Antigonea, qyteti që e lindi dashuria dhe e rrënoi urrejtja

Antigonea, qyteti që e lindi dashuria dhe e rrënoi urrejtja

on Wednesday, 22 August 2012. Posted in Destinacione

Historia e lindjes dhe rrënimit të Antigonesë

Antigonea, qyteti që e lindi dashuria dhe e rrënoi urrejtja

Engjell Serjani 

Antigonea ka qenë një nga qytetet më të zhvilluara antike në jug të Shqipërisë. Shkrimet e lashta dhe legjendat e vjetra thonë se Antigonea lindi nga dashuria, sepse u themelua në vitin 295 p.e.s. dhe e mori emrin nga një dashuri e mbretit Pirro të Molosëve, si përkushtim ndaj dashurisë së tij të parë me Antigonën. Ndërkohë, që qyteti u shkatërua gjatë fushatave luftarake në përfundim të luftrave romako – maqedonse në vitin 167 p.e.s. Kësisoj, qytetërimi i Antigonesë pak më shumë se një shekull u shfaq dhe u zhduk si një “kometë” në hapësirat e qytetërimeve në Luginën e Drinos. Molosët prej nga kishte orgjinën Mbreti Pirro, ishin një nga tre fiset e mëdha të Epirit (që shtrihej në jug te Shqipërisë së Sotme dhe në veri të Greqisë), fis i cili me rikthimin e Pirros në froni u kthye gjatë kësaj periudhe në një shtet të fortë dhe faktor bashkimi me fiset e tjera përreth. 

 

