larmi termash, pritshmërish, produktesh dhe shifrash për turizmin. Flasim për turistë evropianë, për turizëm elitar, por edhe turizëm bashkëjetues me mbeturinat, për turizëm malor, kulturor, ekoturizëm, për kroçera, për resorte të munguara, për numër turistesh më të madh se numri i banorëve të Shqipërisë.

Pra në publik, në media, në strategji, në praktikë flasim dhe kemi objektiva dhe pritshmëri të ndryshme. Strategjitë e turizmit nuk janë diskutuar gjerësisht në publik dhe zhvillimet në terren të turizmit kanë një lidhje të dobët me atë se çfarë është shkruar apo është vlerësuar se mund të jetë më e mira. Nuk duhet të harrojmë se aktorët e shumtë që kanë lidhje me turizmin, mund të kenë interesa të ndryshme: investitorë ndërtimi të interesuar vetëm për njësi rezidenciale, investime dhe industri të tjera që mund të kenë efekt negativ mbi ambientin, operatorët e turizmit që punojnë me vizitorë ndërkombëtarë dhe duan një ambient estetik sa me të pastër etj. Duke mos ditur se çfarë kemi, çfarë mund të bëjmë dhe çfarë duam, nuk mund të themi se mund të përgatitemi apo se jemi përgatitur mirë. Mendoj se pikërisht kjo sfidë duhet të trajtohet gjerësisht dhe thellësisht nga aktorët e turizmit dhe në media, që të fillojmë të krahasojmë potencialet me kërkesat e tregut, dhe të kemi një orientim më të qartë strategjik të turizmit. Paraprakisht vlerësoj se Shqipëria po frekuentohet nga grupe turistësh me kërkesa dhe psikologji të ndryshme: turistë masivë, kryesisht shqiptarë për bregdet dhe pushime pasive, dhe turistë eksplorues ndërkombëtarë, të orientuar nga natyra dhe kultura, kryesisht aktivë. Sfida është që të përfitojmë nga grupet e ndryshme, duke ditur të ofrojmë gamën e shërbimeve sipas kërkesave të ndryshme dhe të dimë në mënyrë inteligjente si t’i akomodojmë në një shpërndarje optimale gjeografike. Po kështu, modeli i menaxhimit të ciklit të shfrytëzimit të destinacioneve turistike tregon se turizmi ka nevojë për një planifikim dhe koordinim, për të arritur jetëgjatësinë e shfrytëzimit sa më të mirë. Si rrjedhim, sfida tjetër e madhe është të kemi një turizëm të qëndrueshëm që të mund të përfitojmë në një kohë sa me të gjatë prej tij, duke mos dëmtuar burimet natyrore dhe kulturore. Në përgjithësi kemi një orientim për ta trajtuar problematikën e turizmit më herët në kohë (në raport me sezonin veror), në krahasim me vitet e mëparshme për arsye si të sensibilizimit mediatik e publik, por dhe të intensitetit në rritje të kërkesës turistike. Por mbetet që turizmi të konsiderohet gjithëvjetor dhe të punohet gjatë gjithë vitit. Kur flitet për masa për sezonin kemi parasysh një gamë shërbimesh si infrastruktura me rrugë, energji, ujë, trafik, shërbime të pastrimit, rendit, mjedisit, shëndetit , informacionit , plazheve etj. Përsëri për arsye të shtjelluara më sipër e që kanë të bëjnë me sistemin dhe mënyrën e të punuarit, një kategori problemesh nuk kanë mundur të trajtohen si në kohën e duhur, por dhe në zgjidhje afatgjata. Pastrimi, mjedisi, menaxhimi i plazheve, informacioni turistik, elementet e infrastrukturës do të mbesin, (dhe jo vetëm për këtë vit) probleme që do shoqërojnë sezonin veror. Njohja e turizmit, objektiva më të qarta për të, bashkëpunimi ndërmjet sektorëve publik dhe privat dhe brenda tyre, janë disa nga rrugët që do të mund të çojnë në marrjen e masave të duhura në funksion të turizmit.

