Munella – një mal i vogël me pasuri të mëdha, mes Pukës e Mirditës

Munella – një mal i vogël me pasuri të mëdha, mes Pukës e Mirditës

on Friday, 21 November 2014. Posted in Around

Misteret dhe bukuritë e të vetmit vend që strehon Rrëqebullin në Shqipëri

Munella – një mal i vogël me pasuri të mëdha, mes Pukës e Mirditës

 

Aleksandër Trajçe, PPNEA

Kur flasim për malet e Shqipërisë, vende si Alpet Shqiptare, Korabi, Tomorri dhe Gramozi, të vijnë ndërmend menjëherë për shkak të lartësivetë tyre madhështore dhe mrekullive natyrore që ato përfaqësojnë. Por shumë pak njerëz kanë dëgjuar për Munellën, në dukje një mal i vogël, por në të vërtetë shumë i spikatur, i cili shtrihet në kufirin e rretheve të Pukës dhe Mirditës në veri të Shqipërisë. Duke e parë nga larg Munella duket si një dhëmb i dalë mbi zonat kodrinore të ulëta përreth duke arritur lartësinë (jo shumë të vogël) të 1991 metrave. Munella është mjaft e izoluar - edhe pse kohët e fundit është bërë më e arritshme falë ndërtimit të autostradës Rrëshen-Kukës, përsëri mbetet një vend shumë i largët, i vështirë për t’u vizituar nga dikush jashtë zonës. Ky izolim i thellë gjeografik, ka qenë ndoshta arsyeja që regjimi i kaluar totalitar ndërtoi një nga burgjet më famëkeq dhe më të tmerrshëm të Shqipërisë, në një nga luginat e Munellës - burgun politik të Spaçit.

 

 

Megjithatë, ekzistojnë anëtë tjera të Munellës edhe më të panjohura, sesa mali në vetvete. Rajone te Pukës dhe Mirditës kanë qenë në fokus të studimeve të PPNEA-s (Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri) që prej vitit 2007, ku në kuadër të Programit për Rimëkëmbjen e Rrëqebullit të Ballkanit, u realizua një sondazh me barinjtë dhe gjuetarët e zonës për vlerësimin e prezencës së mundshme të rrëqebullit të Ballkanit, si një lloj kritikisht i rrezikuar dhe specieve të tjera të jetës së egër. Pas sondazhit bazë, pati disa tregues për prezencën e Rrëqebullit të Ballkanit në zonë dhe nisur nga këto, PPNEA në vitin 2011 vendosi një numër kamerash-kurth në zonë për të vërtetuar prezencën e këtij lloji. Deri në këtë kohë, në Shqipëri, nuk ishte zbuluar asnjë fakt i pamohueshëm që tregonte ekzistencën e rrëqebujve të gjallë, edhe pas kërkimeve intensive në disa rajone të vendit dhe ndaj ekzistonte frika që ky lloj të ishte zhdukur krejtësisht.
Shumë shpejt pas vendosjes së kamerave-kurth në malin e Munellës, në Prill 2011, u kap fotoja e parë e Rrëqebullit të Ballkanit, duke vërtetuar në këtë mënyrë ekzistencën dhe mbijetesën e këtij lloji shumë të rrezikuar në Shqipëri.
Deri në atë kohë, ishte vërtetuar prezenca e rrëqebullit të Ballkanit vetëm në Parkun Kombëtar të Mavrovës në Maqedoni, kështu që ky zbulim ishte i një rëndësie të veçantë për shtrirjen e mëtejshmë të arealit të përhapjes së rrëqebullit dhe rritjes së shanseve për zbulimin e një tjetër nën-popullate të rrëqebullit në Ballkan.
Në vitet pasuese, PPNEA arriti të vërtetojë prezencën e disa individëve të rrëqebullit në malin e Munellës dhe zonat përreth. Nga i gjithë informacioni i mbledhur nga kamerat-kurth gjatë 3 viteve hulumtimi të vazhdueshëm, u zbulua që në Munellë ekzistonte një nën-popullatë e rrëqebullit të Ballkanit e përbërë prej 4-5 individësh. Kjo shënoi një arritje të jashtëzakonshme, e cila përveç vërtetimit të ekzistencës së rrëqebullit të Ballkanit në Shqipëri, sjell shpresë për të gjithë popullatën në rajon, e cila arrin në më pak se 50 individë në total.
Por Munella nuk është thelbësore vetëm për rrëqebullin në Shqipëri. Kërkimet me kamera-kurth të realizuara nga PPNEA tregojnë se zona është “shtëpi” për një numër të madh të gjitarëve të mëdhenj. Deri më tani, përmes kamërave-kurth është vërtetuar se Munella ka diversitetin më të lartë të gjitarëvenë Shqipëri, duke përfshirë një popullatë riprodhuese të ariut të murrmë (Ursus arctos), ujkut (Canis lupus), dhisë së egër të Ballkanit(Rupicapra ripicapra balcanica), kaprollit (Capreolus capreolus), derrit të egër(Sus scrofa), maces së egër (Felis silvestris) dhe shumë llojeve të tjera të rëndësishmë dhe të rrezikuara.
Përveç kësaj situate pozitive në dukje, rrëqebulli i Ballkanit dhe lloje të tjera në Munellë nuk janë duke përjetuar një kohë të qetë dhe të begatë. Pyjet janë shfrytëzuar shumë në të kaluarën dhe prerja e paligjshme vazhdon dhe në ditët e sotme. Zjarret e mëdha kanë shkatërruar një pjesë të mirë të vegjetacionit. Gjuetia e paligjshme ka qenë e shfrenuar në zonë për shumë vite me rradhë. Fakti që edhe pas gjithë këtyre shkatërrimeve të shkaktuara nga njeriu, rrëqebulli i Ballkanit ka arritur të mbijetojë përbën një mrekulli të natyrës shqiptare. Nëpërmjet kërkimeve të vazhdueshme dhe përfshirjes aktive lokale, PPNEA është duke shtruar rrugën drejt mbrojtjes së kësaj perle madhështore, por ende të panjohur, të natyrës shqiptare.
Këto vlera të mahnitshme natyrore na bëjnë thirrje për të marrë masa urgjente për mbrojtjen e Munellës, duke qenë se zona nuk ka një status të veçantë mbrojtje dhe është kryesisht e panjohur nga  komuniteti i ruajtjessë natyrës dhe publikut të gjerë. 

 

4.2/5 rating (6 votes)

Hits

12382

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.