Zviceranët: Shqipëria s’është vend për turizëm masiv

Zviceranët: Shqipëria s’është vend për turizëm masiv

on Wednesday, 02 October 2013. Posted in Blog

Turistët perëndimorë shprehin përshtypjet për vendin tonë...

Zviceranët: Shqipëria s’është vend për turizëm masiv

 Kohët e fundit një grup turistësh zviceranë bëri një udhëtim nëpër qendrat arkeologjike të Shqipërisë. Ata vizituan vendgërmimet antike, por morën me vete edhe mbresat mbi një vend në ndryshim, i cili po lëviz shpejt në drejtim të modernitetit.

“Para 24 vitesh kam qenë në Shqipëri, në korrik të vitit 1989, në kohën e regjimit të vjetër, komunist. Enver Hoxha kishte vdekur prej katër vitesh, Ramiz Alia ishte në fuqi. Bashkë me djalin tim 18-vjeçar bëmë pushimet verore në det, në afërsi të Durrësit”, kujton Erika Nostitz. “Ne kishim dëshirë të udhëtonim në vendet ku nuk shkonte gjithkush”.
Dhe kështu është edhe sot: 78-vjeçarja nga Bazeli mori pjesë gjatë majit bashkë me bashkëshortin  Franz Otto Nostitz në  një “udhëtim arkeologjik në Shqipërinë e panjohur”, nën udhëheqjen e arkeologut Christian Zindel, i cili e njeh Shqipërinë që nga viti 1988. Nga viti 1999 deri në vitin 2003 ai ka drejtuar zyrën e degës së fondacionit të kulturës “Pro Helvetia” në Tiranë.

 

 Një vend krejt tjetër!

Erika Nostitz, nuk ka mundur ta njohë më Shqiperinë, me rastin e vizitës së dytë të saj në këtë vend. “Është një botër jetër, njerëzit janë të hapur, miqësorë dhe të këndshëm. Përpara ata ishin të tërhequr dhe të mbyllur në vete”. Ajo nuk e di nëse qëndron ajo që shkruante Kadare se në atë kohë gjithkund kishte mikrofonë përgjimi, shkruan swissinfo.ch në një dosje prej disa tekstesh, të gjitha kushtuar  turizmit në Shqipëri.
Christian Zindel udhëheq grupin e tij prej 20 vetash, të shumtën njerëz të moshës së pensionit,  të interesuar për kulturën, për vendgërmimet greke, ilirike romake dhe spartane. Veç këtyre ata vizituan edhe qytetet e vogla Gjirokastër dhe Berat, të cilat në saje të ruajtjes së mirë të pamjes osmane të qytetit, prej pak vitesh bëjnë pjesë në trashëgiminë kulturore botërore të UNESCO-s. Vizitohet edhe vendgërmimi shqiptaro-zviceran në Orikum, në Gjirin e Vlorës, në të cilin ka punuar arkeologu zviceran Zindel.
Grupi udhëton nëpër Shqipëri, me autobusin e drejtuar nga një shofer lokal,me njohuri për vendin, i cili i njeh rreziqet dhe cilësinë e rrugëve shqiptare. Së bashku me ne është edhe shqiptari 33 vjeçar Sokol Lahi, i cili flet gjermanisht dhe anglisht. Ai merret me organizimin e shujtave, kujdeset për hyrjen nëpër muzeume dhe ndërmjetëson kur nuk ecën ndonjë gjë me bujtjet në hotele.
Por Shqipëria vazhdon të vuajë nga imazhi i saj i keq. Fajet për këtë i kanë mediet, që tregojnë vetëm njërën anë të medaljes. “E qartë, ka korrupsion dhe nepotizëm. Që nga kthesa politike vendi me vështirësi po ecën përpara. Mirëpo sikur kudo, edhe këtu jetojnë njerüz me kultura të ndryshme dhe njerëz normalë, të mirë e të këqinj.”.
Se për Shqipërinë ekzistojnë shumë klishe dhe rezerva, e vërteton edhe Beatrice Holzwarth nga Therwil, Baselland. Ajo ka ardhur me bashkëshortin për herë të parë në Shqipëri. Edhe ajo kishte pasur paragjykime të caktuara.
 
