Nën Çadër

Nën Çadër

Written by Flora Xhemani Baba on Monday, 01 September 2014. Posted in Blog

"Bulevardi i Yjeve" - Meditim për Librin e Arlinda Gumës dhe jo vetëm...

Nën Çadër
Flora Xhemani Baba
Nuk e di kush e shpiku i pari / e para mendimin idiot së nën çadër mund të lexohen vetëm libra rozë, duke i hequr kështu të drejtën ngjyrave të tjera të librit të shijohen përmes flladit të detit, aromës së pishave shijes së jodizuar të ajrit apo çfarë tjetër. Ka njerëz që kohën e lirë e kanë shumë të shtrenjtë dhe do të ishte sakrilegj t’u propozoje si konsum të kësaj kohe një libër rozë kur shumë bukur mund të shijohej e verdha ankthndjellëse, e zeza rrënqethëse, grija e trishtë apo e e kuqja pasionante.
“Bulevardi i Yjeve” i Arlinda Gumës nuk është megjithatë, as rozë, as i verdhë, as gri e as ndonjë ngjyrë tjetër me të cilën njeriu mund të penelojë vetë librin që lexon. Dhe asgjë nuk e pengon që të mund të lexohet kudo, aq më pak nën çadër. 

Më shumë se njëngjyrësh, ai është një mozaik i përbërë nga një formë shumë origjinale vendosjeje gurësh, ku çdo kapitullth është një historizë, e cila mund të qëndrojë shumë mirë më vete por që, kuptimin e plotë e merr kur bashkohet me copëzat e tjera të mozaikut, duke formuar në fund figurën që ky mozaik përcjell. Një roman që të krijon ndjesinë e ngrohtë se po lexon rrjedhëjetën e njerëzve të tu të afërt e jo të ca personazheve krijuar artistikisht nga një shkrimtare. Nuk është aq e thjeshtë të krijosh të thjeshtën e përbërë, siç ndodh në këtë libër, ku përshtypja e parë e kapitujve të parë është pikërisht thjeshtësia e përcjelljes së ngjarjes, aq sa të bën të mendosh që edhe ti që po e lexon mund ta krijosh një histori të tillë. Kur historia i hyn mesit  dhe një sy i tretë fillon e sheh ngjarjet nga këndvështrimi i vet (Lora), atëhere kuptojmë se dy narratorë (shkrimtarja dhe Lora), janë dy përshkrues të ndryshëm për të njëjtën histori, të cilët s’bëjnë gjë tjetër veçse shtojnë thyerjet e kësaj cope të madhe diamanti duke e bëë atë t’i përkëdhelet më shumë diellit me reflekse vezulluese.
Pa dashur t’u hyj  krahasimeve skematike për ta vendosur romanin në një platformë të tillë që të quhet “pasqyra e shoqërisë së sotme”, “lufta mes së mirës e së keqes”, “në fund triumfon happyend-I” etj, romani është fakt një përzierje e të gjithave, me përpjekjen e mundimshme për t’u shpëtuar epilogëve standartë ku domosdoshmërisht historia duhet të përfundojë ose e lumtur ose shumë tragjike. Edhe ngasja e fortë për përdorimin e fjalëformimeve, risive leksikore, figurave vetjake apo shqipërimeve, të huton deri në tejngopje, mirëpo aty ku matesh të thuash se autorja e ka tepruar, gjuha e romanit thjeshtohet deri në befasi dhe të krijon efektin e një flladi freskie në një ambient të rënduar nga vapa. E çuditshme, e thjeshtë, e ngrohtë, e qashtër jo vetëm si shqipe por edhe si narrativë, gjuha e librit është një ndikues i fortë, gati i barabartë me rëndësinë e ngjarjes, sikur autorja ka dashur të thotë se për të nuk ka rëndësi vetëm përmbajtja por edhe forma po aq sa. Një libër që mund ta lexosh me një frymë por mund gjithashtu ta shijosh dalëngadalë, duke “përtypur” çdo copëz me shijen e mirë të gjuhës dhe historisë së ngjarjes.
I zhytur në morinë e vitrinave të librarive, i panxjerrë lart me një platformë bërtitëse promovimi, i papërkëdhelur a fshikulluar nga një kritikë letrare e cila në dy dekadat e fundit nuk ka mundur të lindë, për të zëvendësuar propangandën e dikurshme e mbi të gjitha, i dënuar edhe prej rregullave të tregut për të mos qenë edhe në librarinë e çdo lagjeje, ky libër nuk ka gjasa të kthehet në një “bestseller”. Por në ndryshim nga shumë bestseller-ë ose jo, e në ndryshim  nga shumë produkte që mund t’i ketë edhe komshinj nëpër vitrina librarish, ky libër, është letërsi dhe jo letër.
 

3.0/5 rating (2 votes)

Hits

15617

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.