Rona Nishliu: Krenare të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion

Written by Irhan Jubica on Friday, 25 May 2012. Posted in Intervista

Këngëtarja flet për revistën Travel, para se të nisej për në Baku

Rona Nishliu: Krenare të përfaqësoj Shqipërinë në Eurovizion

 Kishte më shumë se 20 vjet që këngëtarët nga Kosova shkonin e vinin në Festival – në më të madhin festival të muzikës shqiptare - por u desh thirrja rrënqethëse e Rona Nishliut që Shqipëria ta kthente kokën nga këngëtarët “kosovarë”. Jo se ata nuk janë të pranishëm e të suksesshëm në konkurrimet e tjera muzikore, kinematografike apo të bukurisë, por se çmimet që janë dhënë për pjesmarrësit nga Kosova në këta konkurrime kanë qenë disi “për hatër” – siç ishte rasti i kurorës së bukurisë në majin e vitit të madh të Kosovës - 1999, apo edhe ndonjë tjetër çmim në Tiranë, në dhjetor të vitit 2003.  Ndërsa me festivalin e 50 të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar ishte koha të ndodhte ndryshe. 

Këtë e vërtetuan duartrokitjet e gjata në Pallatin e Kongreseve natën e 29 dhjetorit 2011, vlerësimi i jurisë, por edhe vlerësimet e shumta që u dhanë për këngën nga gazetarë e studiues, jo vetëm nga bota shqiptare.

“Suus” është kënga që ka marrë mbi 1 milion klikime në disa variantet e hedhura në Youtube e në site të tjera, përfshi edhe vetë eurovision.tv. Megjithatë, varianti zyrtar i videos është ai që u realizua enkas për përfaqësimin e Shqipërisë në Baku të Azerbajxhanit, më 22 maj, dhe që personazh kreysor ka vetë këngëtaren, të ngujuar në një kub të zi brenda një ambienti ku gjithashtu dominojnë e bardha dhe e zeza – teksa dy fëmijë shoqërojnë personazhin kryesor me veprime të harmonizuara me zërin. Me tekst të vetë këngëtares dhe muzikë të Florent Boshnjakut, videoklipi i këngës “Suus” është realizuar nga Bekim Lumi, për llogari të kompanisë “Kooperativa”. Ndërsa kënga vetë është regjistruar në studion “Ocean Way”, në Holywood të Kalifornisë, SHBA. 

 

Rona Nishliu, ju u bëtë e para këngëtare nga Kosova që fiton çmimin e parë në Shqipëri, mbasi e kanë provuar konkurrimin shumë artistë të Kosovës. Gjithashtu e para këngëtare nga Kosova që merr pjesë në Eurosong. Por ju nuk po përfaqësoni Kosovën në këtë festival. Si ju bën të ndiheni kjo gjë?
Jam krenare që si shqiptare nga Kosova, do te kem mundesinë e përfaqësimit të
Shqipërisë në Eurosong. Jam krenare që jam fituesja e Festivalit të 50-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Ndërsa sa i takon këngës, pa modesti mund të them se “Suus” nuk kishte konkurrencë ndërmjet këngëve të festivalit. Më vjen mirë që kënga u vlerësua nga juria profesioniste, që mua m’u dha çmimi për interpretimin dhe që kënga mori duartrokitje më shumë se asnjë këngë tjetër në festival - dhe këto janë fakte evidente që më bëjnë të ndjehem krenare për pjesëmarrjen në këtë festival.
Edhe pse prezantimi i këngës suaj nëpër Europë nuk ka shkuar pa përmendur Kosovën si vendi juaj i lindjes, çka mund të bëni ju më shumë për njohjen e Kosovës në këtë fushë?
Besoj se gjatë tre minutave të performancës së këngës sime në skenë, “Suus” do të thotë mjaft per të gjithë shqiptarët anë e kënd rruzullit tokësor.
Çka ishte më e rëndësishme për Rona Nishliun: pjesmarrja në Festivalin e 50 të këngës në RTSH, apo kjo pjesmarrje në edicionin e 57 të Eurosong-ut?
Secili festival ka rëndësinë e tij! Megjithatë, unë prapë po them, se jam shumë e lumtur që kënga triumfoi në festivalin në RTSH, sepse jo gjithmonë vlerësohet kënga më meritore. Ndjehem e realizuar për këtë.
Qysh prej dhjetorit e këndej a keni pasë interes të hulumtoni sa e ka ndikuar karrierën pjesmarrja e këngëtarëve në Eurosong, për të kuptuar si mund ta ndikojë karrierën tuaj Festivali Europian?
Jam totalisht e koncentruar në përgatitjet për Eurosong!
Ju keni zgjedhë të këndoni shqip, përkundër tendencës globale drejt anglishtes,
por edhe përkundër praktikës shqiptare në Eurosong. Ka qenë natyra e veçantë e kësaj
kënge që e përcaktoi zgjedhjen?
Mendoj se çdo këngë tingëllon më bukur në versionin origjinal. Si e tillë, edhe “Suus” është menduar në shqip, prandaj jam e lumtur që versioni zyrtar mbetet në gjuhën time. Megjithatë, per mua muzika mbetet transmetim i ndjenjës, ajo nuk njeh gjuhë, kufinj gjeografikë, racë e ngjyrë, dhe si e tillë bëhet shprehje universale.
“Suus” është antipodi i këngëve fituese të Eurosongut, jo veç gjatë viteve të fundit, si “Vallzim i egër”, “Satelit” etj.. A është pra, Eurosong, skena e duhur për vlerësimin e një kënge si kjo?
Mendoj se kënga e bukur është e denjë për çdo skenë. Por sigurisht që unë jam e vetëdijshme për vlerat e kësaj kënge.
Pavarësisht objektivave të përhershme të artistëve të njohur e të rinj në skenën e Eurosong, njeza Shahini ka qenë arritja më e madhe e muzikës shqiptare në këtë konkurrim europian. Besoni se do t’ia kaloni paraardhëses suaj të “Etheve”?
Objektivi im i përhershëm është të tejkaloj nga performanca në performancë. Çmimi i parë dhe radhitja në tabelë nuk janë gjithçka.
Cilin prej komenteve të shumta që janë bërë për këngën do të veçonit? A mendoni se një pjesë e këtyre opinioneve munden me pasë ndikim edhe në vlerësimet e ndonjë jurie?
Sigurisht që më kanë befasuar për të mirë disa kritika profesionale jashtëzakonisht pozitive nga kompozitorë, profesorë dhe psikologë arti, opinionistë, vendorë e te huaj, si Tim Judah, apo “The Economist”. E përsa i përket ndikimit, jam e sigurtë se vendimtare do të jetë performanca ime në gjysmëfinalen e Eurosongut. Unë po bëj më të mirën për t’u paraqitur sa më mirë.
A ju kanë ofruar mbështetjen e sidomos përvojën e tyre të prezantimit, lobimit, pjesmarrësit e mëparshëm shqiptarë në këtë festival?
Për Radio Televizionin Shqiptar ky do të jete viti i nëntë i pjesëmarrjes në Eurosong dhe eksperienca është evidente. Ekipi i punës është shumë profesional dhe besoj se po bëhet punë serioze në çdo drejtim.
Ç’do të ndodhte me ju në skenën e Bakusë, në rastin e një suksesi madhor në festival?
Besoj se do të gëzohesha shumë. Megjithatë, e kam pak të vështirë të flas për diçka të cilën nuk e kam përjetuar.

 

5.0/5 rating (4 votes)

Hits

12827

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.