Pasqyra e sezonit turistik 2016 dhe pritshmëritë për 2017-ën

Pasqyra e sezonit turistik 2016 dhe pritshmëritë për 2017-ën

on Wednesday, 01 March 2017. Posted in Editorial

Flet ministrja e Turizmit znj. Milva Ekonomi

Pasqyra e sezonit turistik 2016 dhe pritshmëritë për 2017-ën
Sezoni turistik veror 2016 ishte padyshim sezoni turistik më i suksesshëm deri tani. Kjo nuk është aspak e rastësishme, por është meritë e përpjekjes në radhë të parë të sipërmarrjes turistike por pa lënë mënjanë punën intensive të agjencive te ndryshme shtetërore për t’iu përgjigjur në kohë nevojave të tyre.
 

 


Shifrat për këtë sezon turistik tregojnë se numri i vizitorëve të huaj që erdhën në Shqipëri gjatë Sezonit Turistik Veror (Qershor – Gusht) 2016 në total ishte 2.376.000 shtetas të huaj, 19,7% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2015. Gjatë këtij sezoni numri më i madh i vizitorëve, ashtu si dhe një vit më parë, ka qenë nga Kosova, ndjekur më pas nga Maqedonia, Mali i Zi, Greqia, por një numër i lartë vizitorësh erdhën nga Anglia, Gjermania, Çekia, Franca, Italia, Norvegjia etj.. Megjithatë, bie më shumë në sy se gjatë këtij sezoni veror ka patur një rritje të numrit të vizitorëve nga disa prej tregjeve të synuara Evropiane dhe Botërore, si rritja me 111% nga vizitorët ukrainas, rritja me 63% e vizitorëve suedezë, rritja me 42% e vizitorëve bullgarë, rritja me 33% e vizitorëve norvegjezë, rritja me 30% të vizitorëve polakë dhe rritja me 22% e vizitorëve kroatë.
Ndërkohë numri i fluturimeve charter gjatë sezonit veror 2016 arriti në 116 përkundrejt vetëm 60 që ishte ky numër në vitin 2015. Kjo rritje fluturimesh 198% solli dhe një rritje të drejtpërdrejtë prej 204% të numrit të pasagjerëve që udhëtuan drejt vendit tonë. 
Gjithashtu, gjatë sezonit 2016 në vendin tonë operuan edhe dy linja të reja ajrore, “Bravo Airways” dhe “Onur Air”, të cilat kanë mundësuar fluturime charter të programuara me destinacion Shqipërinë. 
Të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, tregojnë se hyrjet e Kroçerave dhe Jahteve turistike në Shqipëri gjatë periudhës Janar – Gusht 2016 janë rritur me 30% duke e cuar në 924 numrin e mjeteve të tilla që arritën brigjet shqiptare.
Ndër to, numri më i madh përbëhet nga mjetet “Jahte/Veliere turistike”, të cilat zënë një peshë prej 85% të të gjithë mjeteve. Fluksi më i lartë, në këtë periudhë është vënë re në Portin e Sarandës, ndjekur nga Porti i Durrësit dhe me pas nga Porti i Vlorës.
Një rritje e ndjeshme është vënë re edhe në shifrat e turizmit kulturor. Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Kulturës, vërehet një trend pozitiv i treguesve të ndryshëm (vizitorë dhe të ardhura). Më saktësisht, nga viti 2015 në vitin 2016, gjatë sezonit veror, vizitorët në muze, parqe dhe monumente kulturore janë rritur me 15%, ndërkohë që të ardhurat e arkëtuara nga këto institucione janë rritur me 16%. Vërehet që numri më i lartë i vizitorëve është i përqendruar në Parqet Arkeologjike, ndjekur më pas nga Monumentet e Kulturës dhe në fund nga Muzetë Kombëtarë.
