Thellëza - një parajsë e vockël në gji të Shirokës

Thellëza - një parajsë e vockël në gji të Shirokës

Written by Irhan Jubica on Saturday, 27 April 2013. Posted in Around

Më shumë se një destinacion- një thirrje për vëmendje, ndaj kësaj zone, dikur të shumëvizituar...

Thellëza - një parajsë e vockël në gji të Shirokës

Më shumë se një ftesë për të vizituar një vend të panjohur, shkrimi i kësaj rubrike këtë herë mëton të kthejë vëmendjen drejt një destinacioni mjaft popullor dikur, i cili po braktiset në mënyrë absurde prej tallavasë së tranzicionit shqiptar.

“N’kohë t’Enverit s’kishte as barishte, e as mushkaja”.  Jemi në Shirokë të Shkodrës, në mes të verës e përveç ndonjë lokali të njohur për tavën e krapit, ngjalave apo qefullit në tjegull, askush nuk di të thotë se përse mund të vihet më këtu. Më shumë se nostalgji për një regjim që s’e deshën, keqardhja shkon për braktisjen e madhe që përjeton sot ky vend, një nga dy destinacionet turistike të Liqenit të Shkodrës që ndodhen brenda kufijve të RSH. Në një të dielë si kjo, diçka më shumë se dy dekada më parë ishte e vështirë të çaje përmes trafikut tipik të biçikletave me nga dy, tre, e madje edhe katër vetë, që me “Zërin e Popullit” të zvjerdhur, mbështillnin bukën me domate, në agoninë e bulmetit të tufëzave. Më të pasurit kishin edhe ndonjë shalqi Bërdice a Vukatane në strajcë, ndërsa më fatlumët kishin mundur të siguronin kabinë a çadër në Velipojë e gjetkë.
Nuk mund të numërosh më shumë se disa dhjetëra makina gjatë gjithë ditës së dielë përgjatë pak kilometrave që largojnë Shirokën nga Shkodra. E kur mendon se një pjesë e këtyre makinave janë të vendasve, bilanci bëhet edhe më i trishtë. Ironi a jo, por ky vend priti më shumë vizitorë në pikë të dimrit, kur gazetarët mbanin rradhë për të filmuar pilafin e makaronat që Qeverisha* u kujdes t’ua hidhte njerëzve, menjëherë pas ujit.
Ndërsa poshtë, në qendër, lokalet presin me durim klientët e pakët, lart, në krah të ish-kampit – dikur të zhurmshëm të pionierëve, prej vitesh po zgjerohet një lagje e re, ajo e shkodranëve, shumica e të cilëve me njohje reciproke kanë blerë pa asnjë dokument dhe s’dihet se prej kujt, pjesë mali në Tarabosh dhe i kanë mbjellë me vila dy-tre katëshe. Megjithatë, as kjo shtresë e re nuk e shfrytëzon thuajse kurrë Shirokën për plazh, por vetëm për ajrin e pastër. Kështu, plazhet dikur më të frekuentuara që prej Peshkimit e deri në mes të rrugës për Zogaj, janë krejt bosh, me përjashtim të ndonjë familjeje, që ka zbritur krejt e vetme në një gji prej 200-250 metrash, më shumë se për plazh, për të larë tapetet e rrecka të tjera.
Jo fort larg prej Shirokës ndodhen disa lokale të tjera, me kuzhinë kryesisht të traditës, por që për shkak të mosfrekuentimit të plazheve, u mbetet të punojnë vetëm me klientelën besnike, që shpeshherë vjen edhe prej Tiranës a Durrësit. Edhe pse uji i liqenit në këtë segment është jashtëzakonisht i pastër, thuajse asnjëri prej këtyre lokaleve nuk ofron plazh privat, e arsyet u thanë më lart. Dallimin ndoshta e bën një lokal modest i cili ka zaptuar thuajse krejt njërin prej gjireve më të mëdha të segmentit Shirokë-Zogaj, Thellëzën. Një gji aq i bukur e i fshehtë sa të kujton perlat e vogla të Jugut, të shpërndara përgjatë brigjeve të Jonit, aty ku s’i pret.  E tillë është edhe Thellëza, jo më shumë se 10 minuta larg nga Shkodra, e që në një kohë a vend tjetër mund të priste qindra pushues në ditë.
Prej këndej, rruga vijon, thuajse pa asnjë motiv për t’u ndalur, deri në Zogajn e peshkatarëve e tezgjahisteve të dikurshme. Kohët moderne kanë vra shumë profesione fisnike, do të ngushëllohej ndokush. S’kishte pse kjo të mos ndodhte edhe këtu, megjithëse, ndryshe nga Shiroka e braktisur, psh, në Zogaj ende vijnë pushues, kryesisht familjarë e kryesisht për çmimet e lira të dhomave, për ajrin e qetësinë e prapë – jo për ujin. Kthehemi pra në pikën zero, kur konstatojmë se në asnjërin prej këtyre dy stacioneve të njohura për turizmin, jo vetëm ditor, të plazhit në Liqenin e Shkodrës, nuk bëhet më plazh. Janë rreth 5 km këto, nga 14 kilometrat e vijës liqenore që zotëron Shkodra, të cilat nuk shfrytëzohen për plazh. Por nëse për segmentin në krahun tjetër të Liqenit, atë nga Udhakryqi, Bregu i Ranës e deri në Flakë, Jubicë e Hot mund të thuhet se infrastruktura është në pritje të një projekti gati utopik të bypass-it, në segmentin Shkodër-Shirokë-Zogaj mungon një kujdes minimal i pastrimit të brigjeve nga “barishtet e mushkajat”. Natyrisht, jo vetëm kaq. Deti është det, pa diskutim, por do të duhej që pushteti lokal në bashkëpunim me vetë banorët të përshtasnin atë formulë magjike që i shtyn elbasanllinjtë apo tiranasit të bëjnë 200 km rrugë për të shijuar plazhin në Liqerin e Poradecit kur e kanë Durrësin vetëm 50 minuta larg. Kështu do të ndodhte që edhe shkodranët apo kosovarët të mos i drejtohen vetëm Adritatikut në Velipojën e largët, por edhe Liqenit të Shkodrës, për plazh, jetë e qetësim.
E jo më si dikur, por tani si kudo.
*) Lexo: Qeveria Berisha.
Botuar në nr 3 të Travel Magazine

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

16595

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.