Ndoc Mulaj

Shqipëria është gati të presë turistët që do të vijnë, por jo turistët që pretendon

Ketë vit do të ketë më shumë pushues shqiptarë që do të zgjedhin bregdetin tonë për të pushuar, sepse shumë njerëz shpenzuan kursimet e tyre për të vizituar të afërmit me rastin e liberalizimit të vizave, por edhe për shkak të çmimeve më të larta që këtë vit ofrojnë të gjitha agjensitë turistike për pushime jashtë Shqipërisë. I vetmi ndryshim për mirë që ka ndodhur qysh nga fillimsezoni i vitit të kaluar, është moti i mirë, i cili ka bërë që këtë vit, sezoni turistik të filloje disa javë më parë nga sa pritej prej administratave vendore respektive, të cilat ky ndryshim i gjeti absolutisht të papërgatitura. Kjo është e pafalshme, sepse nuk duhet të merren për bazë kushtet atmosferike të viteve të kaluara, por duhet të ketë data të caktuara për fillimin e sezonit turistik, duke filluar përgatitjet që në fillim të pranverës. Për shembull: në qoftë se firmat që kanë tenderat për mirëmbajtjen e rrugëve në Kosovë nga bora, presin që të fillojë bora dhe të shkojnë për të marrë kripën në Vlorë, do të kishim një kaos të paparë të bllokimit të rrugëve, por nuk ndodh ashtu, sepse ato mbushin magazinat e tyre që në fillim te vjeshtës, dhe bora e parë i gjen të gatshëm për përballimin e situateës.

Për mendimin tim, nuk do te ketë ndonjë ndryshim të madh përsa i përket numrit të turistëve që do të zgjedhin këtë vit për të pushuar në vendin tonë. Nuk duhet të nisemi nga numri i personave që kalojnë kufirin dhe as nga ata persona që mbushin makinën me naftë në vendin e tyre, marrin edhe bukën me vete, vijnë e lahen në det dhe kthehen brenda ditës në shtëpitë e tyre. Nga këta lloj “turistësh” Shqipëria nuk merr të ardhura as sa një pishinë private dhe unë nuk do t’i konsideroja asnjëherë si turistë. Ketë vit do të ketë më shumë pushues shqiptarë që do të zgjedhin bregdetin tonë për të pushuar, sepse shumë njerëz shpenzuan kursimet e tyre për të vizituar të afërmit me rastin e liberalizimit të vizave, por edhe për shkak të çmimeve më të larta që këtë vit ofrojnë të gjitha agjensitë turistike për pushime jashtë Shqipërisë. Ne si qendër na intereson më shumë turizmi malor, sidomos në Alpe, destinacion për të cilin ka një interes si të turistëve të huaj, por edhe shqiptarë, që po vjen çdo ditë e në rritje. Fatkeqësisht ne nuk kemi kapacitete për akomodimin e tyre, pasi ekzistojnë vetëm disa inciativa te vogla private dhe infrastruktura është shumë e dobët. Ketë vit kemi dëgjuar shumë deklarata të fuqishme në drejtim të turizmit malor, por jam i bindur se ata qeveritarë që japin deklarata të tilla, jo vetëm nuk i kanë vizituar këto pika turistike malore, por edhe nuk kanë kurrfare ideje mbi kushtet pritëse e sidomos gjendjen e rrugëve Rekomandimet nga mediat dhe ekspertet nderkombëtarë për Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore per t’u vizituar këtë vit, jane shumë të rendesishme për të sotmen dhe për të ardhmen turistike të Shqipërisë, por duhet të punohet shumë nga të gjitha institucionet shtetërore dhe private, në mënyrë që t’u përgjigjemi këtyre rekomandimeve jo vetëm me fjalën e artë “mikpritje”, por me përmirësimin e kushteve akomoduese, mjedisore, infrastrukturore etj.

