Shkumbini vendoset në hartën e rafting në Shqipëri

Shkumbini vendoset në hartën e rafting në Shqipëri

on Monday, 11 February 2019. Posted in Lajme

Një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Shkumbini vendoset në hartën e rafting në Shqipëri

Nga Klotilda Saraçini 

TIRANË, 10 shkurt/ATSH/- Tashmë në lumin Shkumbin mund të zhvillohet sporti i rafting, duke e shndërruar Qarkun e Elbasanit në një zonë me potencial turistik për të apasionuarit ndaj sporteve të aventurës.

Një grup sportistësh nga ekipi i Rafting Albania ishin këtë fundjavë në provën e tyre të parë në lumin Shkumbin. Prova u kalua me sukses dhe sipas ekspertëve të rafting, në lumin Shkumbin mund të zhvillohet rafting në një nivel mesatar, duke qenë i aksesueshëm jo vetëm nga profesionistë, por edhe nga amatorë të këtij sporti.

Sportistët zhvilluan një takim me drejtuesin politik të Qarkut të Elbasanit, Taulant Balla, i cili gjatë bisedës theksoi se zhvillimi i këtij sporti është i rëndësishëm jo vetëm për ti shërbyer turizmit të zonës, por edhe si një arsye më shumë për çuarjen më tej të projektit për pastrimin e shtratit të lumit nga mbetjet plastike.

Balla u shpreh se së shpejti do të nisi një projekt me qeverinë gjermane dhe KfW për rehabilitimin e këtij shtrati dhe ujërat e zeza mos të derdhen më në Shkumbin.

“Detyra jonë është që në bashkëveprim edhe me banorët, jo vetëm të pastrojmë atë që kemi akumuluar ndër vite, por edhe të bllokojmë tërësisht hedhjen e mbeturinave, kryesisht plastikë, në brigjet e lumenjve. Dua t’ju them se lumi Shkumbin është pjesë e një projekti shumë të madh me qeverinë gjermane, KfW, për të ndaluar tërësisht derdhjen e ujërave të zeza që nga qyteti i Prrenjasit deri në qytetin e Librazhdit”, tha ai.

Në mars, shtoi Balla, fillon implementimi i projektit që do të thotë se të gjitha kanalizimet e ujërave të zeza të Bashkisë Prrenjas dhe asaj Librazhd do të administrohen në një njësi të trajtimit të ujërave të zeza. Nuk do të ketë më ujëra të zeza që derdhen në Shkumbin.

Kjo, sipas tij, bashkëshoqëruar me një plan të madh pastrimi të gjithë plastikës së akumuluar ndër vite. Kemi bërë një segment vitin e kaluar të cilin do mundohemi ta vijojmë, kjo do kërkojë dhe vullnetarizëm në fakt.

“Duhet edhe solidariteti i banorëve qoftë edhe për të parandaluar akumulimin apo hedhjen e plastikës dhe mbeturinave të tjera”, u shpreh ai.

Balla bërë të ditur se shumë shpejt do të lançohet një projekt për rijetëzimin e Rrugës Egnatia, me qëllim rikthimin e rëndësinë historike që ka pasur.

Drejtuesi i ekipit të Rafting u shpreh entuziast për resurset natyrore që ofron Qarku i Elbasanit, çka sipas tij do të ndikojë në zhvillimin turistik të zonës. “Unë ju premtoj se maksimumi dy vjet do të shikosh një numër të madh turistësh”, u shpreh ai.

Lumi Shkëmbin, buron në malin e Valamares dhe duke rrjedh nëpër një luginë të ngushtë e reliev të thyer derdhet në detin Adriatik. Shkumbini merr vlera të rëndësishme për ekonominë shqiptare dhe që ndanë pothuajse në dy pjesë të barabarta Shqipërinë.

Lumi Shkumbin kolon nëpër krahinën e Mokrës në rrethin e Pogradecit. Lugina e Shkumbinit ka një bukuri të rralle me katarakte, shpella, plazhe të vogla, etj. Përgjatë lumit në krahinën e Mokrës ka edhe mjaft vende të përshtatshme për peshkim dhe vende të tjera piktoreske, që mund të vizitohen nga turistët e natyrës dhe ata të aventurës, si Selca e Poshtme në Krahinën e Mokrës me një vendbanim Ilir te lashte, ura e Golikut në fshatin Golik atje ku bashkohen tre degë të lumit Shkumbin.

Më pas lumi kalon nëpër rrethin e Librazhdit dhe atë të Elbasanit ku kalon shume pranë qytetit dhe më pas vazhdon në Peqin e Rrogozhinë deri sa derdhet në Adriatik.

Por, në pjesën veriore të tij, shtrati kalon në formacione shkëmbore dhe ngushtohet mjaft duke shtuar kështu shpejtësinë e rrjedhës së tij. Pikërisht këto kanione të rrëpira, janë zbuluar së fundmi dhe po shfrytëzohen për kanotazh nga admiruesit e sporteve të ujit.

Rafting nis nga ura e Bushtricës dhe përfundon në pranë qytetit të Librazhdit.

Lumi i Shkumbinit e ka grykëderdhjen në një nga plazhet më të bukura në Shqipëri, i cili është Plazhi i Vilë-Bashtovës./k.s/

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

11800

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.