Shkodra, vendi i gjenezës

Shkodra, vendi i gjenezës

Written by Irhan Jubica on Monday, 12 March 2012. Posted in City Guide

Ju josh edhe një herë bukuroshja e ujrave...

Shkodra, vendi i gjenezës

Shkodra është ndoshta, palca e kurrizit për Shqipërinë; aq genuin e i pazëvendësueshëm është kontributi i këtij qyteti në botën shqiptare, në historinë antike e moderne, në sport e kulturë, në idealizëm e civilizim. Qysh prej Teutës te Marie Kraja, prej Barletit te Fishta e Migjeni, prej Pjetër Marubit te Serafin Fanko, e prej Oso Kukës te Vojo Kushi e Arben Broci, e prej secilit burrë e grua të atij qyteti e deri te zogjtë e Shkodrës të shpërndarë në katër anët e botës, Shkodra ka përcaktuar gjithmonë drejtimet. Kaq do të ishte mjaft për ta nisë me Shkodrën paraqitjen e qyteteve shqiptare në revistën Travel. Mirëpo Shkodra është një qytet unikal në Shqipëri edhe për pozicionin gjeografik: i shtrirë mes tre lumenjve (Kir, Drin, Bunë) dhe Liqenit të vet, qyteti është gjithashtu vetëm pak kilometra nga deti Adriatik, e po ashtu, pak orë larg nga zemra e Alpeve Shqiptare, Thethi. Me një lartësi mesatare prej 10-12m mbi nivelin e detit, mbi trup të Shkodrës ngrihen kodra të buta e të gjelbëruara, që pastrojnë ia mushkëritë qytetit. Prandaj, i dashur vizitor, kur të nisesh për në Shkodër, do të të duhet kohë, sepse Shkodra s’është dashnore për një natë, por shtojzavallja që t’i merr mendtë e të shplodh në një muaj mjalti.

Gjeografia e klima

Shkodra shtrihet në një fushë të gjerë në veriperëndim të Shqipërisë, në kordinatat gjeografike: 190 30’ 42” (gjerësi) dhe 450 03’ 05” (gjatësi) dhe me sipërfaqe të përgjithshme mbi 16.000 ha (16 km2). Qyteti rrethohet nga ujërat e lumenjve dhe liqenit. Kështu: nga lindja me një rrugëtim 43 km vjen Kiri, i cili tretet në Drin në jug të qytetit, ndërsa Drini vetë bashkohet me Bunën –i vetmi lum i lundrueshëm në Shqipëri - që derdhet në detin Adriatik pas 44 km gjarpërimi nëpër fushën e Nënshkodrës. Në perëndim dhe veriperëndim më i madhi në Ballkan shtrihet Liqeni i Shkodrës, me thellësi nga mesatare 7-10 e maksimale 44 m, e me sipërfaqe totale 369 km2, e cila ndahet mes Shqipërisë (149km2) dhe Malit të Zi. Vija e bregut të liqenit është e barabartë me atë të vijës bregdetare të plazhit të Velipojës: mbi 14 km. Sa i takon kodrave, ato e rrethojnë qytetin nga ana lindore dhe jugore, në lartësi nga 110 deri në 130. Më e famshmja është kodra e Kalasë Rozafa, në jugperëndim. Më tej, në horizont ngihet Cukali (1.722 m), Maranaj (1.576 m), Sheldia (mali Sardonik i Barletit; për nga Shurdhahu) dhe Taraboshit (rreth 700 m) në perëndim dhe deti Adriatik. Në një rreze prej 45 km mund të arrihen ranishtet në Adriatik, shëtitjet e alpinizmi në Alpe, e kanotazhi nepër lumenjtë e tyre si Shala e Cemi.

