Gurëzeza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse

Gurëzeza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse

on Tuesday, 05 February 2019. Posted in Lajme

Aty ku historia e pasur takohet me natyrën

Gurëzeza, qyteti ilir me vlera historike dhe natyrë mbresëlënëse

Nga Klotilda Saraçini

TIRANË, 2 shkurt/ATSH/- Gurëzeza, qyteti ilir në Cakran të Fierit, aty ku historia e pasur takohet me natyrën është një nga destinacionet turistike më të veçanta.

I ndodhur në 17 km larg qytetit të Fierit arkeologët kanë vlerësuar se Gurëzeza, emri antik i së cilës mendohet të jetë Barbyli, është po aq e rëndësishme për trashëgiminë kulturore shqiptare sa Apolonia apo Bylisi.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi në një video të publikuar prezanton historinë dhe bukurinë e natyrës në këtë qytet ilir.

“Natyrë e bukur dhe histori e pasur. Gurëzeza ka plazhe spektakolare, ballkone natyrore, kodra plot gjelbërim, shtëpi karakteristike, fruta të egra, natyrë të bukur, aromë mali, ngjitje plot aventurë 520 m mbi nivelin e detit. Një destinacion i veçantë dhe i bukur turistik”, shprehet Subashi.

Qyteti antik gjendet i vendosur në pozicionin gjeografik, i ekspozuar në shpatin e fshatit Cakran. Muri rrethues është i gjatë 2100 m dhe sipërfaqja e përgjithshme brenda murit rrethues është 23 ha, pothuajse e barabartë me Bylisin.

Nga zbulimet e deritanishme, rezulton se gjurmët e neolitit të mesëm gjenden pranë shkollës. Gjatë gërmimeve sipërfaqësore janë siguruar objekte dhe gjetje në Varibop, që i takojnë shekullit XII para Krishtit. Gjithashtu në këtë zonë janë gjetur objekte që i takojnë shekujve VIII-VI para Krishtit.

Kulmi i zhvillimit të qytezës antike ka qenë shekulli IV para Krishtit. Gurëzeza ka shërbyer si një qendër shumë e rëndësishme ekonomike, politike e shoqërore.

Këtë e dëshmon gjetja aty e një thesari prej 3500 copë monedhash bronzi dhe argjendi. Në bazë të këtyre gjetjeve mendohet se Gurëzeza ka shërbyer si qendra e mbretit ilir Monuni.
Historia thekson se ky qytet mund të jetë shkatërruar gjatë luftës së tretë iliro-romake, diku në vitin 167 p.K. Gërmimet në Gurëzezë datojnë në vitet 1916-1918, kur arkeologu austriak, Camillo Praschniker, kreu ekspeditën e parë.

Më pas, ato do të vijonin në vitin 1963, nga arkeologët shqiptare. Nga ky vit, vendbanimi antik iu nënshtrua disa ekspeditave me karakter informues dhe gërmues.

Gjetjet e neolitit të mesëm janë të shumta dhe përfaqësojnë një fazë më vete të zhvillimit kulturor të kësaj periudhe në vendin tonë./k.s/j.p/

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

10546

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.