Shqipëria është gati për të pritur ata turistë që do të vijnë dhe jo ata që pretendon. Fatkeqesisht do te duhen edhe disa vite punë për të pritur turistët që pretendojmë sot. Madje edhe atëherë me kushte mesatare, se për kushte shumë të mira do të duhen dekada, me këto ritme që po ecet në zhvillimin turistik të vendit, sidomos në drejtim të turizmit malor. Akoma edhe sot, në vitin 2011 ka vende perla për zhvillimin e turizmit malor, si Curraj i Epërm, në krahinën e Nikaj-Mërturit etj etj. te paidentifikuar si të tilla nga strukturat përkatëse, e jo më të jetë bërë ndonjë përpjekje tjetër për zhvillimin e tyre.

 Kohet e fundit u morën disa masa në ndikim të mbarëvajtjes së turizimit, por janë shumë të vonuara dhe kam frikë se do të mbeten vetëm në letër. Qeveria duhet të marrë masat e duhura nëpërmjet udhëzimeve të saj në fillim të vitit kalendarik dhe jo në fillim të sezonit turistik, pasi duhet shumë kohë dhe punë për zbatimin e tyre. Për këto masa e ligje foli edhe zv/ministri për Turizmin z.Lesi, por le të marrim vetëm një shembull konkret për Shëngjinin, meqenëse vetë z.Lesi është rritur pak km larg tij: ku kanë gjetur zbatim këto masa të qeverisë atje? Sa kohë duhet pas mbylljes së plazhit në mbrëmje për t’u kyqur nga Shëngjini nëpërmjet të vetmes rrugë tokesore për në rrugën nacionale, e për çfarë, aspak më shumë se 500 metër rrugë shtesë për në rrethrrotullimin që vazhdon për Tiranë? Ose më elementarja, i gjithë plazhi i Shengjinit nuk ka as edhe një banjo ku njerëzit mund të kryejnë nevojat personale, duke ditur që ky plazh frekunetohet me së shumti nga pushues ditorë...?

Sadik Malaj

Vera, perëndimorët po blejnë shtretër në hotelet e bregdetit shqiptar

 Sezoni Turistik në Shqipëri tradicionalisht fillon në muajin Maj të çdo viti dhe përfundon në fund të tetorit , pra në Shqipëri ka një periudhë 6 mujore e cila është aktive përsa i përket flukseve turistike gjithëvjetore, ku edhe përpunohet rreth 90 % e të gjithëfluksit të shkëmbimeve turistike vjetore. Nga këta 6 muaj, muaji Maj – Qershor dhe Shtator – Tetor janë muaj të sezonit të mesem, kurse muajt Korrik dhe Gusht janë muaj të sezonit të lartë. Periudha Nëndor – Prill, duke mos pasë të zhvilluar turizmin e skive ( turizmi i bardhë ) në vendin tonë konsiderohet si sezon i ultë turistik me një ngarkesë turistike që nuk i kalon 10 % të shkëmbimeve turistike  gjithëvjetore. Konkretisht këtë vit flukset turistike drejt vendit tonë nga vendet e tjera europiane filluan të vijnë që në muajin Prill, gjë që nuk verehej në vitet e mëparshme, si dhe pati një masivitet më të madh se vitet e kaluara turizmi i
brendëshëm, pra shkuarja e pushuesve apo turistëve shqiptarë për fund java apo pushime drejt plazheve të bregdetit Adriatik apo Jon, si dhe në destinacionet malore të Valbones, Thethit, Voskopojes  etj..