Klima e Shkodrës është mesdhetare fushore, me gërshtime të natyrave detare e kontinentale.  Dimri është i butë dhe i laësht, vera e nxehtë dhe e thatë. Temperatura mesatare vjetore është 15.3° C.  Ka rreth 2600 orë me diell në vit, ndërsa rreshjet e shiut shkojnë nga 1700-2500 mm në vit. Lagështia e ajrit 66%, ndërsa shpejtësia e erës 25-45 m/s.

Popullsia, njerëzit Popullsia e qytetit të Shkodrës është homogjene. Duke konsideruar shtimin natyral që pas regjistrimit të vitit 2003, qyteti mund të ketë aktulisht mbi 115.000 banorë. Rritjen më të ndjeshme ajo e ka arritur pas vitit 1960, rrjedhim i rritjes natyrale, 18/00 të popullsisë dhe i lëvizjes nga fshati në qytet. Dendësia mesatare e popullsisë arrin 135 banor/km2 . Jetëgjatësia mesatare rreth 70 vjeç. Popullsia qytetare arrin 44 %. Nga ana administrative, Shkodra është qendër e prefekturës (qarkut), e cila përfshin edhe rrethet e Pukës e të Malësisë së Madhe. Rrethi i Shkodrës ka në administrim dy bashki dhe 16 komuna.

Njerëzit në Shkodër janë shumë të komunikueshëm, me humor e tepër dashamirës. Edhe pse qyteti bën pjesë në njërën prej zonave më të varfëra të Shqipërisë, shkodranët janë bujarë, mikpritës dhe harxhues të mëdhenj, aq sa përshtypja e përgjithshme është se shkodranët janë të dhënë pas qejfit. Ata nuk shfaqin shenja racizmi, ksenofobie, intolerance fetare apo politike, pavarsisht se prej kohësh qyteti nuk ka ndërruar ngjyra politike. Shkodranët janë ngandonjëherë indiferentë me njëri-tjetrin, por bëhen shpejt solidarë edhe me të huajt, sa herë paraqitet nevoja.

Transporti e kostot Shkodra ka rreth 120 km rrugë të brendshme. Vetë qyteti ndodhet rreth 99 km larg Tiranës, lidhet me Kosovën nëpërmjet rrugës së Kukësit, 170 km, me Malin e Zi nëpërmjet rrugës veriore Shkodër-Hani i Hotit - 40 km, nëpërmjet rrugës Shirokë-Zogaj - 16 km dhe rrugës së Muriqanit - 15 km. Me Alpet e Veriut lidhet nëpërmjet rrugëve: Malësi e Madhe - 65 km, Dukagjin - 40 km, Pult - 30 km, Shllak - 25 km, Vig - 40 km. Shkodra është larg Razmës rreth 42 km, larg Bogës 48 km. Larg Velipojës 29 km. Dhe fare pranë ka Shirokën dhe Zogajt me 3-9 km. Shkodra është e lidhur me rrjetin e brendshëm hekurudhor si dhe me atë ndërkombëtar nëpërmjet Stacionit të Hanit të Hotit - 35 km. Qyteti lidhet me Portin e Durrësit me rrugë automobilistike, 131 km, me portin e Shëngjinit - 55 km dhe me aeroportin e Rinasit - 95 km. Transporti publik brenda qytetit mbulon linjën Bahçallëk-Fermentim. Transporti i udhëtarëve ndërmjet qytetit të Shkodrës dhe shumicës së komunave mbulohet nga mjetet e transportit te udhëtarëve të tipit furgon.

Shërbimi postar në Shkodër realizohet nga Posta Shqiptare, e cila kryen dërgim dhe marrje për letra, koli, shtypshkrime, urdhra dhe pagesa ndërkombëtare me disa shtete, këmbim valute etj. Në Shkodër ekzistojnë dhe shërbimet postare të DHL dhe UPS, si dhe transfertat e parave Western Union, Moneygram etj.