Kur Pirro ishte 14 vjeç, sipas Plutarkut, (historian i lashtë), një kryengritje e përmbysi atë si mbret dhe ai u vendos nën kujdestarinë e mbretit Dimitër i Maqedonisë. Më vonë dërgua në oborrin e Ptolemeut në Aleksandri të Egjiptit. “Duke qenë se Pirro ishte i shumë i aftë të  bënte për vete njerëzit e fortë dhe i urrente frikacakët dhe meqenëse ishte shumë i sjellshëm dhe i urtë në jetë, sipas shkrimeve  të Plutarkut , ai u zgjodh midis shumë princërve të tjerë të martohej me Antigonën. Kjo martesë i dha Pirros një emër shumë të mirë dhe e bëri shumë të njohur. Me ndihmën e gruas së tij të mirë, vjehrrës dhe Ptolemeut, Pirroja ia doli mbanë të mblidhte para dhe të ngrinte ushtrinë dhe të kthehej drejt Epirit për të rimarrë fronin mbretëror. Përveç gruas së tij, Pirroja nderoi edhe të vjehrrën, Berenisen, duke i vënë emrin e saj një qyteti tjetër të Epirit.
Lavdia e Antigonesë, qytetit të ëndrrave të Pirros, u ngrit lart bashkë me lavdinë e themeluesit të saj dhe ajo u zhvillua shumë shpejt si një qendër e rëndësishme ekonomike, sociale, kulturore dhe politike. Në në fund të shekullit të 3-të dhe në fillim të shekullit të 2-të p.e.s. mori formën e “polis” (qytet – shtet) dhe u kthye në një nga vendet më të rëndësishme të antikitetit në këtë rajon. Antigonea, ishte qyteti i dytë i provincës Epiriote të Kaonisë pas Foinikes (Finiqit), si nga përmasat edhe nga rëndësia pasi ajo kontrollonte një pjesë të mirrë të rrugëve antike që lidhnin Dyrrachium (Durrësin), Apolloninë dhe Orikumin me malësitë e Janinës, Dodonën, Epirit jugor dhe Greqinë. Antigonea për shkak të pozicionit vendosur në një kodër dominuese të quajtur Jerma në qendër të luginës së Drinos, rajon i njohur në antikitet për shkak të popullimit me rreth 29 qendra banimi antike, fortifikime, varre monumentale, tempuj të lashtë dhe teatro, ka qenë qendra kryesore e luginës mes qendrave të tjera si Seloja që ndodhet në Dropullin e Sipërm në pjesën jugore të luginës, Hadrianopoli dhe Melani në qendër e deri lart në Palokastër e Lekël që ndodhen në pjesën veriore të luginës. Merita e rizbulimit dhe identifikimit të qytetit i përket arkeologut të shquar shqiptar  Prof. Dhimosten Budina, i cili në periudhën midis viteve 1965 – 1988 udhëhoqi rreth 25 ekspedita arkeologjike të cilat nxorën në dritë një informacion të jashtëzakonshëm nga ky qytetërim antik. Më të rëndësishmet ishin një tog teserash të rrumbullakta prej bronxi me mbishkrimin “ANTIGONEAN”, objekte që përdoreshin gjatë referendumeve nga banorët e që dëshmuan jo vetëm për sistemin politik me demokraci të drejtpërdrejtë, por këto gjetje të rralla shërbyen si dokumenti i parë epigrafik, që identifikoi qytetin dhe që u krijoi mundësi arkeologëve që të korrigjojnë mendimin e shprehur më parë për këtë çështje. Gërmimet arkeologjike nën kujdesin e Institutit të Arkeologjisë me Prof. Dhimosten Budinën u ndërprenë nga fundi i viteve 80. Me ngritjen e administratës së parkut dhe me interesim të stafit të menaxhimit të tij rinisën edhe ekspeditat arkeologjike. Në periudhën 2006 - 2008 u organizua një ekspeditë shqiptaro - greke e bashkëdrejtuar nga arkeologu grek Prof. Konstandinos Zahos dhe ai shqiptar Prof. Dr. Dhimitër Çondi, ndërkohë që në tetor - nëntor 2011 u zhvillua një ekspeditë me arkeologë shqiptarë të udhëhequr nga arkeologu shqiptar Prof. Dr. Dhimitër Çondi dhe me financim të qeverisë shqiptare.
]
Dëshmitë arkeologike të Antigonesë
Antigonea prezanton historinë e saj sfiduese para vizitorëve me dëshmi e gjetje arkeologjike që nisin nga shekulli i 3 dhe 2 para Krishtit dhe me disa rrënoja kishash paleokristiane që i përkasin periudhës së hershme dhe fillestarë të Kristianizmit. Nuk është gjithmonë e lehtë të gjesh mes rënojash emrat e lashtë të qyteteve antike, por në Antigone, sikurse thamë më lart fati e deshi që nga një numër monedhash të rrumbullakëta prej bronzi me mbishkrimin  “ANTIGONEON”, apo siç i quajnë specialistët e arkeologjisë  “tesera” të ishin dokumentat e para epigrafike që lejuan identifkimin e sigurtë. Merita e madhe shkencore e identifikimit të Antigonesë nëpërmjet mbishkrimeve në teserat e votimit i përket Prof. Budinës. Por kjo është vetëm një pjesë e sukseit të tij pasi gjatë ekspeditave arkeologjike që udhëhoqi është bërë e mundur të dalin në dritë një numër të madh artikujsh të jetës së përditshme të bëra prej metali apo argjili. Inventari i pasur, i lidhur me artizanatin dhe bujqësine tregon se këta sektorë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në jetën ekonimike të qytetit. Gjetjet arkeologjike përfshijnë: kosa, çengela, dalta, sqeparë, çekiçë, kompase dhe vegla të tjera të ndryshme prej  bronzi dhe të dekoruara me figura kafshësh  apo qënie mitologjike si Poseidoni, Sfinksi apo sirenat. Të paktën një pjesë e këtyre objekteve janë produkte të zonës, gjë që provohet nga ofiçinat në të cilat ato u gjenden. Ishin gjithashtu të zhvilluara degë të tjera si përpunimi i lëkurës , gurgdhendja, drugdhendja etj.  Artikuj të shumtë prej porcelani dhe qeramike të përdorimit të përditshëm , objektet artistike , kallëpet për format e tyre, një tufë e madhe pllakash dhe paguresh (poçe të mëdha për ruajtjen e lëngjeve) u gjendën gjatë gërmimeve dhe tregojnë një prodhim të madh të poçerisë. Në Antigone u gjendën gjithashtu rreth 500 monedha, shumica e të cilave janë nga Epiri dhe të tjerat nga Abrakia (Arta), Kerkira (Korfuzi), Maqedonia, Dyrrachium (Durresi), Apollonia, Orikumi, Korinthi, etj. Këto gjetje numizmatike  tregojnë qartë  marrëdhëniet e ngushta tregtare mes Antigonesë dhe qyteteve e shteteve të tjera helene.
Marrëdhëniet tregtare reflektohen gjithashtu në artikujt  e ndryshëm të importuar nga Greqia si qeramika me vernik të zi, pagure nga Rodhos etj, nëpërmjet të famshmes Via Egnatia dhe rrugëve të tjera që kalonin përgjatë bregut. Pjesa më e madhe e inventarit të gjetjeve arkeologjike në Antigone ruhen sot në Muzeun Historik Kombëtar dhe Muzeun Arkeologjik të Tiranës.
 