  Aktiviteti Turistik në Shqipëri për vitin 2011 pritet të jetë më i rritur se sa viti 2010. Kjo falë disa specifikave të këtij viti. Së pari, veprimtaria promovuese, nxitëse dhe sensibilizuese e bërë nga komuniteti i biznesit, në vecanti nga Unioni i Operatorve Turistike Shqiptar, nëpërmjet pjesëmarrjes në panairet më të mëdha ndërkombetare, si dhe nëpërmjet organizimit të infotureve me tur operatoret më të mëdhenj ndërkombëtare, ka dhënë efektet e veta në rritjen e prurjeve turistike në vendin tonë. Se dyti, lëvizjet demokratike dhe trazirat në vendet Arabe ( Egjypt, Tunizi, Libi, Siri etj). kanë bërë që klientela turistike e vendeve perëndimore, si dhe tur operatorët e mëdhenj europianë po i kthejnë sytë edhe nga tregu turistik shqiptar për pushimet verore apo për ekskursionet turistike shumë ditore. Shqipëria gradualisht po rritet dhe njifet si destinacion turistik falë edhe mediatizimit ndërkombëtar. Agjensia promocionale prestigjoze ndërkombetare “Lonely Planet” e futi Shqiperinë në guidat e saj për vitin 2011 si një ndër 10 destinacionet më atraktive.. Gjithashtu nga mediat ndërkombetare vizive apo të shkruara si CNN, Herald Tribune, La Stampa etj. Shqipëria u cilësua si një destinacion turistik i të ardhmes, me mundësi turistike shumë të larmishme. Konkretisht gjatë këtij viti po shihen disa efekte pozitive të këtij prezantimi mediatik ndërkombëtar. Grupet turistike këtë vit kanë filluar të  jenë prezent në Shqipëri që në muajin Prill, kur vitet e tjera vinin nga muaji maji cdo viti. Këtë vit grupet turistike nga 2-3 ditore, kanë filluar të jenë  shumë ditore. Gjithashtu ka disa agjensi turistike perëndimore që po blejnë shtretër për rreth 90 ditë qëndrimi  në plazhet shqiptare për klientelen e tyre turistike. Shumë përparsi ka marrë këto dy vitet e fundit edhe  turizmi malorë i ecjeve në këmbë, i bicikletave, motocikletave, agroturizmi , ekoturizmi etj. Mendoj se pretendimet tona duhet të jenë të bashkshoqruara me masat organizative të organeve qendrore e lokale, si dhe me  mundësitë investuese të komunitetit të biznesit turistik. Sezoni turistik i lartë që përfshin periudhën 20 qershor deri më 10 shtator, është me kohëzgjatje rreth  80 ditore. Në rast se përllogarisim që në zonën turistike bregdetare kemi në dispozicion rreth 100 mijë shtretër dhe pushuesit i kemi me pushime mesatare 8 ditore,  si dhe duke parashikuar që kapaciteti akomodues të jetë 100  % i zënë, i bie që në Shqipëri të mos pushojnë më shumë se 1 milion turistë, nga të cilët rreth 90 % janë shqiptarë etnikë nga Kosova, Maqedonia e Diaspora. Gjithashtu në mënyrë të përafërt mund të përllogarisim edhe rreth 1 milion turistë jasht  apo brenda sezonit të lartë  turistik, të cilët janë të pëfshirë në ekskursionet turistike, kulturore,  aventure, malore, agroturistike, vizitoret, konferencat etj. Pra në një farë mënyre duhet klasifikuar dhe specifikuar drejt  pretendimet qeveritare, si dhe pretendimet dhe mundësitë e komunitetit të  biznesit turistik shqiptar.

