Agriturizëm Huqi – have you ever been in a place like this?

Agriturizëm Huqi – have you ever been in a place like this?

Written by Flora Xhemani Baba on Thursday, 28 April 2016. Posted in Tradita

Mirësevini në rrethinat e gjelbra të Durrësit, aty ku po lindin bërthamat e para të agroturizmit shqiptar

Agriturizëm Huqi – have you ever been in a place like this?
Kështu mund të pyesim këdo që nuk ka qenë ende këtu, në këtë parajsë të vogël, ku nuk mungon asgjë për të qenë i lumtur pranë natyrës. Rrush, mushmollë, shegë, ftonj, kiwi, domate, speca, limona, portokalle, mandarina, arra pa fund, rosa, pata, pula, ullishta, liqen, kodër, fushë, pyll.... harruam gjë?
Ah po, harruam të themi se të gjtha këto nuk kanë mbirë vetë po i ka mbjellë dhe rritur dora e njeriut. Dhe ku? Buzë ujit të një rezervuari të dikurshëm që atëhere shërbente për të ujitur misrin e sot, është shndërruar në një liqen të vogël të mrekullueshëm. Gjithçka që sheh sa të ha syri është gjelbërimi, që vetvetiu të zgjeron frymëmarrjen, vetëm kur mendon se sa i pastër është ajri që thith në ato momente.
Në fakt, kur vendosëm të shkruanim diçka për turizmin lokal në zonën e Durrësit, shtysa e parë na erdhi pikërisht nga ky vend, që nuk ka shumë kohë që ka filluar të funksionojë  si strukturë agroturistike, ndonëse pemët, ullinjtë dhe vreshtat përreth, janë mbjellë prej disa vjetësh.  Kemi kohë që vrapojmë me dëshirë pas çdo investimi të tillë, kur mendojmë se sa shumë të mira i sjell zonës ku instalohet, ky gjenrator i mrekullueshëm ekonomik. Një strukturë agroturistike i jep jetë gjithë zonës ku zhvillohet, e nxjerr atë nga anonimati, njerëzit fillojnë të shqiptojnë shpesh e me shpesh emrin e vendit apo të fshatit ku ndodhet, banorët e zonës dalin nga dembelizmi dhe fillojnë të mendojnë me vlerësim për tokën e tyre, për prodhimin  e tyre, për punën e tyre.
Jemi në Radë, një prej fshatrave të zonës rurale që të shoqëron për tek Kepi i Rodonit. Sapo merr kthesën e Gjirit të Lalzit, rruga vazhdon pak kilometra (në këtë shtator ne shijojmë peisazhet e vjeshtës, me lulediellit e vogla qe feksin në të dyja anët e rrugës), derisa shohim një tabelë të vogël që na tregon se ku duhet të shkojmë. Lemë asfaltin ndërkohë që na duhet të ecim  vetëm 800 metra nga rruga kryesore. Dhe vjeshta, është periudha kur vendi të ndjell fort, duke të tërhequr përdore nëpër një rrugë të pashtruar por të bukur fshati, ku gardhet e shtëpive po thyhen nga lulekëmborat,  degët e shegëve kanë mbërritur gjer në tokë, ku rrushi pikon nga pjergullat e kacavjerra nëpër plepat e gjatë e ku arrat janë ende jeshile nëpër pemë.  
Herën e parë, ne prisnim që rruga të ishte e gjatë (sepse ndodh rëndom që 800 metrat e shkruara mbi tabelë të jenë së paku 2-3 km) por shpejt pamë se pas arrave të fundit, na u shfaq një pesiazh kodrinor i magjishëm në mes të fytyrës së të cilit ishin qëndisur ullinj dhe ca konstruksione druri, veshur me qeleshe të bardha. Kur u ngjitëm dhe pak, pamë liqenin, rrethuar edhe ai me gjelbërim. Sa bukur! Një paqe pa fund, nga ato për të cilën njeriu ka aq shumë nevojë, një qetësi që nuk e prishte dot asnjë bori makine, asnjë zhurmë bilbili, asnjë ulërimë shitjesh në rrugë, asnjë re pluhuri që të vinte tek këmbët. Kishte vetëm trëndafila vjeshtakë të të gjitha ngjyrave, që shikoheshin në pasqyrën e liqenit, në këmbët e të cilit laheshin rosat. (“rosat po lahen, brenda në liqen…” vinin në vesh tingujt e këngës së largët të fëmijërisë).