Parku Arkeologjik i Antigonesë
Përfshin një sipërfaqe urbane rreth 90 hektar të rrënojave të qytetit të lashtë Antigonesë,  ka nisur të funksionojë si i tillë qysh në shtator të vitit 2006. Në monumentet e vizitueshme të tij me të cilat vizitori i ndesh qysh në hyrje të parkut, janë Akropoli, Nimfeu dhe një pjesë e madhe nga fragmentet solide të murrit rrethues rreth 4 000 m gjatësi, një fortifikim impresionues që e mbronte qytetin nga të gjitha anët, veçanërisht në pjesën  jugore dhe  perëndimore ku rreziku ishte më i madh për shkak të terrenit. Vizitori në Antigone mahnitet, jo vetëm me muret fortifikuese dhe rënojat e shtëpive të djegura brenda një nate dhe të ndërtuara 2 300 vjet më parë me blloqe të mëdha guri gëlqeror, të marra nga gurorja e malit të Lunxhërisë, por vizitori aty impresionohet si askund tjetër me zhvillimin e rregullt urbanistik dhe arkitekturor. Pjesët e zbuluara nga ekspeditat arkeologjike të rrugëve, shëtitoreve, trotuareve, kanalizime, punishteve, krojeve, objekteve publike, japin për studiuesit e antikitetit dhe vizitorët kureshtarë një ide të plotë të planifikimit urban të qytetit, duke treguar se Antigonea është ndërtuar me një dekret të posacëm të Pirros dhe rregullat urbanistike janë respektuar me rigorozitet ndër vitet e tjerë të qytetëtimin antigonas.
Vitet e fundit turistët dhe vizitorët vendas dhe të ardhur nga vende të tjera kanë treguar interes për të parë e vizituar Antigonenë për shumë e shumë motive. Zyra për Administrimin dhe Koordinimin e Parkut Arkeologjik të Antigonesë, një ent shtetëror nën varësinë e MTKRS në 5 vjet veprimtari të saj ka arritur që jo vetëm të promovojë dhe të bëjë të njohur vlerat e jashtëzakonshme të këtij siti arkeologjik të lënë për vite në harresë, por ka ngritur një sistem shërbimesh për vizitorët dhe turistët. Përvec shërbimeve të zakonshme si: pritje dhe vizitë në park me shoqërues, tualeteve, hartë-guidë orjentuese në shqip e anglisht, tabelave informative dhe informuese në shqip dhe anglisht , rrugës automobilistike të shtruar me asfalt nga qyteti i Gjirokastrës e deri në hyrje të parkut, vendparkimit të automjeteve qofshin këto autokampera apo autobusë, stafi i parkut ka përgatitur dhe vënë në dizpozicion të vizitorëve 100 copë audio-guida më anë të të cilave vizitori ka mundësinë të marrë në mënyrë të pavarur informacion zanor për historinë, monumentet dhe pikat me interes për tu vizituar në parkun e Antigonesë. Por, interesi, shërbimet dhe lehtësitë për vizitorët shkojnë edhe më tej me disa shërbime ekstra që kryhen nga vetë komuniteti i banorëve të zonës, sikurse janë shtegu apo udha për vizitorët që duan të shkojnë më këmbë apo me gomar nga qendra e komunës deri në park, mundësia e një vizite interesante të punishtet e përpunimit tradicional qumështit të deleve dhe të leshit “Artizanet e Antigonesë“, mundësi për fjetje sipas dëshirës, vizita të tjera në monumentet e kulturës jashtë parkut, si Kisha e Shën Kollit Saraqinishtë, Manastiri dhe kompleksi shpellave të Spilesë, vizita në familjet bujare mikpritëse të fshatrave të reja të ngritura gjatë periudhës së komunizmit “Asim Zeneli” dhe “Arshi Lengo”, apo të fshatrave autoktonë tradicionalë  lunxhiotë: Krinë, Tranoshishtë dhe Saraqinishtë. Thënë më qartë e në mënyrë të përmbledhur, në Antigone më lehtë se kudo gjetkë turisti dhe vizitori gjen qytetaririnë shembullore, humanizmin, mjeshtërinë dhe dashurinë e madhe e paraardhësve  dhe banorëve aktualë për jetën në komunitet, gjen turizmin e aventurës, ekoturizmin, gjen një komunitet lokal autokton të ndjeshëm dhe aktiv ndaj natyrës dhe vlerave të kulturës. Turisti perëndimor do të “prekë” në komunën e Antigonesë të gjitha periudhat historike të njerëzimit, prehistorinë (shpellat e Spilese dhe Ladovishtës), madhështinë e  Antikitetit (siti arkeologjik Antigone), fillimet e Krishtërimit (3 bazilikat brenda sitit), misteret e Bizantit (Manastiri Eremit i Spilesë kisha e Shënkollit), arkitekturën e përkryer Mesjetare (banesat e shek 17 – 18 në Tranoshishtë), tendencat e periudhës komuniste në urbanistikë (fshatrat me emra dëshmorësh “Arshi Lengo” dhe “Asim Zeneli”).
 