Këtë vit masat e marra nga organet e pushtetit lokal dhe qëndror për të pritur turiste në zonat bregdetare apo në  destinacionet e tjera turistike qenë më të  vonuara, kjo edhe në sajë të angazhimeve të tyre në fushatat elektorale të zgjedhjeve vendore, pasi zgjedhjet vendore të 8 majit  ishin në periudhën paraprëgatitore turistike.  Kjo bëri që në mjaft zona turistike hapja e hoteleve, bërja gati e apartamenteve, pastrimi i plazheve nga mbetjet urbane, zgjidhjet mjedisore, masat për furnizimin e zonave turistike me ujë, zgjidhja e problemit të ujrave të zeza etj, që janë detyra të organeve të pushtetit lokal, ishin më të vonuara se vitet e tjera, në një kohë që moti i ngrohtë e favorizoi më herët daljen e pushuesve në plazhet shqiptare. Po kështu vërejtje pati edhe ndaj  strukturave të Ministrisë së Turizmit, në veçanti ndaj Agjensisë Kombëtare të Turizmit për një pasivitet në masat e saj promovuese e organizative në prag të këtij sezoni turistik. Nga ana e kryesisë së Unionit të Operatorve Turistike Shqiptare, pati  disa inisiativa në ndikimin dhe nxitjen e tregut turistike ndërkombëtar drejt vendit tonë, si në pjesemarrjet në panairet e Madridit, Milanos, Berlinit, Riminit, Selanikut, Poznanit, Prishtinës, Ohrit, Budvas, Sarajeves etj. gjatë periudhës Janar – prill të këtij viti. Gjithashtu në muajin maj kishim të ftuar në Shqipëri në infoturet e tyre 23 tur operatore polakë dhe 40 tur operatorë e media boshnjake ku prezantuam për disa ditë mundesitë më të mira turistike të vendit tonë për tregjet e tyre turistike.  Këto masa të marra nga komuniteti i ynë i biznesit do të ndikojnë pozitivisht në rritjen e prurjeve turistike të këtij viti.

Petrit Gjecaj

Mungon rruga dhe energjia, Thethi pret turistët me qiri

Një urim shumë dashamirës për revistënTravel: qoftë jetëgjatë dhe lajmëtare e zhvillimit të vendit nëpërmjet sektorit më të rëndësishëm që ka vendi: turizmit.Ky sezon turistik në Theth ka nisur më shpejt se vitin e kaluar për dy arsye:

E para sepse vizitorët nga Shqiperia dhe nga e gjithë bota, vit pas viti janë shumë më të interesuar për bukuritë dhe mikpritjen që ofron Thethi;

E dyta sepse këtë vit, qeveria është kujdesur me shpejt për hapjen e rrugës nga bora, e cila e mban të mbyllur Thethin për 6 muajt e dimrit.

Ky sezon turistik ka nisur me një interesim nga e gjithë Shqipëria për ta vizituar Thethin. Ndryshe nga vitet e tjera, kur kishim kryesisht vizitorë të huaj, këtë vit ka më shumë vizitorë nga Shqipëria dhe Kosova. Ka nisur me një ngarkesë shumë të madhe të banorëve, që me aq sa kanë mundur, janë përpjekur t’i përmirësojnë kushtet e akomodimit për vizitorët. Ka nisur më i ngarkuar se një vit më parë, sepse ka pasur edhe më shumë interes nga e gjithë Europa. Besoj se ky vit do të jetë shumë më i mbarë dhe më i organizuar se vitet e shkuara. Kjo sepse ne, në çdo moment arrijmë të përmirësohemi dhe t’u shërbejmë më mirë dashamirëve të alpeve shqiptare. Ne presim të kemi 30 % më shumë vizitorë nga Shqipëria dhe më shumë se 20 % nga vendet e huaja, në krahasim me një vit më parë. Në Theth na bën optimist rikthimi i 20 % të turistëve të huaj që e kanë vizituar një herë Thethin dhe të cilët kthehen përsëri, këtë herë edhe me familjet e tyre. Në jemi të vetmit pritës turistësh në të gjithë Shqipërinë që kemi punuar me çmime simbolike që janë 2500 lekë të reja për person, fjetje me tre vaktet. Nëse i blen ato ushqime të papërgatitura në treg, kushtojnë më shumë. Ushqimet që sherbejmë ne në Theth janë BIO, duke nisur me bulmetrat që janë të gjitha të freskëta, dhe perimet që në shumicën e kohës ke mundësi t’i heqësh vetë nga toka.

Për të gjithë shqiptarët që janë të angazhuar në aktivitetet turistike, që nga transporti ajror, detar apo tokësor, hoteleria në të gjithë Shqipërinë, ka qenë një lajm i mirë dhe shumë pozitiv futja e Shqipërisë në një nga 10 vendet e rekomonduara për vitin 2011. Por ndryshe nga sugjerimi që ekspertet bënë për Shqipërinë si destinacion turistik, institucionet përgjegjëse që ndikojnë në mbarëvajtien e turizmit nuk janë angazhuar sa duhet.