Origjina e historia SΚΟΔRΙΝΩΝ (latinisht Scodra), mund të interpretohet si shko Drin (shko Drinon). Tjetër variant është ai i turqve, që të befasuar nga betejat e luftëtarëve vendas, menduar se shkodranët ishin pasardhësit e Aleksandrit të Madh (Skënderi, sipas tyre) dhe e quajtën qytetin me emrin İşkodra ose Işkenderiyye. Megjithatë, zona përreth vendit ku shtihet qyteti është banuar që në kohët parahistorike, sepse janë gjetur gjurmë të paleolitit të mesëm, ndërsa që nga neoliti gërmimet kanë zbuluar vazhdimësi jetese që vjen deri në ditët tona. Këto gjetje arkeologjike ruhen në Muzeun e qytetit etj. Qyteti vetë është ndërtuar përgjatë shekullit IV p.k. Rrëzë kodrave të Tepes, në jug të qytetit, materialet arkeologjike fillojnë nga Bronxi i hershëm (2000 p.k). Në shekullin V - IV p.k. filloi ndërtimi i kalasë me gurë ciklopike të puthitur pa llaç. Në atë periudhë treva banohej nga fisi Ilir i Labeatëve. Në këtë kohë qyteti merr një zhvillim ekonomik, gjë që dëshmohet nga prerja e monedhës në qytetit me emrin Scodrinon që në vitin 230 p.k. 

Sllavët e bëjnë kryeqendër  shtetit të Zetës në shek. Xl. Në shekullin XIV, qendër autonome dhe në vitin 1360 bëhet kryeqendër e Principatës Balshaj. Më 1396 kalon nën sundimin e Republikës së Venedikut.  Mbas vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti, në vitin 1479 Sulltan Mehmeti II rrethon Shkodrën me 100.000 ushtarë, si qyteti i fundit shqiptar i pa pushtuar. Mbrojtja vazhdoi mbi shtatë muaj nga një garnizon prej 1.600 vetash i cili u dorëzua me kusht. Kjo qëndresë u përshkrua nga historiani i parë shqiptar dhe dëshmitar i kësaj ngjarjeje, shkodrani Marin Barleti. Libri i tij "Rrethimi i Shkodrës" u botua në Perëndim në vitin 1504. Në shekullin XVIII bëhet qendër e Pashallëkut të Bushatlive. Më 1787, Mahmut Pasha i Bushatlive tentoi të krijojë një principate të pavarur shqiptare, por u shtyp nga turqit. Më 1865 kalaja braktiset si banim, sepse lumi Drin ka ndryshuar shtratin. Më 1878 Shkodra ndihmon Lidhjen e Prizrenit duke dërguar ushtritë e saj në shtritë mbrojtjen e trojeve shqiptare të Plavës, Gucisë, Hotit, Grudës, Ulqinit e Tivarit. Në dimrin e 1912-1913, për gati 7 muaj, Shkodra e udhëhequr nga komandanti turk Hasan Riza Pasha, i bën ballë sulmit çnjerëzor të ushtrisë malazeze. Më pas, edhe austriakët e pushtojnë qytetin përpara se Kongresi i Lushnjës i 1920 ta përfshijë Shkodrën në juridiksionin e shtetit të ri shqiptar. Deri përpara pushtimit fashist, qyteti ishte një industri kryesisht ushqimore dhe të çimentos, por ardhja në pushtet e komunistëve pas Luftës së Dytë Botërore, i dha Shkodrës në goditje të rendë, sidomos në planin kulturor e shpirtëror. Ironia e regjimit shkoi deri në hapjen në Shkodër të të vetmit Muze Ateist, pak kohë pas mbylljes me forcë të institucioneve fetare dhe persekutimit të klerit. Megjithatë, ishte po Shkodra, që më 4 nëntor të vitit 1990, çoi meshën e parë, 23 vjet pas ndalimit të fesë, meshë e cila është cilësuar si paraprijëse e ndryshimeve demokratike në Shqipëri.

