Akoma nuk keni shkuar në Prespë? Me siguri po prisni shtatorin.

Akoma nuk keni shkuar në Prespë? Me siguri po prisni shtatorin.

Written by Flora Xhemani Baba on Sunday, 01 September 2019. Posted in Reportazh

Shijoni një fillimvjeshtë të paharruar nëpër mrekullitë e parkut kombëtar më të bukur të Juglindjes!

Akoma nuk keni shkuar në Prespë? Me siguri po prisni shtatorin.
Shqipëria është aq e vogël dhe aq e larmishme! Aq e bukur dhe aq e veçantë! Ka aq shumë për të ofruar dhe e njohim aq pak nga afër! Sepse të gjithë dyndemi në të njëjtat vende dhe refuzojmë me kokëfortësi të hedhim sytë nëpër thesare që nuk kanë nevojë fare të zbulohen se janë sheshit.
A keni qenë ndonjëherë në Prespë? Është vetëm dyzet kilometra larg nga Korça, me rrugë të asfaltuar deri në Liqenas, apo Pustec, përgjatë të cilave do t`ju shoqërojë një natyrë e paqtë e larg kaosit të trafikut, sa do ta ndjeni veten në një botë tjetër. Është plazhi që mendoni se i mungon Korçës, për të plotësuar arratisjen ideale drejt të panjohurës, mistikes, aventurës, natyrës, që bëhen bashkë për t’ju dhuruar një ditë jo vetëm ndryshe por edhe të paharrueshme.
Le të themi që udhëtimi fillon nga Korça dhe jo nga Tirana, duke menduar se jeni ndërkohë për një fundjavë në Korçë, ashtu si ne. Dhe pasi keni pirë një “kafeçkë” në Bulevard, në Pazar të Vjetër apo keni shijuar mëngjesin e shijshëm ndënë hijet e gjelbëruara të hoteleve-vila të Korçës, niseni për në Prespë.
 

Përmes fushave të qëndisura me mollë

Për ne udhëtimi filloi kur lamë rrugën kombëtare Korçë-Kapshticë dhe morëm kthesën e Zvezdës. Oh nënë! Plantacione të tëra me mollë, sa ment thyheshin degët e që kishin filluar të skuqeshin, dhe kumbullash që prisnin nga çasti në çast të shkonin drejt fuçive të fermentimit e më pas kazanëve të rakisë apo drejt tenxhereve të amvisave për reçelra e gliko. Jo më kot thonë udhëtarët e thekur që magjia nuk është vetëm destinacioni por edhe udhëtimi për atje. E kush mund t`u rezistonte mollëve? Por aty s`kishte asnjeri që të na shiste apo të na falte ndonjë kokërr kështu që dashur pa dashur u bëmë pak hajdutë kumbullash e mollësh ende të athëta. E ishim ende më shijen e mollëve në gojëve kur mbetëm gojëhapur nga panorama e fushës, që shtrihej poshtë këmbëve tona, ndërkohë që i ngjiteshim rrugës për në Liqenas dhe Zvezdën e lamë në të majtë. Nuk ka të dytë si korçarët për t`i qëndisur fushat aq bukur sa kur i sheh nga lart, duken si tapet persian.
Dhe daleni se do t`ju mbetet goja hapur gjithë rrugës, sidomos kur para syve ju shfaqet kartolina e Liqenasit, pikturuar me çatitë e kuqe që feksin mbi gjelbërimin e kodrinës, që zbret butë-butë e vete freskon këmbët në liqen. Dhe tutje si një margaritar blu mbi ballin e bukur të Prespës së Madhe, ai, Ishulli i Maligradit.

Gomerët – atraksion turistik

Mezi po prisnim të zbrisnim poshtë. Rrugën deri në fshat e bëmë nën shoqërinë e gomerëve. Sa shumë që kishte! Në asnjë fshat nuk kishim parë kaq shumë gomerë. Sigurisht neve na duket ekzotike dhe pak argëtuese por banorëve u duhen për punët e shumta të fshatit se kjo zonë dimërore ka shumë dëborë dhe makinat nuk janë aq të përshtatshme. Por ata mund të përdoren edhe për transport turistik, pse jo? Të huajt i duan shumë dhe Santorini është bërë i famshëm edhe prej tyre. Një grup turistik I transportuar me gomerë deri tek liqeni dhe që aty, drejt e në varkë për në ishull do të ishte një itinerar fare i veçantë!
 