Po ju jap dy fakte negative për turizmin këtë vit në Theth.

Problemi i parë: Shumë emergjente është energjia elektrike, e cila më mirë të themi se nuk ekziston fare. Në Theth ka një central elektrik që furrnizohet nga lumi i fshatit, i cili nuk prodhon më shumë se 120 KW energji. A është e mundur t’i shërbesh turistit me këtë energji, do të pyesja përgjegjësit dhe ata që flasin se po mbështesin turizmin? Shumicën e kohës ne u shërbejmë turistëve darkën me qiri. A nuk është turp që sot, në shekullin e 21 të mos kesh energji elektrike për ndriçim dhe të përdorësh qiriun?

Problemi i dytë: është rruga automobilistike, e cila është në gjendje të mjerueshme në 25 km e fundit. Rruga automobilistike Shkodër-Theth është hapur për herë të parë në vitin 1936, me mbështetjen e qeverisë austriake dhe tregtarëve të Shkodrës, pasi ishte identifikuar si zonë e shëndetshme. Sot është më e keqe se në vitin 1936 në 25 km e fundit, që janë të paasfaltuar. Hoteleria e Shkodrës furnizohet për gjashtë muaj rresht nga turistët e huaj që vijnë në Theth, një natë kur vijnë dhe një natë kur kthehen, dhe përsëri nuk vihet dorë në këtë perlë të turizmit shqiptar. Nga kontaktet që kam këto dy muaj me turistët shqiptarë dhe të huaj, mendoj se me këto kushte që në ju ofrojmë, ky lajm do t’i sjellë në Shqipëri dhe do t’i kthejë të zhgënjyer. Kjo kosto do të paguhet nga ne në vitet e ardhshme. Shqipëria, mendoj se është e gatshme të presë aq turistë sa pretendon, por jo me standardin që kërkon një turist. Nuk dua t’i përsëris edhe një herë arsyet e mësipërme, por është e pamundur t’i presësh si duhet kur nuk ke një rrugë të asfaltuar për një nga zonat më të bukura dhe më të frekuentuara të Shqipërisë. Thethi, vitin e kaluar është vizituar nga rreth 7.500 turistë një dhe dyditorë dhe këtë vit është përgatitur për 10.000 turistë gjatë gjithë vitit, por e ka të vështirë t’i presë si duhet pa një rrugë të asfaltuar dhe pa energji elektrike. Pastaj edhe Shqipëria, nëse e shikon, ka probleme serioze që janë pastërtia e plazheve apo e ambientit, dhe heqja e ujërave të zeza. Asnjëherë masat nuk janë të mjaftueshme, pasi ne konkurrohemi nga tregje turizmi me traditë dhe të konsoliduara, si jane Greqia, Mali i Zi apo dhe Kroacia, që kanë dekada në tregun e turizmit ndërkombëtar. Autoritet tona, nuk vihet re akoma se kanë marrë masa për të ndikuar në turizmin e këtij viti. Edhe pse janë marrë me vonesë, nëse aksioni është serioz, mendoj se do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e standardit të shërbimit. Duhet të jemi të gjithë të vëmendeshëm dhe të angazhuar 24 orë pa pushim në përmirësimin e kushteve dhe në sherbim të klientëve, të cilët janë më të rëndësishmit. Sepse nëse nuk janë ata, nuk janë as operatorët turistikë dhe nuk do të jenë me mjëra e mijëra vende pune në të gjithë Shqipërinë.

 

Vasil  Bedini

 ky sezon do të ketë 20% rënie

Plazhet publike u mbushën me kioska të antarëve të partive, pushteti lokal në ikje apo në ardhje, nuk është pjesë e turizmit në keto vite. Me pak fjalë, e vërteta është ndryshe nga ç’thotë qeveria: sektori i turizmit për këtë sezon do të ketë një rënie afro 20%.