Ndërkohë edhe turizmi natyror në Shqipëri ka patur një rritje të ndjeshme. Në vendin tonë ekziston një sistem i zonave të mbrojtura (ZM), që mbulojnë mbi 460,000 ha dhe shtrihet në mbi 16% të territorit të vendit. Baza e sistemit të zonave të mbrojtura konsiston kryesisht në 15 parqe kombëtare, disa rezervate natyrore të menaxhuara e peizazhe të mbrojtura, në te cilat strehohen vlerat më të mëdha natyrore dhe biodiversitetit në vend. 
Numri i turistëve në këto zona ka pasur një rritje prej 3.3 herësh në vitin 2016 krahasuar me një vit më parë. Konkretisht gjatë vitit 2015 numri total i vizitorëve brenda këtyre zonave gjithsej ka qenë 471,967 vizitorë prej të cilëve 359,937 ishin vizitorë vendas dhe 112,080 vizitorë të huaj. Gjatë vitit 2016 numri total i vizitorëve brenda ZM-ve ka qene (deri më 31 Gusht 2016) gjithsej 1,562,148 vizitorë. Ndër to 1,430,630 ishin vizitorë vendas dhe 131,518 vizitorë të huaj.
Po ashtu edhe të ardhurat nga Turizmi kanë pasur një rritje mjaft të lartë. Të ardhurat nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të vitit 2016, sipas Bilancit të Pagesave të Bankës së Shqipërisë, kanë qenë 640 milionë Euro, duke shënuar një rritje prej 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këto të ardhura kanë qenë 592 milionë euro. Të dhënat nga Banka e Shqipërisë evidentojnë se në tremujorin e dytë të këtij viti portofoli i kredisë për bizneset në aktivitet e hotelerisë dhe shërbimeve u rrit me 2,9%, duke zënë 38,1% të portofolit total të kredisë.
Të ardhurat neto nga udhëtim/turizmi për 6-mujorin e parë të 2016 kanë qenë 140 milionë euro. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur të ardhurat neto ishin 118 milionë euro, kemi një rritje prej 19%. Grupi i subjekteve të regjistruara “Akomodim dhe shërbimi ushqimor” nga të dhënat që vijnë nga Qendra Kombetare e Biznesit, ka pasur rritje me 2,4% për periudhën janar–gusht 2016 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërkohë po t’i referohemi të dhënave nga ËTTC deri në fund të 2016-s, sektori i turizmit pritet të gjenerojë punësim për rreth 77,000 persona.
Shifrat mbresëlënëse nuk janë të rastësishme. Është punuar shumë dhe me prioritet për promovimin e vendit në tregjet ndërkombëtare. Promovimi i Shqipërisë vitet e fundit ka patur një rritje eksponenciale nëpërmjet pjesëmarrjes në panairet ndërkombëtare më të rëndësishëm të turizmit, si: WTM Londër, Ferien Messe, Vjenë, FITUR Madrid, Spanjë, BIT Milano, Itali; ITB Berlin, Gjermani si dhe në panairet e tregjeve të synuara si Rusia, Çekia, Hungaria, Kosova etj.
Padyshim që eventi europian i futbollit “Euro 2016” qe një rast i mirëpritur për të promovuar Shqipërinë turistike. Në shtëpinë e kuq e zinjve, stenda shqiptare turistike i ofroi De Biazit dhe krye bashkiakut të Perros Quirec edhe pasaportën e Shtetasit Turistik Shqiptar.
Kështu vetëm numri i pjesëmarrjes së Shqipërisë në panairet ndërkombëtare të turizmit ka shënuar një dyfishim po ti krahasojmë me vitin 2013. Kujtojmë se kjo është një rritje e cila ndodh për herë të parë gjatë gjithë historisë dhe veprimtarisë së turizmit shqiptar në drejtim të promovimit të produkteve të veta turistike në tregun Europian dhe Botëror të Turizmit. 