Rogerti, i zoti i shtëpisë, na priti në një prej ndarjeve të bukura e të bardha prej druri, që sot i thonë gaxebo. Një rresht i gjatë me të tilla, shoqëron njërin prej brigjeve të liqenit, ndërkohë që përkrah tij rrinë ca tenda të bardha me majë të theksuar, si shtëpi kineze, kombinim i bukur e i veçantë, që dyzohet kur syprina e liqenit është e qetë, duke i dhënë vendit pamje romantike. Përballë bregu është zbukuruar me çadra kashte e një mol druri ku prehen ca varka me pedale, që miqtë mund t`i përdorin për shëtitje, ndërkohë që presin të gatuhet ushqimi që kanë porositur.
E në fakt, duhet të presin ca, thotë Rogerti, kur e pyesim se sa duhet të presin zakonisht klientët për ushqimin që porosisin. Ushqimet natyrale që rriten këtu në ambientet e kompleksit nuk mund të gatuhen për 20 minuta, as pulat, as roast, as kecat, as gjengjat. Madje as një tavë me perime. Ky është ndoshta një prej problemeve të vogla që kemi sepse gjerat e mira njerëzit mezi presin t`i shijojnë dhe shpesh janë të paduruar.  Ne u sugjerojmë të bëjnë një shëtitje nëpër ullishta e pemë, të bëjnë një xhiro me varkë, të hedhin grepat në liqen, të këpusin ndonjë frut…. Sepse imagjino se sa duhet të presin fjala vjen për  mishin e qingjit ose të kecit në pus. Si në pus? Të gatuar në pus? E si u gatuaka mishi në pus? Epo, gatuhet, ky në fakt është specialiteti ynë, që nuk besoj se e keni hasur ndokund tjetër.
Jo, nuk e kishim hasur. Kemi dëgjuar dhe provuar mish gjedhi në bidon, andej nga zona e Librazhdit por nuk kemi dëgjuar asnjeherë për mish qingji ose keci në pus, një formë e gatimit të mishit që merr disa ditë, për shkak se procesi i marinimit të mishit është i gjatë, shpjegon Rogerti. Po pse keni marrë përsipër të ndërtoni një punë që ka procese kaq të gjata, e pyesim. Pse jo, për shembull një hotel këtu, një kuzhinë e mirë dhe krijimin e një klientele fikse që të të siguron të ardhura të qeta. Pse keni mbjellë pemë, që kërkojnë shumë shërbime, kohë të gjatë për t`i rritur e shijuar. Pse rrisni shpendë vetë, ndërkohë që mund t`i blini të gatshgme. Sepse na pëlqen kjo që bëjmë. Sepse puna duhet shijuar edhe gjatë kohës që bëhet dhe jo vetëm në fund kur merr shpërblimin. Sepse na pëlqen toka dhe çfarë rritet prej saj. Sepse im atë shijon shumë ditën e tij, me një gërshërë krasitëse në dorë, qeth këtu e krasit aty, rrallo ndonjë frut këtu e mbill ndonjë fidan aty dhe kjo bëhet në një farë mënyre edhe pjesë e jetës. Më shumë se 400 rrënjë ullinj janë mbjellë mbi këto brezare të vogla, pa llogaritur që nuk mungon asnjë pemë. Madje kemi mbjellë edhe një pjergull të madhe me kiwi. Është ai tuneli i gjatë që ndodhet mbi kopshtin e perimeve. Pse nuk e bëra hotel? Sepse më pëlqeu më shumë ideja e kampingut, kemi hapur atë vendin aty poshtë që tani shërben si parking e gjatë sezonit të lëvizjeve do të shërbejë si parking për rulotat e të huajve. Sepse për hir të së vërtetës ata e shijojnë më mirë se ne këtë vend që rrethon kompleksin. Bëjnë shëtitje, i bien shtigjeve rreth e qark liqenit, mbledhin manaferra, respektojnë natyrën, e duan atë.
Në fakt e gjitha kjo që kemi ndërtuar është një lloj shprehjeje dashurie e jona ndaj natyrës. Sigurisht mbarëvajtja në një biznes të caktuar, sidomos kaq të lodhshëm sa agroturizmi, nuk është e thjeshtë të arrihet por nëse ti punon gjithmonë njësoj dhe nuk ndryshon metodat e punës gjatë rrugës, edhe këtu suksesi është i garantuar. Kemi vetëm pak muaj që e kemi nisur këtë rrugë dhe deri tani askush nuk është larguar që këtu i pakënaqur.
Telefoni bie vazhdimisht. Po? Po, Agroturizwm Huqi jemi. Sot? Po patjetër, mirëse të vini. 
5.0/5 rating (2 votes)

Hits

12347

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.