Error
  • Error loading component: com_media, 1
  • Error loading component: com_media, 1

Kalaja e Lezhës, Shkreli e Tare: Projekti gjysmak, të anulohet

on Tuesday, 04 March 2014. Posted in Lajme

Projekti i miratuar më herët për të rivitalizuar kalanë e Lezhës, nuk mund të vihet në jetë dhe duhet anuluar

Kalaja e Lezhës, Shkreli e Tare: Projekti gjysmak, të anulohet
Fatmira Nikolli
Kjo është pak a shumë ajo çfarë thonë dy njohës të mirë të trashëgimisë, Artan Shkreli dhe Auron Tare. Dje, “GSH” botoi një artikull së bashku me foto të sajtit të kompanisë “Schnell” sh.p.k që e ka marrë me qira kalanë. Sipas fotografive, mësohet se kompania pretendon të ngrejë aty kompleks turistik(!), ndërsa shteti pretendon se do të rijetëzohet kalaja. Ndërkohë, kompania qiramarrëse ka nisur të mbrojë “tokën” e vet, duke hedhur në gjyq për gërmimet e bëra, edhe arkeologen Etleva Nallbani, paçka se kjo e fundit lejen e kish marrë nga institucionet shtetërore. 

Reagimet 

Artan Shkreli, pjesë e Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë, njëherazi këshilltar i kryeministrit të vendit, Edi Rama, u shpreh dje për “GSH” se vendimi miratues për projektin, i marrë nga Ministria e Kulturës në qeverinë “Berisha”, ka qenë gjysmak. “Vendimi i marrë më herët është gjysmak dhe projekti i qiramarrësit nuk mundet të vijojë, pa kaluar edhe njëherë në KKR”, - u shpreh Shkreli. Ndërkaq, sa i takon kallëzimit penal bërë ndaj arkeologes Etleva Nallbani, që e ka gërmuar kalanë, Shkreli shprehet se prokuroria, duke e parë kërkesën e qiramarrësit të pavend, e ka pushuar çështjen. 
Një tjetër anëtar i Forumit të Trashëgimisë, Auron Tare, aktualisht mban detyrën e Drejtorit të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, del kundër projektit. “Personalisht, çështjen e kalasë së Lezhës e shikoj me shumë shqetësim për disa arsye. E para, sepse projekti i ndërhyrjeve në kalanë e Lezhës, bie ndesh me të gjitha kartat dhe parimet e restaurimeve europiane. Për më tepër ai është bërë nga një arkitekt të cilit i është hequr licenca e ushtrimit të aktivitetit. Ky projekt e dëmton rëndë integritetin e kësaj kalaje dhe ka si qëllim të ndërtojë brenda saj një hotel, restorant, pishinë dhe fushë tenisi”, - shprehet Tare për “GSH”. 
Sipas tij, një ndërhyrje e tillë do të shkatërrojë përfundimisht çdo gjurmë të historisë së kësaj kështjelle, e jo vetëm kaq, por historia shqiptare do të humbasë mundësinë e studimit shkencor të vazhdimësisë së kulturës ilirike dhe ndërhyrjes së kulturave të tjera në trojet arbërore. 
“E dyta, sipas Tares, ka të bëjë me faktin që, “rasti i Lezhës është një nga krimet më të mëdha të bëra nga profesorët e këtij vendi. Të gjithë ata që kanë firmosur për këtë projekt, duhet ta dinë mirë se ky është një krim kundër kulturës shqiptare”. 
Ai sjell në vëmendje edhe një arsye të tretë, se pse e sheh me shqetësim faktin se si ish-Ministria e Kulturës ka marrë në qafë një firmë private duke e futur në ujëra shumë të turbullta dhe, nga ana tjetër, ka krijuar konflikte me Shkollën Franceze të Romës, një institucion shumë i rëndësishëm i kulturës europiane. 
Përpos kësaj, Tare sheh me shumë shqetësim se kultura e pandëshkueshmërisë së atyre që kanë dëmtuar rëndë trashëgiminë shqiptare ka hedhur rrënjë të forta në administratën tonë. 
“Për vite me radhë, jo vetëm unë, por të gjithë anëtarët e Forumit të Trashëgimisë kanë denoncuar rast pas rasti dëmtimet e monumenteve kombëtare. Kemi denoncuar edhe ata që me paratë e taksapaguesve shqiptarë me tendera të dyshimta kanë vjedhur dhe dëmtuar trashëgiminë. Nuk po shohim deri më tani asnjë person apo firmë ‘restauruese’ të japë llogari përpara publikut”, thekson ai, duke shtuar se nuk po sheh madje asnjë punonjës të shtetit të ngarkuar me ruajtjen e monumenteve që ka abuzuar me to të përgjigjet para drejtësisë. “Dëshiroj të ngre pyetjen: Teksa të gjithë themi se Trashëgimia jonë Kombëtare është në buzë të greminës, nuk po përgjigjet njeri se kush e ka shkatërruar këtë Trashëgimi? A do mbajë përgjegjësi dikush? A do mbajë njeri përgjegjësi për ato miliona euro që janë zhdukur në restaurime skandaloze?”, - pyet Tare. 
Në fund ai e mbyll prononcimin e tij me këto fjalë: 
Nëse askush nuk përgjigjet publikisht dhe penalisht, atëherë, o trashëgimia është normale dhe të gjithë ne kemi gënjyer, o ata që janë përgjegjës për Trashëgiminë nuk kanë dëshirë të merren me këtë punë”. Kjo, në fakt, mbetet për t’u parë. Në fjalime, trashëgiminë e duan të gjithë, e më pas, kur vjen puna te veprat, radhët mbeten bosh.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

28909

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.