Gjatë kësaj periudhe kohore për herë të parë Shqipëria është shtrirë edhe në tregje perspektivë jashtë kontinentit Europian si në Azinë e Largët dhe Kinë. Krahas pjesëmarrjeve nëpër panaire, të cilat njihen si vendtakimet më të mëdha të biznesit turistik botëror, gjatë kësaj periudhe dhe veçanërisht në 2016 kanalet e komunikimit kanë qenë të larmishëm dhe efikase, si psh udhëtimet familjarizuese me media prestigjoze botërore (National Geographic, TV Monde 5, RAI, Yahoo Travel, Lonely Planet, etj) dhe subjekte të huaja (për t`u përmendur shoqata e A.T.T.A- s, Shoqata Ndërkombëtare e Turizmit të Aventurës), promovimi online, projektet për nxitjen e turizmit etj. Janë organizuar 14 udhëtime familjarizuese deri në fund të gushtit të këtij viti me operatorë dhe media të huaja, të cilët mbresat dhe eksperiencat nga vizita i pasqyrojnë në mediat e tyre respektive.
Pa dyshim që në këtë rritje të përmendur më lart, një kontribut të rëndësishëm kanë edhe subjektet e biznesit turistik privat, pa të cilët rritja do të kish qenë e vështirë. Pjesëmarrja e tyre në panairet e turizmit ka ardhur në rritje dhe në një shtrirje të konsiderueshme, duke përfshirë krahas agjencive me përvojë dhe të konsoliduara edhe agjenci të reja aktive dhe dinamike në treg.
Po projektohet dhe po krijohet një imazh cilësor dhe i qëndrueshëm i turizmit duke u fokusuar në atë çka e bën Shqipërinë unike, por dhe duke garantuar shërbime për turistin, sa më afër standardeve ndërkombëtare.
Projekti më i rëndësishëm në kuadër të promovimit të vendit tonë është përfaqësimi i Shqipërisë në Panaririn e Shtutgartit si vend partner, status ky i cili do të lejojë që vendosja në panair të jetë qëndrore dhe sytë të jenë të drejtuar drejt vendit tonë. Kjo për turizmin shqiptar do të thotë më shumë vizibilitet në tregun europian ose edhe më gjerë. Arritja deri këtu, është bërë e mundur falë bashkëpunimit të vazhdueshëm me Messe Shtutgart, por edhe prej angazhimit të gazetarëve gjermanë, të cilët në mënyrë vazhdueshme kanë marrë pjesë në “Fam Tour” në Shqipëri, duke ndikuar në rritjen e fluksit të turistëve gjermanë në vendin tonë. Nga ana tjetër, Samiti i Berlinit dhe përpjekjet e bëra nga GIZ në Shqipëri, kanë rritur vëmendjen ndaj turizmit shqiptar. Por, nuk mund të lëmë pa përmendur edhe punën e mirë që ka bërë media ndërkombëtare sepse Shqipëria, përveç shtypit gjerman, kanë qenë qendër të vëmendjes edhe në shtypin anglez, italian, grek, spanjoll, ballkanik, amerikan, francez dhe të gjitha bashkë influencuan që Shqipëria të ishte vend partnet në CMT Shtutgart.
Për sa i përket punës në vazhdim, vlen të përmendet se sot vendi ka hartuar dhe miratuar planin kombëtar të rregullimit të territorit, planin e rregullimit të bregdetit dhe ka hartuar një program për zhvillimin e zonës Durrës-Tiranë, DURANA. Këto dokumente po shërbejnë si bazë për të përditësuar edhe strategjinë e zhvillimit të turizmit, e cila do të përfundojë brenda këtij viti. Ky është kuadri i përgjithshëm i veprimit, i cili do të shoqërohet me aktivitete konkrete si zhvillimi i marinave, thithjen e investimeve strategjike sipas zonave të zhvillimit të turizmit, rinovimin i informacionit promovues mbi produktin turistik që ofron Shqipëria, certifikimi i standarteve të strukturave akomoduese dhe çka është më e rëndësishme projektimi i markës Quality Albania, duke i dhënë më shumë fokus edhe aftësimit profesional të punonjësve të industrinë e turizmit.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14066

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.