Kultura e trashëgimia Shkodra i ka paraprirë qytetërimit shqiptar duke qenë në të njëjtin hap me qytetërimin botëror. Mendjet e ndritura nga ky qytet kanë shkruar gjuhën e historinë, kanë lëvruar artet e dijet e kohëve, aq sa përkufizimi më i rëndomtë për Shkodrën është “djepi i kulturës”. Në Shkodër nisin të shkruhen librat e parë, të këndohen këngët e para, të luhen dramat e para, të bëhen fotot e para, të shfaqen filmat e parë, të luhet së pari futboll, të dëgjohen pianot a para nëpër shtëpija, të kompozohen operat e para,… Gjenezë. Shkodra është gjeneza.

Në Shkodër u formuan humanistët e parë Marin Barleti e Marin Biçikemi. Në vitet 20-30 të shekullit XX, letërsisë i vijnë si Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Migjeni e Ernest Koliqi. Në fillim të shekullit XX, Shkodra kishte 26 piano. Koncerti i parë sinfonik i dhënë në Shkodër ka qenë “Sinfonia e pambaruar” e Shubertit. Pikërisht në Shkodër, më 1958, u vu në skenë opera e parë shqiptare, “Mrika” e kompozitorit Prenkë Jakova, e ndër pitorët më të shquar është Kolë Idromeno.

Aktualisht, Shkodra ka shumë monumente e institucione të kulturës, arsimit e besimit, sipas periudhave. Të periudhës së antikitetit e mesjetës janë: Kalaja e Rozafës, muri rrethues i qytetit antik (i periudhës romake), Muzeu i kështjellës, Kisha e Shën Shtjefnit dhe Kisha e Zojës së Shkodrës, Xhamia e Plumbit, Sahati i Inglizit, Ura e Mesit. Ndërsa në pjesën e re të qytetit janë këto objekte kulti e institucione fetare, disa të ringritura pas viteve ‘90: Xhamia "Ebu Beker", Xhamia e Perashit, Katedralja e Shkodres, Kisha françeskane, Kisha orthodokse, Medreseja "Sheh Shamia", Seminari Ndërdioqezan Shqiptar, Kolegji Françeskan, Shkodër, ish-kolegji saverian, Gjimnazi "At Pjetër Meshkalla", Instituti Katekistik Shqiptar etj.  Ndër institucionet arsimore dhe kulturore përmendim: Universitetin "Luigj Gurakuqi" i themeluar më 1957, Bibliotekën "Marin Barleti", Fototekën unikale "Marubi", Teatrin Migjeni, Muzeun e Qytetit etj. Shkodra ka gjithashtu stadiumin “Loro Boriçi”, i dyti në vend për nga madhësia.

 Për të vizituar

Qyteti i Shkodrës falë vlerave që mbart, por edhe falë shtrirjes në mes të një diversiteti të jashtëzakonshëm natyror, vizitohet nga turistët gjatë gjithë vitit dhe ofron turizëm të shumllojshëm, nga ai kulturor, historik, bregdetar, liqenor, lumor e malor e i aventurës, që nga Velipoja në Adriatik, Shiroka e Zogaj buzë liqenit, Sarda në Vaun e Dejës e deri në Razëm, Shkrel, Bogë e Theth, në Vermosh, nëpër Malësi e shumë pika të tjera. 