Zindel: Turizmi masiv në Shqipëri ka pak shanse
 “Tash jam e befasuar shumë pozitivisht. Vendi nuk është i rrezikshëm për turistët dhe ne si udhëtarë nuk përjetojmë asgjë që lidhet me korrupsionin”. Sipas zonjës Holzwarth, udhëheqëse personeli në një firmë farmaceutike të Bazelit, Shqipëria është e pakrahasueshme me vendet tjera evropiane- “Ajo ka diçka burimore, origjinale. Njerëzit të cilët i kam takuar janë të natyrshëm, kureshtarë dhe nuk shtiren. Dhe, ata janë krenarë për vendin e tyre”, thotë ajo.
Kushdo që udhëton nëpër Shqipëri, nuk mund as të mos i shohë dhe as t`i injorojë: bunkerët nga koha e Enver Hoxhës. Ata, simbole të kohës së luftës së ftohtë dhe të izolimit të Shqipërisë,  qëndrojnë nëpër fshatra dhe qytete, në kopshte dhe vreshta, në kodra dhe male ose buzë detit... Dhe, po, madje edhe nëpër varreza mund t`i shikosh ata.
Zindel, i cili që në vitin 1989, në kohën e komunizmit, kishte organizuar udhëtimet e para në Shqipëri e shikon me skepticizëm bumin e ndërtimeve pa kriter. “Shqipëria është bërë shumë perëndimore. Por ajo nuk është alternativë për plazhet e bukura greke ose italiane, siç mund të menodjnë shumë zviceranë. Shqipëria nuk mund ta ofrojë këtë, ajo luan në një ligë tjetër nga ajo e Greqisë”.
Turizmi masiv nuk do të ketë sukses këtu, por prandaj kemi shansin e tipeve tjera të turizmit si hiking, alpinizëm ose turizëm kulturor. Fundja, Zindel nuk e sheh si tragjik dështimin e Shqipërisë që të zhvillojë turizmin masiv. Pasi që ky turizëm është thikë me dy teha. “Ai shkatërron shumëçka, po ashtu edhe një pjesë të madhe të identitetit nacional”, sipas tij.
Zindel, i mishëruar tashmë me Shqipërinë, thotë se është kundër „konsensusit të gjerë për të mbuluar të kaluarën komuniste. „Është një parakusht i keq që një brez i tërë të mohojë një pjesë të jetës së vet, të historisë, identitetin e tij. Asnjë njeri nprmal nuk mund të përballojë nëse detyrohet të shlyejë një pjesë të jetës“.
Shqipëria ende “nuk është në radarët turistikë”
Duke folur për turistët zviceranë  në Shqipëri, swissonline.ch thotë se Shqipëria nuk është ndonjë vend turistik me peshë për zviceranët. Ndonëse ofrohen disa udhëtime speciale për atje, operatorët e mëdhenj turistikë, si Kuoni dhe Hotelplan, për shkak të kërkesave të vogla, ende nuk e kanë futur Shqipërinë në programet e tyre. As për të ardhmen e afërme nuk janë planifikuar udhëtime turistike atje.
Shqipëria, vendi i shkëputur për dekada nga bota, i hapur vetëm në këto 20 vitet e fundit, dëshiron të pozicionohet si një destinacion turistik.
“Shqipëria nuk është akoma në radar, por me bregdetin e saj shumë të bukur, me historinë e saj, me gërmadhat mijëvjeçare, me malet dhe me natyrën e paprekur paraqet potencial të madh“, thotë Alexander Wittwer, ambasador i Zvicrës ne Tiranë.
Është rritur para së gjithash fluksi i turistëve nga vendet fqinje si Kosova, Maqedonia dhe Mali I Zi. Por edhe turistët nga Greqia, Italia, Gjermania, Polonia etj.  mund t`i takosh shpesh, në grupe. Ndërsa udhëtimet individuale turistike janë të rralla, edhe pse operatori turistik Lonely Planet e ka futur në vitin 2011 Shqipërinë në mesin e top destinacioneve turistike të botës.
Më tutje duke folur për rrugët në gjendje jo të mirë, për vështirësitë në komunikacion, hekurudhën pothuaj jo funksionale etj. Swissinfo megjithatë shton: këto ankesa harrohen shpejt, pasi që kudo takon njerëz të përzemërt dhe kureshtarë, që interesohen për turistët nga jashtë.
Diçka që i bie në sy çdo të ardhuri rishtas në Shqipëri është numri i madh i mercedesëve , që janë të kudogjendshëm, në fshatra dhe në qytete. Mund të shtrohet pyetja se si mund të përballojë njëri ndër vendet më të varfra të Evropës këto automjete të shtrenjta dhe sa prej tyre janë të vjedhura?! Në njëfarë mënyre duket se njerëzit në Shqipëri ndjejnë nevojën e kompensimit, për 40 vjetët nën diktaturën e Enver Hoxhës kur ndalohej pronësia mbi çfarëdo automjeti privat.

 

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

22398

Comments (11)

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.