 Gjithnjë e më shumë turizmi po shndërrohet në furnizuesin kryesor të ekonomisë më të ardhura. Mirëpo si një nga sektorët ku pritet të perqendrohet rritja ekonomike e vendit në të ardhmen, turizmi ende nuk po e gjen veten në prioritetet e qeverisë, sidomos në mbështetje me fonde, e jo vetem kaq, por qeveritë dhe parlamenti po na kthehen në një nga  kundërshtarët e kësaj  industrie, pasi me veprimet dhe mos veprimet e tyre po bëjnë  më të keqen në imazhin  e këtij vendi  duke mos menduar për punën e ngritur me shumë vështirësi nga operatorët turistikë që çdo gje e kanë ndërtuar me sakrificë dhe për një zinxhir të tërë të ekonomisë së vendit. Për sektorin e turizmit në të gjitha zonat turistike po punohet në të gjitha drejtimet për përmirësimin e shërbimeve, përmirësimin e ambienteve akomoduese, restoranteve,  guidave turistike dhe te tjera, dhe me shumë vështirësi  kanë arritur të konkurojnë në tregun e turizmit kjo është e sigurtë, por të vimjë ek viti i zi për turizmin, viti 2011. I zi në të gjitha drejtimet. Atë që mezi mundëm të arrinim në vite,  për një karige pushteti u mbushën stacionet televizive me goma që digjeshin dhe me rrugë të bllokuara, u harrua turizmi, mbetën mjetet detare të bllokuara, as motora uji nuk lejohen, as pedalone, mbeturinat ngelen anës së rrugës, plazhet publike u mbushën me kioska të antarëve të partive, pushteti lokal në ikje apo në ardhje, nuk është pjesë e turizmit në keto vite. Me pak fjalë, e vërteta është ndryshe nga ç’thotë qeveria, sektori i turizmit për këtë sezon do të ketë një ulje  afro 20%.Zonat turistike si Vlora, Radhima e deri në Sarandë ka rritur numrin e hoteleve dhe paraqitet me një status tjetër, me dhoma komode, me çmime të ulëta, me shërbime cilësore, ambiente të pastra dhe kuzhinë të alternuar për t’u shërbyer të gjithë klientëve nga e gjithe bota që me fjalët e tyre kanë dhënë dhe japin nota maksimale për ambiente ku akomodohen. Po arrihet vërtet ajo që thonë qeveritarët, turizëm elitar por brenda hapësirave private, kemi nevoje për shtim të mëtejshëm të hoteleve për të përballuar dhe ofruar bashkëpunimin e shteteve europiane që në vitet e fundit kane mare informacion paraprak nëpërmjet agjencive të tyre, por që nuk mjafton numri i shtretërve që ne kemi. Shpresojmë që qeveria të hedhë hapin e parë për të ndryshuar dhe ofruar planstudime të reja dhe të përfunduara, shpresojmë që Radhima të kthehet në zonë të vërtetë turistike me infrastukturën e nevojshme, duhet të dalim nga zhvillimi spontan i pambështetur me strategji të qarta dhe cilësi shërbimesh. Operatorët turistikë i kanë të qarta rregullat e punës, i kanë të qarta se çfarë çmimi duhet të marrin për atë që ofrojnë, jemi në parametrat e duhur dhe konkurues, kërkohet ndihma e strukturave lokale dhe qendrore të shtetit, duke na plotësuar ato që ne kemi nevojë, duke plotësuar kërkesat e turistëve që vijnë në jug të Shqipërisë. Nga sondazhet që ne bëjmë vazhdimisht dhe opinionet e vizitorve, na mungon infrastuktura jashtë ambienteve tona. Shpresojmë që kjo situatë të ndryshojë dhe Shqipëria të futet me det, me rrugë, me hotele dhe me të gjithë infrastrukturën e nevojshme në tregun turistik. 

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

41397

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.