Kalaja Rozafa /200 lekë Kalaja Rozafa është monumenti historik më i vjetër. Ngrihet mbi një kodër strategjike, në takim të lumenjve Drin e Buna në jug e me pamje të lirë mbi Liqenin e Shkodrës në veriperëndim, për të kontrolluar fushën nga deti në perëndim, si dhe në lindje, kalimin në thellësi të vendit e të Ballkanit. Legjenda thotë se kalaja u ndërtua nga tre vëllezër: që ajo të qëndronte në këmbë, ata u detyruan të murosnin gjallë gruan e vëllait më të vogël, e cila pranoi të sakrifikohej, duke kërkuar që t'i linin pa u murosur gjirin e djathtë për të ushqyer fëmijën dhe dorën për ta përkëdhelur e përkundur djepin. Gërmimet arkeologjike tregojnë se kalaja është një nga vendbanimet e hershme të pellgut të Shkodrës, i banuar rreth 4000 vjet më parë. Brenda mureve rrethues ka një sipërfaqe rreth 3.5 km2. Perimetri i mureve është 881 m. Kështjella ndahet në tre oborre. Më i rëndësishmi është i fundit ku kishte qendrën kapiteneria, ose rezidenca e guvernatorit, e ndërtuar nga venecianët në fillim të shek. XV. Në sistemin fortifikues një rol të rëndësishëm luan sistemi i kalimeve të fshehta, të nëndheshme. Në vitet ’80, kalasë i është bërë një restaurim i përgjithshëm. Brenda mureve antike ka edhe një muze, kushtuar historisë dhe legjendës së kalasë. Deri te porta kryesore mund të shkohet me makinë, përmes një rruge pjesërisht të asfaltuar e pjesërisht me kalldrëm.

Ura e Mesit, ngrihet mbi lumin Kir, pranë fshatit Mes, rreth 6 km larg qytetit të Shkodrës. U ndërtua nga Mehmet Pashë Bushati në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Ura është e gjatë 108 m, e gjërë 3.4 m dhe përbëhet nga 13 harqe guri. Harku më i madh ka hapësiren 21.5 m dhe lartësi 12 m. Ajo deri vonë ka shërbyer për të lidhur qytetin e Shkodrës me Drishtin.

Hamami i qytetit, fare pranë qendrës së tij, është një banjo publike e ngritur në vitin 1793, me skemë të plotë funksionale. Pjesa kryesore është ajo me kupolë, që përbëhet nga mjedisi i zhveshjes, ai i djersitjes, nga dy të tjera për larje, si dhe depozita e ujit, nën të cilën është vendosur furra.

 Rruga karakteristike. Është ndërtuar në fillim të shekullit të XX. Bën pjesë në zonën muzeale të qytetit. Ajo ruan vlera të rëndësishme të veprimtarisë ndërtimore të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX dhe është dëshmi e zhvillimit ekonomik të qytetit për atë periudhë.

Shtëpitë karakteristike. Në mesin e shekullit XIX në qytetin e Shkodrës fillojnë të ndërtohen banesa me çardak me disa variante (me çardak në të gjithë ballin e me çardak në një krah).

Muzeu historik. Muzeu është vendosur në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka.

Fototeka “Marubi” /150 lekë Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern. Në vitin 1971, u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi”. Aty gjenden mijëra portrete, kompozime, peizazhe, reportazhe etj., ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, pjesë të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës etj.

Galeria e arteve Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Ajo, në fondet e saj, përfshin vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.

Universiteti “Luigj Gurakuqi” U themelua më 25 maj 1991 mbi bazën e Insititutit të Lartë Pedagogjik të hapur më 2 shtator 1957.

Teatri “Migjeni” Teatri profesionist u krijua më 1949 mbi bazën e teatrit amator. Trupa teatrore ka vënë në skenë shumë vepra të repertorit kombëtar dhe të huaj, autorë klasikë e bashkëkohorë. Veç trupës së teatrit funksionon edhe ajo e estradës, e cila me humorin e hollë, është bërë e dashur për vendësit. Ajo qëndron pranë humorit tradicional të tavolinave shkodrane, të bejtave, karnavaleve që i kanë dhënë emrin “Qyteti i humorit”.

Monumente natyrore të qytetit

Olistolitet e Kodrës së Tepes  Gjenden në kodrat Tepes pranë qytetit. Janë dy blloqe gëlqerore të zonës tektonike të alpeve, të vendosura mbi flishin paleologjenik (1200 m2), 10-15 m lartësi. Vizitohen sipas rrugës për në kalanë e Rozafës.

