80% e vlerave të turizmit shqiptar humbet vetëm nga mungesa e shërbimit

80% e vlerave të turizmit shqiptar humbet vetëm nga mungesa e shërbimit

Written by Flora Xhemani Baba on Thursday, 30 August 2018. Posted in Blog

Vëzhgime mbi turizmin shqiptar dhe atë rajonal

80% e vlerave të turizmit shqiptar humbet vetëm nga mungesa e shërbimit

Mbresa nga një udhëtim në Korfuz, në vitin 2015

Shqipëria është 80 % e “djegur” në turizëm vetëm prej mungesës së shërbimit, sepse kushtet e zhvillimit të turizmit dhe oferta e saj, janë shumë herë më lart për nga pozicioni dhe cilësia, se shumë prej vendeve tona fqinje, qoftë për nga cilësia e ushqimit, qoftë për nga standarti i hoteleve. Dhe, që t’i rrimë besnikë realitetit, asnjë hotel në Shqipëri nuk është më i shtrenjtë se hotelet në Korfuz, nëse prenotohet në mënyrë individuale. 

Korfuzi - pjesë e trashëgimisë kulturore të Unesco-s, përçues i kulturës venedikase - është ishulli komshi më i afërt me vendin tonë. Ne e vizituam sivjet dhe na pëlqeu shumë. I gjithë ishulli, për aq sa mundëm të vizitonim, ishte i mrekullueshëm, sidomos pjesa e vjetër ku mbizotëronte arkitektura venedikase. Por ajo që na bëri më shumë përshtypje, ishte sjellja e patëmetë ndaj turistëve. Kudo të edukuar, përgjigjet me kulturë dhe kujdes të veçantë, që nga shoferi i parë në port, e deri tek taksisti, i cili ndonëse na nxori nga taksia, na gjeti në çast një taksi tjetër me të njëjtin çmim (sepse shpeshherë, ashtu si në Shqipëri, duhej të bëje pazar). Shërbimi nëpër lokale të linte pa fjalë, disa truke të vogla aty-këtu, kishin efekt shumë pozitiv tek klienti dhe kompensonin çdo pakënaqësi të mundshme. E vetmja gjë që nuk e gjetëm siç kishim dëgjuar, ishin çmimet. Një dhomë standarte hoteli në qendër (pa pishinë), kushtonte së paku 140 euro, ndërkohë që një dhomë (me mik), në një hotel periferie, 3-4 km larg plazhit, kushtonte së paku 80 euro. Një kafe kushtonte 3 euro (por ama, ujin me shishe ta sillnin falas), sufllaqja më e lirë ishte 4 euro dhe një pjatë makarona të thjeshta me salcë, kushtonin 7.5 euro. Transporti urban kushtonte 2.30 euro dhe fëmijët mbi 6 vjeç paguanin si të rritur, çka do të thoshte se një zhvendosje vajtje-ardhje kushtonte jo më pak se 15 euro. Taksia më e lirë kushtonte 15 euro dhe ajo më e shtrenjta deri në 30 euro, për një distancë jo më shumë se 2-5 km. Ushqimi në një restorant të mirë në plazh ishte i mirë por në kufijtë e të zakonshmes ndërkohë që çmimet ishin shumë të larta, së paku krahasuar me Shqipërinë por, shërbimi Ishte i shkëlqyer dhe nuk kishte fare lidhje me shumicën e lokaleve në Shqipëri. Kamerierja të kuptonte 100 m larg kur kishe nevojë, pa ngritur ti dorën përpjetë. Madje na solli edhe ilaç për dhimbjen e kokës, na foli me realizëm për Korfuzin e shtrenjtë dhe në fund krijuam përshtypjen se u bëmë miq, ndërkohë që po bënte thjesht punën. Në restorantin e hotelit qëllonte që të merrje edhe një picë nga ato të ngrirat që blihen me pako në market, për 7.5 euro. Por personeli i hotelit ishte i shkëlqyer dhe i gatshëm të të ndihmonte për çdo paqartësi. Natyrisht nëse doje të haje shumë mirë, mund të uleshe në një restorant fjala vjen italian por çmimet ishin stratosferike. Duam të themi se nuk hasëm asnjë shenjë racizmi askund, as kur e merrnin vesh se ishim shqiptarë. Dhe pasi kemi vizituar, Maqedoninë, Malin e Zi (Ulqin e Budva), Greqinë, (Athinë, Janinë, Korfuz), madje edhe Kosovën, ne mund të themi me plot gojën se Shqipëria është 80 % e “djegur” në turizëm vetëm prej mungesës së shërbimit, sepse kushtet e zhvillimit të turizmit dhe oferta e saj, janë shumë herë më lart për nga pozicioni dhe cilësia, se shumë prej vendeve tona fqinje, qoftë për nga cilësia e ushqimit, qoftë për nga standarti i hoteleve. Dhe, që t’i rrimë besnikë realitetit, asnjë hotel në Shqipëri nuk është më i shtrenjtë se hotelet në Korfuz, nëse prenotohet në mënyrë individuale. 
A ia vlen ta vizitosh Korfuzin? Absolutisht po. Por që ta shijoni tamam, duhet të shkoni me xhepin plot, me makinë me vete, ose nëse keni buxhet të vogël, të zgjidhni një paketë turistike ku lëvizjet nëpër ishull i merr përsipër agjencia. Një mënyrë tjetër efikase dhe shumë e leverdisshme, është të merrni një udhëtim ditor me mjetet e Finiksa Lines. Nisuni në mëngjes, për 30 min jeni në Korfuz, shëtisni gjithë ditën dhe kthehuni pasdite, po me Finikas Lines, duke shijuar edhe një shëtitje të bukur me anije.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

15001

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.