NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…

NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 25 May 2012. Posted in Reportazh

Një ditë dimri mes skiatorëve pukjanë

NË PYJET ME DËBORË (TË PUKËS) KA JETË…

 

Kur vendosëm që të bënim një udhëtim dimëror, fillimisht menduam se do të kishte qenë bukur të niseshim për në Dardhë ose Voskopjë të Korçës. Mirëpo në momentin e fundit ndërruam mendje dhe e lamë që udhëtimi ynë i radhës të ishte Puka. Për shumë arsye. E para sepse nuk kishim qenë asnjëherë në dimër, e dyta sepse Valbona, menaxherja e Hotel Turizëm Pukës, të cilën e kontaktuam edhe për të prenotuar, na siguroi që rruga ishte plotësisht e kalueshme edhe me makina jo të tipit 4 x 4, madje edhe pa qenë nevoja të vendoseshin zinxhirë. Pastaj ajo na dha edhe një ndihmë tjetër të madhe që na joshi veçanërisht. Na siguroi se mund të bënim ski, madje na dha edhe numrin e instruktorit të skive.  Të entuziazmuar se do të mund të na jepej rasti të futnim për herë të parë këmbët në këpucët e skive, i telefonuam shpejt e shpejt instruktorit dhe e pyetëm nëse mund të bënim ski dhe a ishte e përshtatshme koha për një gjë të tillë. “Koha është shumë e bukur, dhe ka mjaftueshëm dëborë për të bërë ski”, - na siguroi ai. “Po sa kushton kjo?” - e pyetëm ne. “Nuk kushton asgjë, argëtimi është falas”. Falas? Kjo ishte shumë e bukur. Nuk e kuptuam sensin e kësaj por nuk e vramë shumë mendjen për arsyet. E rëndësishme ishte që do të bënim ski. Më vonë do ta mernim vesh edhe arsyen se pse ushtrimi i këtij sporti ishte gratis në Pukë.

 

Ne u nisëm afër mesditës dhe morëm rrugën e gjatë, atë të itinerarit Milot-Rrëshen-Pukë, që ta shijonim më shumë natyrën, pavarësisht se segmenti Bushat-Vau i Dejës-Pukë është më i shkurtër dhe rruga është në kushte shumë të mira. ­Dhe nuk u penduam. Po të mos kishim kaluar nga kjo rrugë nuk do ta kishim shijuar pamjen spektakolare të katarakteve të ngrira nëpër faqet e shkëmbinjve, që të krjionin përshtypjen se ishin stalaktite shpellash milionavjeçare, nuk do të kishim parë ujvarën e Gojanit, afër Pukës, e cila kishte marrë dhe ajo një pamje mahnitëse, me kallamat e akullit në të dy anët dhe fashën e gjatë të ujit që zbriste më zhurmë mbi shkëmbin e ngrirë.

Po të mos kishim kaluar nga kjo rrugë nuk do ta kishim takuar Gjonin, pronarin e bar restorantit pranë ujvarës së Gojanit, ku u ndalëm për të pushuar. Gjoni na priti me përzemërsi dhe pasi shijuam mikpritjen karakteristike të zonave të veriut, ai na tregoi pasionin e tij për fotografinë. Kishte në kompjuter plot foto të zonave të Pukës dhe fliste me krenari për bukuritë e pyjeve të zonës që për fat të keq, pak vetë i kishin vizituar. Duke patur parasysh vështirësinë e madhe të bizneseve të vogla, ai ia kishte lënë të dorë të vëllait menaxhimin e lokalit dhe vetë ishte punësuar në një firmë private që shfrytëzonte minierën e Gjegjanit, aty pranë. Por këmbëngulte që rrugëdalja ekonomike për zonat e bukura të vendlindjes së tij, ishte turizmi. Ne i dhamë fjalën që do të vendosnim disa nga fotot e tij në guidën e ardhshme për turizmin malor. Falënderimi i tij ishte jo aq për faktin se do t’i vendosnin fotot, bashkë me emrin e tij, sesa fakti që kjo ishte një gjë shumë e dobishme që dikush shkruante për bukuritë e kësaj zone.

Gjatë të gjithë rrugës binte shi dhe ne u mërzitëm pak, sepse menduam se me kaq shumë shi, dëbora në Pukë do të shkrinte. Dhe tefononim vazhdimisht në hotel nëse kishte akoma dëborë apo jo, sepse edhe në Pukë binte shi.