Mbihipja tektonike e Shirokës  Ndodhet pranë fshatit Shirokë, ku Taraboshi (zona tektonike e Alpeve) ka mbihipur mbi flishin paleogjenit të Krastë-Cukalit. Vizitohet sipas itinerarit Shkodër-Ura e Bunës-Shirokë.

Rrepet e Varrezave të Ramajt Ndodhen në varrezat e Rrmajve në lindje të qytetit, 10 m mbi nivelin e detit. Janë drurë me lartësi 25-30 m, diametër të trungut 1,5-2 m, perimetër rreth 6-7 m, ndërsa i kurorës mbi 30-40 m.

Çinari i Hoxhë Dheut Dru rrapi 150-vjeçar. Ndodhet në zemër të qytetit, kohët e fundit i përfshirë në një zonë të restauruar. “Hoxhë Dheu”, ishte titulli që mbante pajtuesi i gjaqeve. I pari i Hoxhajve, pas thirrjes së Çinarit, porositi një mik nga Postriba që t’i sillte fidanin dhe e mbolli.

Çinari i Tophanës Dru rrapi 160-vjeçar. Ndodhet në lagjen me të njëjtin emër, një ndër më të vjetrat në qytet. Vendi ka qënë pikë takimi e i kuvendeve për banorët.

Jashtë e brenda Shkodrës

Velipoja  Në JP të qytetit të Shkodrës, 29 km larg, shtrihet plazhi i bukur i Velipojës, me gjatësi 14 km e me gjërësi rreth 300 m, që krijon mundësi të shumta për shfrytëzimin turistik. Ky bregdet është një perlë e natyrës shqiptare, ku gërshetohen aq harmonishëm deti, lumi, plazhi, pylli, laguna e mali, me një rërë të pasur e të pashfrytëzuar, ujë të kulluar, me një rezervat gjuetie. Velipoja është plazh i ri me vlera kurative dhe me kushte klimatike të favorshme, ku vërehen rreth 100 ditë me temperaturë mbi 25° C. Nëse ju preferoni të pushoni në plazhin e Velipojës, ai të afron mundësi të shumta argëtimi, aty mund të laheni, të bëni shetitje me varkë, të gjuani lepuj e derra të egër, fazana e rosa të egra etj. Për amatorët e peshkimit, deti e lumi i Vilunit pranë plazhit, të afrojnë mundësi peshkimi për qefull e levrek.

Në shërbim të turizmit vitet e fundit janë ngritur disa hotele, kabina e mjaft shtëpi luksoze me komoditetet e nevojshme. Rrjeti tregtar është në nivelet e kërkuara. Restorantet të afrojnë meny të kuzhinës evropiane, tradicionale shkodrane e sipas kërkesave. Është organizuar edhe shërbimi komunal, shëndetësor e ai i Postë-Telekomunikacionit. Ky plazh shfrytëzohet edhe si plazh ditor nga banorët e qytetit e të zonave pranë saj.

Rezervati i Velipojës Ky rezervat ka sipërfaqe 694.5 km 2 . Aty gjënden katër këneta të mëdha. Ky rezervat ka 182 ha pishë e plep kënete. Rosat e shumëllojta, e sidomos kryekuqet, janë objekt gjuetie. Në pyll takon kafshë të ndryshme si turtuj, gugashë, lepuj, çakej, dhelpra etj. Këneta, bimësia e shpendët përbëjnë një nga vlerat e rralla në Shqipëri. Aty ruhen të qetë, në gjendje spontane, natyrore.

Razma Në rrëzë të malit të Veleçikut, rreth 41 km larg qytetit të Shkodrës, ndodhet një nga vendet më të bukura dhe me klimë të shëndetshme të Alpeve, Razma. Këtu, në mes të pishave, lëndinave, kullotave alpine e peizazheve malore, është ndërtuar një kompleks banesash të tipit alpin. Në këto mjedise, vizitorët gjejnë vend të përshtatshëm për ekskursione alpinistike, për ndeshje sportive, gjuetie etj. Në Razëm prania e vizitorëve është gjithëvjetore, pasi, përveç verës, ajo është tepër e lakmueshme edhe në dimër kur çdo gjë e mbulon dëbora. Rruga automobilistike, rrjeti i nevojshëm tregtar e restorantet janë të një niveli të mirë.

