Tetori gjerman vjen në edicionin e shtatë

on Thursday, 26 September 2013. Posted in Lajme

Koncerte rroku dhe muzikë klasike, teatër dhe mbrëmje letrare, ekspozita e shumë aktivitete të tjera, përfshihen në axhendën kulturore të “Tetori gjerman”.

Tetori gjerman vjen në edicionin e shtatë

Koncerte rroku dhe muzikë klasike, teatër dhe mbrëmje letrare, ekspozita e shumë aktivitete të tjera, përfshihen në axhendën kulturore “Tetori gjerman”. Dje, në një konferencë të organizuar nga ambasada gjermane, përfaqësues dhe organizatorë kanë deklaruar se janë planifikuar aktivitete për të gjithë ata që kanë ndër interesat e tyre kulturën. “Ne dëshirojmë të bashkojmë dhe argëtojmë njerëzit. ‘Tetori gjerman’ është shndërruar tanimë në një traditë fikse në Shqipëri dhe është kënaqësi që edhe për këtë vit, mundëm së bashku me partnerët tanë të hartonim një program kaq të larmishëm”, deklaroi ambasadori gjerman, Hellmut Hoffmann në prezantimin e programit dje. Sipas tij, me këto aktivitete të shumta, ambasada gjermane fton bashkërisht shqiptarë dhe gjermanë të njohin më mirë njëri-tjetrin. “Tetori gjerman” shënon këtë vit edicionin e shtatë

Në fokus vihen projekte që kapërcejnë kufijtë dhe bashkojnë njerëz nga të dy vendet. Pikërisht kjo ndodh kur grupi i rrokut berlinez “Samavayo” të dalë turne në Shqipëri, kur pianisti shqiptar Desar Sulejmani dhe sopranoja gjermane Caroline Merz, të organizojnë kursin e tyre me studentët e përzgjedhur shqiptarë apo kur Katharaina Horn të tematizojë sfida ndërkulturore të bashkëjetesës së një çifti gjermano-shqiptar në shfaqen e saj teatrale “Extreme Makeover”. Pjesë e “Tetorit gjerman” do të jetë dhe ekspozita fotografike “Elektrifikimi i së përditshmes”, e cila do të hapet më 27 tetor në Muzeun Historik Kombëtar. Në të do të ekspozohen fotografi të realizuara nga fotografi gjerman Florian Bachmeier dhe etnologu dr. Eckehard Pistrick. Duke u mbështetur në intervista etnografike, materiale të marra nga Arkivi i Shtetit Shqiptar dhe në materiale arkivore private të papublikuara më parë, kjo ekspozitë tregon në mënyrë mbresëlënëse, se si energjia elektrike ka ndryshuar jetën e përditshme të shqiptarëve duke nisur prej viteve ‘60. Fotografitë e realizuara nga Florian Bachmeier paraqesin jo vetëm fushatën komuniste të elektrifikimit të vendit të para më shumë se 40 viteve, por të sjellin ndër mend me portrete mbresëlënëse njerëzit dhe fatet dramatike të elektricistëve dhe punëtorëve, të cilët elektrifikuan atëherë Shqipërinë rurale në emër të progresit dhe komunizmit.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

23876

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.