Shiu ra gjithë mbasditen dhe gjithë darkën dhe trishtimi ynë sa vinte e shtohej sepse kështu nuk do të mund të bënim ski. Megjithatë, ne vendosëm ta merrnim me sportivitet sepse në fund të fundit kishim ardhur për t’u kënaqur. Kishte plot gjëra të tjera që do të na jepnin kënaqësi, siç ishte për shembull, të bisedoje pranë oxhakut në restorantin e Hotel Turizëm Pukës, ku na bëri shoqëri vetë i zoti i shtëpisë Xhimi Begeja. Sigurisht që e ndjemë veten mysafirë të veçantë sepse me Xhimin ishim të njohur të vjetër, që kur për herë të parë bashkëpunuam për shkëmbimin e fotografive të para që na ofroi shoqata Dajti Alpina Turistik, që ai drejton, me imazhe spektakolare nga sporte ekstreme dhe eksplorime në të gjithë Shqipërinë.

Xhimi na sugjeroi që atë mbrëmje të mos porositnim siç bëhet në çdo restorant, por të pranonim atë që do të na servirte i zoti i shtëpisë.

- “Sonte dua që pranë zjarrit siç jeni, të provoni edhe gatimet më tipike të zonës dhe kështu të ikni me përshtypje të mira nga Puka”, - na tha ai teksa i bëri shenjë kamerierit të na shërbente pjatat karakteristike.

Kështu atë mbrëmje ne patëm rast të provonim antipastat me djathë të bërë vetë, fasulet shumë të shijshme që nuk e kuptuam se si i kishin gatuar që ishin bërë aq të mira, pulën e fshatit me çervish - specialitet i zonës - e mbi të gjitha birrën Puka, të prodhuar enkas për vizitorët që vinin në Pukë. Kur e pyetëm Xhimin se pse kjo birrë nuk ishte parë në lokale të tjerë jashtë qytetit, ai na u përgjigj: - “Sepse është pa konservantë dhe nuk i reziston udhëtimit, sidomos verës që është edhe më e domosdoshme.­ Kjo birrë vjen drejtpërdrejt nga fabrika e vogël që kemi këtu ngjitur me hotelin dhe ne e prodhojme vetëm për klientët.”

Menduam se kënaqësia jonë e udhëtimit do të mbaronte aty, pranë oxhakut të ndezur, ushqimeve të shijshme dhe bisedave të gjata me të zotin e shtëpisë, sepse shiu vazhdonte të binte dhe ne nuk  kishim më shpresë se do të bënim ski. Thjesht do të prisnim të vinte mëngjesi dhe do të niseshim për në Tiranë.

Por kur u zgjuam në mëngjes, pamë me lumturinë më të madhe se kishte zënë një borë aq e dendur e flokëmadhe saqë qyteti i bërë qull deri në mbrëmje, ishte zbardhur i gjithi. Duke pirë kafen e mëngjesit e duke shijuar dëborën dikush erdhi e na përshëndeti.

“Mirmëngjes, a bujtët mirë te Xhimi?”. Ne ngritëm kokat me fytyrë pyetëse ndaj përshëndetjes së këtij burri rreth të dyzetepesave që nuk e njihnim. “Jam Përparimi, instruktori i skive”.

E ftuam të ulej por nuk pranoi se pas pak do të niseshim te pista e skive dhe nuk kishte shumë kohë. Ne u habitëm. Menduam se me gjithë atë shi që kishte rënë pista nuk kishte aq dëborë sa për të bërë ski por ai na siguroi se aty tani ishte ngjeshur bora nga uji dhe ishte akoma më e mirë për të bërë ski. “Pastaj, mos u bëni merak se djemtë do ta shtrojnë borën dhe do të rrëshqisni për bukuri”. Na siguroi ai.

Ja pra që udhëtimi ynë nuk do të mbyllej pa provuar kënqësinë e skive. Rrugës Përparimi na shpjegoi edhe se si funksiononte sporti i skive në Pukë. Ai tha se çdo gjë e kishte bërë nga pasioni. Vetë i kishte prerë pemët për të ndërtuar pistën, një kilometër jashtë qytetit, vetë i kishte sajuar andej-këndej, skitë, këpucët, shkopinjtë dhe gjithë pajisjet e tjera të skive që dispononte. Për pasion stërviste edhe skuadrën e tij të vogëlushëve që donin ta mësonin këtë sport të bukur. Madje i shtyrë nga pasioni, ishte bërë njëri nga organizatorët dhe nismëtarët e parë të projektit të 40 haneve të Shqipërisë.