Thethi Në VL të qytetit të Shkodrës, rreth 80 km larg, në zemër të Alpeve, ndodhet fshati piktoresk i Thethit. Rruga për atje gjarpëron mes pyjesh e peizazhesh mahnitëse. Gjithandej të sheh syri veç kreshta dhe maja që ngrihen mbi luginat e ngushta, plot me pragje e ujëvara. Pasuria shpirtërore e veçantë, për çka flasin dhe gojëdhanat, legjendat e mitet, janë disa nga pasuritë etnokulturore të veçanta, që ruhen e përcillen brez pas brezi, në këto lugina e shpate malesh. Në qiellin e pastër të Thethit shihen të fluturojnë shqiponjat e malit, ku kanë edhe foletë, në lumin e Shalës lëvizin troftat (peshk aq i veçantë me shije të rrallë), kurse shpatet e maleve janë të veshura me pyje shekullore, ku strehohen dhjetëra kafshë të egra, si: arinjtë, kaprojtë, zardafët, ujqit, dhelprat, dhitë e egra dhe shpend nga më të bukurit.

Thethi ka pamjen e një pellgu 800 m mbi nivelin e detit. Është vendosur midis një kurore majash të thepisura si, Radohima, Maja e Arapit, Maja e Alisë, të cilat spikasin për bukuritë e rralla në gjithë Alpet. Përmes fshatit rrjedh lumi i Shalës, i rrëmbyeshëm, me ujë të bollshëm, i pastër si kristali e i ftohtë si akulli. Nga malet me furi e zhurmë zbresin katarakte e ujëvara. Thethi është vendi i kontrasteve të relievit, ujëvarave, bimësisë së dendur, livadheve e sidomos ngjyrave. Është me vlerë të bësh shetitje në këmbë, ku do të afrohen pamje të pazakonta. Aty mund të shikosh se si në mes të pyllit ndodhesh para livadheve ku rrezet e diellit kanë bërë të lulëzojnë lule, që nuk i gjen në asnjë vend tjetër. Thethi karakterizohet nga pyje, kullota e livadhe alpine e subalpine. Parku Pyjor Kombëtar ka sipërfaqe prej 2300 ha. Natyra i ka falur privilegje këtij fshati alpin. Nëse je amator i alpinizmit, i gjuetisë së kafshëve të egra apo i peshkimit, këtu do të gjesh një fushë të gjërë veprimi e argëtimi. Veç të tjerash, të huajt këtu befasohen nga kostumet tradicionale, mijëravjeçare të vendësve. Ato janë të pranishme sidomos në ditë festash. Po kaq interesante janë zakonet e rruga e jetës së kësaj krahine.

Thethi është një pikë turistike e virgjër. Frekuentimi i tij nuk ka probleme mjedisore, ka një qetësi absolute. Aty banon një popullsi e vogël, e shquar për mikpritjen tradicionale. Në shërbim të vizitorëve janë hotelet dhe shtëpitë që venë në dispozicion vendësit. Rrjeti regtar, telekomunikacioni e qendra shëndetësore janë të pranishme në çdo kohë.

Liqeni i Komanit Nëse dëshironi të bëni një shetitje të paharrueshme përmes luginave, kanioneve e peizazheve të pazakonta, lundroni në Liqenin e Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit. Liqeni është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kw/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2 , gjatësi 34.5 km, gjërësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare. Për t'i ardhur në ndihmë turistëve e vendasve, janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra.

