Vlorë, nis turizmi me kampera - bregdeti shqiptar në vëmendjen e të huajve

Vlorë, nis turizmi me kampera - bregdeti shqiptar në vëmendjen e të huajve

on Monday, 23 June 2014. Posted in Lajme

Këtë herë plazhet e Vlorës kanë tërhequr vëmendjen për vendkampingjet

Vlorë, nis turizmi me kampera - bregdeti shqiptar në vëmendjen e të huajve

Gjashtë turistë polakë mbërritën të shtunën me dy kamperat e tyre në plazhin e Gjipesë, në bregdetin e Dhërmiut, 60 km në jug të Vlorës. Ata do të qëndrojnë në këtë mjedis natyror 3 ditë, ndërkohë që para tyre ishin vendosur edhe 4 kampera të tjerë me targa të Zvicrës e të Gjermanisë.
Në fakt, gjiri detar i Gjipesë, është mjaft i preferuar për turistët e huaj të kësaj kategorie. Gjatë viteve të fundit, këtë plazh të virgjër e kanë vizituar qindra turistë të huaj nga vende të ndryshme të Evropës. Ata kanë vlerësuar bukurinë natyrore krejtësisht të paprekur nga dora e njeriut, kthjelltësinë e ujit të detit. Mes tyre kanë qenë edhe Robert e Sabrina Fitstung nga Mynihu(Gjermani). Me kamperin e tyre, ata kanë shetitur një pjesë të bregdetit shqiptar dhe kanë shijuar bukuritë natyrore të tij, por Gjipeja i ka tërhequr në mënyrë të veçantë.
Edhe për këtë vit, ata parashikojnë të vijnë sërish këtu. Pak vjet pasi u bënë rastësisht pjesë e fluksit të turistëve të kësaj kategorie, që shfrytëzojnë bregdetin shqiptar, ata kanë ardhur vazhdimisht. Ata thonë se, kjo natyrë është tepër joshëse dhe të tërheq me bukurinë e saj.

 Nis fluksi i kamperave-

Pavarësisht se moti nuk është i favorshëm, turistët e kësaj kategorie kanë filluar të mbërrijnë në Shqipëri, përmes pikave të ndryshme të kalimit kufitar, madje edhe nga porti i Vlorës. Dhjetra prej tyre nga vende të ndryshme, kanë zgjedhur bregdetin e Vlorës deri në Sarandë, për të parkuar kamperat e tyre dhe për ta shijuar natyrën dhe detin. Të shtunën ishin të shumta këto mjete me targa nga vende të ndryshme të Evropës, nga Italia, Zvicra, Austria, që qarkullonin në të dy kahjet e rrugës Vlorë-Sarandë.
Në fundjavë, në bregdetin e Dhërmiut, 60 km në jug të Vlorës, numëroheshin 20 kampera. “Prania e kamperave këtu, është tashmë e zakonshme. Vijnë nga vende të ndryshme të Evropës, qëndrojnë 3 apo katër ditë dhe vazhdojnë udhëtimin më në jug”, thotë Kiço Stramarko, banor i fshatit Dhërmi.
Praninë e kamperave, e ndesh edhe në Porto Palermo edhe më tej, përgjatë gjithë bregdetit të Himarës në këto ditë vere. Kamperat e tipeve të ndryshme, i sheh ngado. Në plazhin e Dhërmiut, janë përshtatur disa hapësira për vendosjen e tyre, ku turistët kalojnë disa ditë e netë. Në plazhin e Palasës hapësira është më e bollshme. Më tej, në Qeparo, në Borsh…
-Prtishmëritë për këtë kategori turizmi, optimiste-
Ky lloj turizmi, që nisi të shfaqej pak vjet më parë, parashikohet që edhe gjatë kësaj vere të jetë në parametra optimistë. Bregdeti shqiptar i jugut, konsiderohet si një zbulim për turistët e huaj të kësaj kategorie, që kanë nisur ta shijojnë atë. Në Porto Palermo, çdo ditë akomodohen mjete të tilla, të ardhura nga vende të ndryshme. Një pjesë prej tyre qëndrojnë në këtë shesh vetëm një natë, ndërkohë që mjaft të tjerë vendosen për më shumë ditë, duke pushuar këtu në formën e një kampi dhe duke punësuar edhe banorë të zonës, për të kryer shërbime të ndryshme.
Pamje nga Plazhi i Gjipese, Vlore Foto Harilla Koçi
-Mungojnë strukturat e posaçme-
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore, ka qenë një faktor i rëndësishëm për shumëfishimin e këtij turizmi në vitet e fundit. Por, kjo nuk mjafton. Kjo kategori turizmi është zhvilluar në kushtet e spontaneitetit. Mungon tërësisht struktura që e stimulon atë, ndërkohë që mund të ndodhte e kundërta. Në vendet fqinje, funksionojnë hapësira të caktuara, kampingje, që ofrojnë mundësi parkimi dhe shërbime të tjera. Ndërkohë, në të gjithë bregdetin nga Vlora në Sarandë, kjo nuk ndodh. Nuk funksionon asnjë hapësirë e tillë, me një strukturë të posaçme, çka i detyron turistët e huaj, të vendosen ku dhe si të mundin. “Krijimi i një strukture të tillë, përveç të tjerash, do të disiplinonte turizmin e kamperave”, thonë në Bashkinë e Himarës, ku shtojnë se, nuk varen prej tyre, nisma dhe investime të tilla, që nuk kërkojnë vlerra të mëdha. atsh

 

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

14961

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.