“Kur u hodh ky mendim fillimisht, ishte e habitshme dhe e papranueshme që shtëpia të kthehej në hotel dhe kuzhina e shtëpisë në restorant ku “miku” duhej të paguante për fjetjen dhe ngrënien. Sepse miku është i shenjtë për malësorin dhe malësori nuk mund të “koritej” duke i marrë para mikut për mikpritjen që i ofronte. Mirëpo kur u bindëm që kjo ishte në dobi të të dyja palëve sepse “miku” kënaqej me mikpritjen dhe malësori me ato para përveçse siguronte jetesën, përmirësonte edhe kushtet për mikpritje akoma edhe më të madhe, unë vendosa i pari që shtëpinë time ta ktheja në hotel. Dhe sot, të gjithë ata që kanë ardhur një herë, janë kthyer sërish. Për të mos hequr dorë nga mikrpritja e malësorit,  në shtëpi ne të presim si mik, të lëshojmë qoshen e ngrohtë pranë zjarrit, të gostitim me çaj mali apo raki shtëpie, fruta të thata apo ëmbëlsira të ndryshme që gatuajnë gratë dhe të konsiderojmë sërish si mikun e shtrenjtë të shtëpisë. Nuk e di nëse është shumë apo pak por me 2000 lekë për person, mund të hash mirë të tria vaktet dhe të flesh duke zgjedhur një nga dhomat e shtëpisë, me oxhak, ngrohje, apo sobë, si të të duket më e përshtatshme. Ndërsa për pjesën e argëtimit, dimër dhe verë, shëtitjet, alpinizmin, skitë, eksplorimet e shpellave, ato i ofrojmë falas”, përfundoi ai teksa kishim mbërritur tek pista. “Vetëm kur të vendosim teleferikun nga qyteti deri tek pista e skive, atëhere do të paguhet për këtë shërbim sepse investimi do të jetë i shtrenjë dhe sigurisht do të shpenzojë dhe energji elektrike.”

Pasioni për sportet dimërore ka përfshirë edhe katër fëmijët e Përparim Laçit. Të tre djemtë Leonardi 22 vjeç, Maringleni 19 dhe Ergysi 17, si dhe vajza Saudita 15, janë rritur me sportet ekstreme. Njëri prej djemve është kampion i Patinazhit dhe Alpinizmit në Shqipëri, ndërsa Saudita është kampione e vendi në ski për moshat e reja. (para pak ditësh Saudita u shpall sërish kampione e Shqipërisë në Kampionatin Kombëtar të Skive që u zhvillua në Bigëll, në Dardhë të Korçës).

Ishte vërtet kënaqësi të shikoje djemtë që fluturonin mbi ski dhe binin sërish në këmbë në dëborë, pamje spektakolare që jemi mësuar t’i shohim vetëm në televizion, apo vajzën që rrëshqiste poshtë me një shpejtësi marramendëse, pa u rrëzuar asgjëkundi. Këtë kënaqësi po e merrte ndërkohë edhe një grup xhirimi i televizionit Top Channel, që kishte ardhur të filmonte aktivitetin në pistën e skive dhe të intervistonte skiatorët.

Megjithatë, edhe për ne që nuk e kishim provuar, të jetoje përvojën e rrëshqitjes mbi ski (pavarësisht se rrëzoheshim pas njëzet metrave), ishte një ndjesi e paharrueshme që nuk doje të mbaronte. I patëm zili ata djem e vajza të vegjël e të mëdhenj që rrëshqisnin me aq lehtësi si të kishin lindur mbi ski.  

Kur kthyem nga pista e skive me këmbë të lagura nga dëbora e zonja e shtëpisë, ose më mirë e zonja e Hanit, përveç çajit e biskotave, na dha edhe çorape të pastra e të thata sepse ata e dinin që skiatorët kthehëshin të lagur nga pista dhe ruanin gjithmonë çorape të thata për ta.

Nga një vizitë që i bëmë të gjithë hanit të Përparim Laçit, pamë dhomat e rehatshme me oxhak, dhe menduam se kur të vinim sërish në Pukë, do të “bujtnim” edhë në këtë han.

Dhe morëm me vete fletushkën e hanit, të realizuar nga Agjencia Kombëtare e Turizmit, për Hanin e Përparim Laçit, si një nga “40 Hanet e Shqipërisë”, që mirëpsriste turistët që donin të vizitonin Pukën. Do t’ia kalonim dhe miqve, sigurisht.

 Në kthim, secili nga ne komentonte me entuziazëm se udhëtimi kishte shkuar mirë, madje shumë mirë, dhe se pavarësisht faktit të përgjithshëm se qytetet e vogla të Shqipërisë nuk janë shumë të gjallë, gjatë dimrit, në pyjet me dëborë të Pukës, ishte ndryshe. Aty kishte jetë…

Pukë, 31 janar 2010

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16605

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.