Liqeni i Vaut të Dejës Ai ndodhet vetëm 23 km larg Shkodrës. Ka një sipërfaqe prej 24.7 km, me thellësi maksimale 52 m, formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin më 1971, ku është ngritur hidrocentrali i Vaut të Dejës me 250 kë/orë. Liqeni është magjepës për nga bukuria. Kur kalon nëpër gryka të ngushta malesh, brigje pyjesh ose dukurish interesante karsti, ndjehesh i gëzuar. Liqeni shërben edhe për transport, peshkim e turizëm.

5 km larg nga qyteti i Shkodrës ndodhet ishulli i Sardës, i cili ruan ende gjurmët e një qytetërimi mesjetar dhe ofron mundësi të shkëlqyera për të zhvilluar turizmin shëtitës. Sarda ose Shurdhahu, është një emër që i përgjigjet një qyteti të mesjetës, me një sipërfaqe prej  5 hektarë, i cili dikur i përkiste patriarkut feudal Lekë Dukagjini, i njohur për rregullat e tij të Kanunit. Sot ai është kthyer në ishull, në mes të liqenit të Vaut të Dejës, për shkak të ndërtimit të Hidrocentralit, në kohën e regjimit komunist. Ajo që ka mbetur nga qytetërimi, është hyrja gjigante e një pallati në stil romak dhe rrënojat e një kishe.

6 km në lindje të qytetit ndodhet Ura e Mesit, e ndërtuar mbi lumin e Kirit, në periudhën e mesjetës, në shekullin XVIII. Ka një arkitekturë të papërsëritshme, mahnitëse. Është e ndërtuar me gurë, ka një gjatësi prej 108 m dhe përbëhet nga 13 harqe.

Liqeni i Shkodrës Liqeni Shkodrës në pjesën e kufirit shqiptar rrethohet Nga Shiroka dhe Zogaj në anën e Malit të Taraboshit dhe në krahun e kundërt, nga një sërë fshatrash që duke filluar nga kufiri i Hanit të Hotit janë fshatrat: Jubicë, Kamicë-Flakë, Lashaj , Flakë , Brucaj, Kasan, Pjetroshan, Lagej, Aliaj, Premal, Goshaj, Culaj, Koplik, Koplik i Mesëm, Bzhetë-Makaj , Bogic-Palvar Dobër, Sterbeq, Kalldrun. Kjo zonë, e denjë edhe për turizmin blu, edhe atë të gjelbër, është një potencial i fuqishëm turistik, por sot për sot akoma nuk ka një infrastrukturë të përshtatshme për të qenë e frekuentuar. Megjithatë turistët e aventurës mund të bëjnë shtëtitje në këto zona, të sigurt se do të shijojnë panorama të mrekullueshme.

Shiroka dhe Zogaj Përgjatë bregut të liqenit, shtrihen Shiroka dhe Zogaj, në të cilët restorante të vegjël e të shumtë, mirëpresin pushuesit ditorë, nën pjatat e pasura me menu peshkun e njohur të liqenit, krapin. Përgjatë rrugës së Shirokës do të gjeni një nga komplekset më të bukur turistikë të zonës, Kompleksin Marku, i cili tani me kapacitet  e shërbime të shtuara bëhet edhe më tërheqës e i frekuentueshëm. Megjithatë, ka qenë historikisht traditë që banorët vendas, e kanë vizituar ose frekuentuar liqenin dhe plazhet e tij, me biçikleta, për shkak të distancës së shkurtër dhe ngaqë ky mjet lëvizës është shumë popullor në Shkodër. Një gjë të tillë mund ta bëni edhe ju si turistë, duke marrë biçikleta me qera e duke provuar kënaqësinë e padiskutueshme të soditjes së peisazhit fantastik.  Përgjatë bregut të liqenit ju pret edhe Taverna Shkodrane, një restorant mjaft simpatik, që ju ofron kuzhinën e pasur të liqenit.


4.1/5 rating (19 votes)

Hits

29498

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.