Turistët e huaj kanë ardhur. Po ju?

Me të mbërritur në Liqenas, apo Pustec, siç quhet pas ndryshimeve administrative, na bëri përshtypje gjallëria. Ndryshe nga ç`kishim menduar nga qetësia dhe mungesa e trafikut rrugës, fshati ishte plot me turistë të huaj. Ata zbrisnin në qendër te Kisha e restauruar e fshatit, pinin një birrë në lokalin e qendrës dhe niseshin për në liqen, ku i prisnin varkat që do t`i çonin në ishull. Prespa është park ndërkufitar dhe turistët vinin kryesisht nga ana e Maqedonisë, përmes Goricës. Edhe Liqenasi është fshat me popullsi minoritare maqedonase dhe kjo ndjehej jo vetëm nga gjuha që flisnin mes njëri-tjetrit dhe muzika e radios por edhe nga birra maqedonase dhe produkte të tjera konsumi që vinin kollaj nga vendi fqinj.
Megjithatë, na bëri përshtypje emri i djalit që na shërbeu birrat në bar, Ilia Gjergji. Ilia ishte tetëmbëdhjetë vjeç dhe në vjeshtë do të shkonte të studionte për sporte në Bullgari. Tani po u ndihmoj prindërve dhe studimeve të mia, na thotë buzagaz, teksa na shërben birrat “Skopsko”. Pyetjes tonë se sa turistë vinin në Prespë, Ilia i përgjigjet se numri i tyre po shtohet dhe shpreson se do të ketë aq shumë sa të quhet sezon turistik. Të gjithë shkojnë në ishull por edhe fshati është i bukur për t`u vizituar. Ka kisha, shtëpi karakteristike e mbi të gjitha njerëz buzgaz, që të presin me dashamirësi (këtë e pamë vetë në fakt edhe kur po fotografonim një grup nënash më shami të bukura, ulur në sofatin e njërës prej shtëpive, e që na pritën me buzeqeshjen vesh më vesh).
 

gjermanët, ajka e turizmit natyror shqiptar

Ngahera ata e kanë vizituar Shqipërinë, për t`ia dashur natyrën nganjëherë edhe më shumë se ç`e duam ne vetë. Turistët gjermanë, janë pa asnjë dyshim ajka e turistëve të natyrës, kudo nëpër Shqipëri. Ata vijnë për të shijuar çdo cep e çdo aspekt të jetës reale shqiptare e jo thjesht për ca ditë plazh në ndonjë cep të bukur të bregdetit apo për dy muze në qytete turistike.
Makus e Lena, bashkë me tre fëmijët e tyre të vegjël, që gjykuar nga jashtë do t`u thoshe udhëtarë moskokëçarës nga ata që nuk e kanë problem ku i zë nata, ishin dy profesorë gjuhe të Universitetit të Fraiburgut. Ne, me fat që i takuam dhe ata, të kënaqur që gjetën për shokë udhëtimi një familje që e njihte mirë Shqipërinë, folëm për shumë gjëra që ata kishin hasur gjatë tre javëve të udhëtimnit të tyre nëpër Shqipëri, duke përshkuar hollësisht juglindjen, Nga Korça, Përmeti, Leskoviku dhe po ngjiteshin në Elbasan e Durrës. Na treguan duke qeshur gjysmën e fundit të librit të tyre të udhëtimit dhe gjysmën e poshtme të hartës së Shqipërisë që kishin shkelur.
Gjysmën e sipërme do ta vizitojmë vitin që vjen, shtuan buzagaz. E dashurojmë Shqipërinë.
Hë, më thoni, a nuk lumturohet njeriu kur dëgjon të tilla fjalë për vendin e vet, të nëpërkëmbur nga vetë ne? A nuk i duket fjala më e bukur në botë një “faleminderit” e mësuar nga ata që kishin vetëm ca ditë në Shqipëri? Dhe sa e vlerësuan një Green Guide dhuratë (që ilustrimet i paska shumë më të bukura se libri ynë gjerman!), sikur kushedi ç`u kishim dhënë!
 

