Gjinari turistik - Një nga zonat më të bukura që ndoshta ende s'e keni zbuluar

Gjinari turistik - Një nga zonat më të bukura që ndoshta ende s'e keni zbuluar

on Wednesday, 19 September 2012. Posted in Destinacione

Mirësevini në zonën e Shpatit - perlë natyrore e viseve të Elbasanit

Gjinari turistik - Një nga zonat më të bukura që ndoshta ende s'e keni zbuluar

 Pren Toçi

Në një nga rubrikat më interesante të revistës, aty ku ju zbulojmë Shqipërinë e panjohur, këtë herë kemi ofruar një zonë që më shumë se kushdo, e njohin vendasit, banorët e saj, për shkak të vendndodhjes thellë në malësitë e Elbasanit. Por këtej e tutje, edhe ju mund të mësoni për bukuritë e Gjinarit, Zavalinës, Shpatit, emra që ndoshta i lexoni për herë të parë, por që mund t’i vizitoni nga afër, e t’i njihni duke shkelur këtë krahinë të bukur në zemër të Shqipërisë.

 


Përshkrimin për këtë zonë, edhe kësaj radhe e kanë bërë (më mirë se kushdo), vetë vendasit, një mësues i përkushtuar, që njeh çdo pëllëmbë tokë, e një fotograf i apasionuar, që e dashuron vendin e tij, deri në gjethen më të vogël…

Në juglindje të Elbasanit shtrihet zona e Shpatit.  Pjesa malore e kësaj krahine, që fillon nga shfati Shelcan e deri në Jeoronisht, quhet Shpati i Parë dhe përbëhet nga dy komuna: Gjinar e Zavalinë.

Pika turistike Gjinar ( Fushkuqe 24 ha) është shpallur e tillë me V.K.M.nr.5, dt.21.05.2001 por lidhja e saj me rrugë të asfaltuar me qytetin e Elbasanit 22 km, e bën shumë funksionale dhe të afrueshme për çdo turist.

Sapo futesh duke udhëtuar në fshatin Derstilë, ndjehet aroma karakteristike, tipike e bushit që ndodhet mbi rrugë, dhe pas disa minutash, të shfaqet  parasysh peisazhi i bukur me pisha, që sa më shumë i afrohesh qendrës së komunës, aq më shumë bëhet piktoresk. Ato që që ia shtojnë bukurinë këtij relievi janë sheshet  (shpesh në formë grope)  900 – 1000m mbi nivelin  e detit, të cilat sipas gjeografëve, janë krijuar para miliona vjetëve nga rrëshqitjet e vazhdueshme të akullnajave.

Në një ditë të bukur me diell (menjëherë pas shiut), në perëndim duket qartë deti nga Sazani deri në Kavajë. E pra, erërat e freskëta, që mbartin ajrin e jodizuar të bregdetit, vijnë këtu dhe të kombinuar me freskinë plot oksigjen të pishave, e bëjnë fantastike vlerën kurative për të gjihtë ata që do të pushojnë këtu. Kushdo që e provon ardhjen këtu vetëm një herë, nuk ka nevojë për tu zgjatur me përshkrime, sepse ka shumë e shumë mistere të tjera për të zbuluar, që po i lëmë për surpriza.

Por Shpati nuk është vetëm një vend me natyrë të bukur, e që shëron. Këtu ka edhe shumë   objekte me vlera historike e kulturore, që ia vlen t’i vizitoni gjatë udhëtimit tuaj.

Kisha e Shënkollit në Shelcan: E ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar nga Onufri  më 1554. Ndodhen të pikturuara në mur (sipas Stefan Popës “Piktorë mesjetarë shqiptarë” 1961): Krishti me tri figura, Romamoj Meladhoj etj.

Kisha e Shënepremtes në Valësh: Është ndërtuar në mesjetë dhe pikturuar në tërë faqet e murit (afreske) nga Onufri (1554) në stilin bizantin. Sipas S.Popës (1961) janë portretet e Platera (Shën Marisë), shën Germanoi i Kostandinopojës, Dhiakon Laureti, shën Grigor Theollogu, Kryedhiakon Stefani, Tablloja e lindjes së Krishtit në shpellë, etj. Në mur pikturat shoqërohen me shkrime bizantine të asaj kohe.

Varri i Kostandin Shpatarakut (Ogës) në Valësh:  Piktor ikonash në mbi gjashtë kisha të Shqipërisë së Mesme, nga viti 1736 deri në vitin 1767. Disa ikona të përmendura (S. Popa 1961) janë: Shërimi i Islokut, ikona e Krishtit, e “Karl Topisë” e “Shën Marisë” etj. Kostandini martirizohet nga forcat osmane me prerje të kokës, 100 m në perëndim të Namazgjasë – Elbasan. Varroset në fshehtësi nga bashkëfshatarët në vendlindje Valësh. Qysh atëherë e deri më sot e përkujtojnë çdo vit më 21 shtator, duke e vetëshpallur shejtor (shejt Kostandini).

Derstilat artizanale në shfatin Dërstilë. Ky mekanizëm punon me forcën e ujit. Ruan plotësisht origjinalitetin shekullor. Përpunon (me rrahje e zhytje) pëlhurat e leshta që bëhen në vegjë (tezgjah).  Me ato përgatiten guna, velenca (batanie leshi me dy shtresa), qylyma…….. vizitori habitet jo vetëm nga funksionimi i saj, por edhe rabushi që mund ta mësojë në vendin e punës.

Dushqet gjigandë si ai i Lleshanit. Dikur, sipas legjendës. Dushku i madh i Gjinarit, pranë kishës së fshatit.

Lisat gjigandë në Pashtresh, pranë kishës së fshatit, që na kujtojnë vitet e Lidhjes së Prizrenit. Historiani i mirnjohur elbasanas Hysni Myzyri, citon një document të vitit 1885 “Hysen Ceka, i veshur me kostum shpatarakësh, nëpër krahinën e Shpatit, mblidhte në hijen e lisave fshatarë e barinj, u dhuronte nga një abetare dhe u mësonte shkrim e këndim (lexim P.T.)” Mësimi shqip vazhdoi nëpër familjet e mëdha në darkë. Më 1900 çelet në Valësh e para shkollë shqipe dhe më 1908 përfundoi çelja e shkollave në tërë Shpatin, nga Zavalina në Shtermen (zonë në të cilën vepronte çeta e Ymer (Kostandin Dervishit). Hollësira të tjera do ti gjeni në muzeun e arsimit shpat pranë shkollës së mesme “Kostandin Shpataraku”, me drejtor mësuesin e apasionuar të historisë Filip Bërdufi.

Lojra olimpike: Në ditët e javës së parë të qershorit të çdo viti, në stadiumin natyror Lugshkurt zhvillohen lojra olimpike, me pjesmarrje të gjerë edhe nga Elbasani. Zhvillohen gjithashtu festival folklorike, panaire me prodhime vendësh, gatime tradicionale në gjelltore, etj.

Kjo ishte një copëz nga Shpati, që ju ofron bujari, njerëz të qeshur e mikpritës, si kudo në Shqipëri, natyrë të bukur e çlodhëse, costume të mrekullueshme e plot ngjyra, vajza të bukura e djem të qeshur, e mbi të gjitha një përvojë të paharrueshme udhëtimi…

4.0/5 rating (10 votes)

Hits

22630

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.