Mjedisi dhe Klima në Parkun e Antigonesë:
 
Mjedisi. Sipërfaqja rreth 95 ha e përfshirë në territorin e Parkut Arkeologjik Antigone dhe territori tjetër përreth tij, është mjaftë i pasur në vlera mjedisore, ndonëse zona ende nuk është studiuar plotësisht në të gjitha aspektet e biodiversitetit të këtij mjedisi. Krahina e Lunxhërisë, ku është i vendosur siti, është e njohur për traditat e saj të pasura etno-kulturore.
Pozicioni gjeografik.
 Antigonea ndodhet në lartësinë rreth 600 - 700 metra mbi nivelin e detit në mjedisin e ndërmjetëm midis zonës kodrinore të krahinës së Lunxhërisë dhe shpateve malore të malit të Lunxhërisë. Ndonse nuk bëhet fjalë për sipërfaqe pyjore të konsoliduara, një numër i kufizuar ekzemplarësh lisash dhe dushqesh shtatlartë të shpërndarë në mënyrë të çrregullt në krejt territorin e parkut dhe prania e një morie shkurresh mesdhetare, krijojnë në Antigone një pejzazh të papërsëritshëm natyror.
Bimësia. Llojet kryesore janë lisi dhe qarri, por brenda tyre haset edhe krekëza. Në hapësirat e tjera, sidomos në Përroin e Tranoshishtës, në Ladovishtë dhe përreth Saraqinishtës, rriten edhe lloje të tjera si frashëri, thana, lajthia, panja me gjethe të gjerë. Nga shkurret mesdhetare në këtë mjedis hasen; kulumbria, qelbësi, cërmedeli, lofata dhe vidhi.
Pjesa më e madhe e territorit është e mbuluar nga lëndina me lule shumëngjyrshe dhe kullota të pasura polifite.
Klima. Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Shqipërisë, zona ku ndodhet Antigonea nga pikëpamja klimaterike përshihet në Zonën Klimaterike Mesdhetare  Malore, nënzona jugore.
Sipas gjeografit, Prof. Dr Arqile Bërxholli, nga pikëpamja e pasurive ujore, kjo zonë është e favorizuar dhe e pasur në burime natyrore ujrash. “Dendësia e madhe e rrjetit hidrografik këtu është e favorizuar nga disa faktorë: sasia e madhe e rreshjeve të rëna gjatë vitit, që e kalon shifrën  1 700 milimetra, ndërtimi gjeologjik, pjerrësia e rrelievit dhe në disa zona mungesa e mbulesës së bimësisë”, nënvizon A. Bërxholli.

 

3.5/5 rating (2 votes)

Hits

18364

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.