Drejt Maligradit

Pak minuta me varkë deri në ishull dhe gjendemi mes brigjeve me ujë të kristaltë ku një mol i vogël të hedh drejt e në shtegun ku ndodhet kisha e vogël ortodokse e Shën Mërisë. Thuhet se është ndërtuar në vitin 1369 nga një fisnik i zonës, Kesar Novak (Qesar Novaku). Pranë kishës ndodhet edhe varri i një eremiti.
Mëkat që kisha ishte e mbyllur e na u desh të kënaqeshim vetëm me afresket e jashtme e me panoramën e mrekullueshme që shtrihej përtej saj.
Ishulli ka një sipërfaqe prej gjashtë hektarësh, mbuluar me bimësi mesdhetare por edhe shumë fiq, (e vogla e familjes gjermane u kënaq së ngrëni), kumbulla e manaferra. Edhe po nuk patët marrë bukë me vete, mbushni duart me fruta dhe prisni derisa të vijë ora të shijoni një tavë krapi në Zaroshkë, se ia vlen pritja.
Brenda formacioneve shkëmbore fshihen disa shpella, që zgjojnë interesin e speleologëve dhe adhuruesve të natyrës. Ne do të vinim njëherë tjetër për t`u marrë pak më shumë me brendinë e ishullit. Sot duhet të kënaqeshim me plazh, se helbete fundi i gushtit i ka këto. E ku gjeje ujëra më të pastra se këto të Prespës së Madhe?
E sa për Ishullin e Gjarpërinjve, nuk është ai i Maligradit ku ndodhet kisha, na tha Aleksi, djali që na shoqëroi me varkë. Ishulli i Gjarpërinjve është ai tjetri matanë, që ndodhet në ujërat e pjesës maqedonase të liqenit. Kurse Pelikanin Dalmat, që deshëm aq shumë ta takonim, mund ta gjenim vetëm kur të bënim një udhëtim drejt Prespës së Vogël, në fshatin Tren, ku ndodhet edhe shpella e famshme.
 

Në Zaroshkë, për një tavë krapi, që të lëpish gishtat

Zaroshka është fshati që ndodhet në anën tjetër të liqenit, kur dilni nga Pusteci dhe është stacioni i fundit ku do të ndaloni gjatë udhëtimit për në Prespë. Dhe s`keni si të mos ndaloni. Sepse udhëtimi për në Prespën e Madhe nuk mund të quhet i përfunduar, nëse nuk keni provuar Tavën e Krapit të Prespës, “Ne Iloja”, “Ne Spiroja” apo “Ne Aleksandri”. Dhe madje procesi i shenjtë i shijimit të këtij gatimi të mrekullueshëm, aq i ndryshëm nga Tava e Krapit të Shkodrës, nuk është i plotësuar nëse vërtet në fund nuk keni lëpirë gishtat. Kështu që ju këshillojmë të lani mirë duart para se të shkoni për të ngrënë.
 
Ne kaluam një ditë të gjatë në këtë udhëtim fare të veçantë, sa larg aq edhe afër kryeqytetit, në një vend që rri e pret vëmendjen tuaj, ndërkohë që si përherë ka fituar në fillim dashurinë e turistëve të huaj. Ndërkohë që vera mbaroi, pushimet, ato të veçantat, sapo kanë filluar. Keni gjithë shtatorin para për të shijuar një margaritar si Prespa.
 
Informacione të dobishme
Një udhëtim me varkë për në ishull kushton 2500 lekë. Nuk ka rëndësi se sa persona janë në varkë.
Parku Kombëtar i Prespës ndodhet në verilindje të Korçës, 40 km larg nga Korça
Të dy liqenet janë pjesë e Parkut Kombëtar "Prespa" me një sipërfaqe prej 27.750 hektarë por që ndahet mes Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut. Brigjet e saj janë shkëmbore të lartë dhe pjesërisht ranorë. Fauna e pasur përfshin ndër shumë lloje edhe pelikanin dalmat. Ishulli i Maligradit, që gjendet në Liqenin e Prespës së Madhe, ka një lartësi prej 900 m mbi nivelin e detit. Ndërtohet nga shkëmbinj gëlqerorë dhe përbën një mbetje të fundosjes së madhe të grabenit të Prespës. Ishulli ka gjatësi rreth 800 m e gjerësi 200 m dhe rrethohet nga shpate shumë të pjerrët, me përjashtim të pjesës perëndimore. Ishulli mund të vizitohet duke ndjekur itinerarin Korçë-Zvezdë-Liqenas. Prej Liqenasit shkohet me varkë.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

22472

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.