Fierzë - Koman, mrekullia e fjordeve shqiptare

Fierzë - Koman, mrekullia e fjordeve shqiptare

on Tuesday, 06 March 2012. Posted in Itinerare

Aty ku peisazhet do t'ju lenë pa frymë...

Fierzë - Koman, mrekullia e fjordeve shqiptare

Duke dashur të jemi në koherencë të plotë me stinën, me shijet tuaja, me atë që do të ishte më e përshtatshme për t’u vizituar në një perudhë të caktuar të vitit, kemi dëshirë t’ju rekomandojmë një itinerar fare të veçantë, i cili në vetvete mbart një përvojë e kënaqësi që nuk mund ta merrni askund tjetër, ndonëse është pjesë e një udhëtimi shumë më të gjatë. Ajo që do t’ju ofrojmë, është një shëtitje e mrekullueshme në itinerarin ujor Koman-Fierzë, ose anasjelltas, përgjatë liqeneve artificiale të krijuara prej ndërtimit të hidrocentraleve të veriut të Shqipërisë, që përveçse na mbajnë gjallë nga ana ekonomike, na dhurojnë edhe një copëz të vyer në mozaikun të turizmit natyror shqiptar. 

Do të jetë një përvojë unike përshkimi i këtij segmenti ujor, dhe ajo mund të përjetohet vetëm në këtë zonë të Shqipërisë. Liqenet e Fierzës dhe Komanit përdoren rëndom edhe për transport udhëtarësh me traget, por nëse ky udhëtim shfrytëzohet për turizëm, ai kthehet në një shëtitje të paharruar. Ju do të mbeteni pa fjalë nga natyra e mrekullueshme, shpatet e veshura me gjelbërim, thyerjet që krijon uji kur futet nëpër shkëmbinjtë që dikur ishin shpate luginash e sot janë kthyer në fjorde mahnitëse. Ndoshta për banorët vendas që e përshkojnë çdo ditë këtë rrugë dhe janë mësuar me panoramat e shpateve të maleve, nuk është ndonjë ndjesi e veçantë, por për të gjithë ju që nuk keni patur asnjëherë rastin ta vizitoni këtë zonë të natyrës shqiptare, dijeni se keni humbur vërtet një përvojë të paharrueshme. Liqeni i Komanit, i cili ndodhet 30 km larg qytetit të Shkodrës, është formuar nga ujëmbledhësi i lumit Drin, ku është ngritur Hidrocentrali i Komanit me 600 mijë kw/orë. Liqeni ka sipërfaqe 12 km 2 , gjatësi 34.5 km dhe gjerësi 50-60 m. Rreth liqenit lartësohen male të pyllëzuara me lartësi 1000-1200 m mbi nivelin e detit. Ky rajon, veç vlerës turistike, ruan edhe vlera historike. Aty pranë ndodhet fshati Koman, ku është zbuluar një varrezë e shekullit 6-8 e.j., e cila lidhet me kulturën e shoqërisë së hershme shqiptare.  Mungesa e një organizimi, qoftë prej autoriteteve lokale, qoftë prej agjencive turistike, e ka lënë krejtësisht në hije shfrytëzimin turistik të kësaj zone me potenciale të fuqishme, që po të shfrytëzoheshin edhe në mënyrë të pjesshme, do të ndikonin drejtpërdrejt në të ardhurat ekonomike të të gjithë zones. Për t’i ardhur në ndihmë turistëve e vendasve, janë vënë në funksionim mjete lundrimi për pasagjerë, makina e mallra. Çdo ditë (rreth orës 10) trageti Koman-Fierzë-Koman, ofron udhëtime në kushte shumë të mira, që lehtësojnë lëvizjen e popullsisë së kësaj zone e të udhëtarëve që duan të shkojnë në veri të vendit. Në traget mund të gjeni edhe shërbimin e barit dhe ushqim të shpejtë. Natyra e mrekullueshme do t’ju lërë mbresa të thella e ju do të doni që udhëtimi juaj të mos mbarojë. Në fakt janë rreth 40 km magjepsëse që për rreth 3 orë, që do t’ju lënë me aparat fotografik në dorë. Do të duhej të përshkruanim hollësisht çdo detaj, një copëz gjelbërimi të zhytur në ujë, një gji të vogël që shfaqet papritmas, një kep që del pak më matanë, të gjelbrën mbresëlënëse të ujit, pasqyrimin e natyrës që ju gjatë të gjithë kohës e shihni të dyzuar, e shumë gjëra të vogla, që në të veçantën e tyre, përbëjnë të përbashktën e mahnitshme. Asgjë nuk ka të krahasuar me përvojën e jetuar, dhe ne jemi plotësisht të ndërgjegjshëm se përshkrimi ynë është thjesht një emocion i pjesshëm. Në të vërtetë ky itinerar është vetëm një pjesë e itinerarit të udhëtimit të gjatë Tiranë-Tropojë, i cili kalon nëpër rrugën kombëtare Tiranë-Shkodër, kthen në Bushat aty ku lexoni tabelën turistike “Koman”, dhe vazhdon në Mjedë-Vau i Dejës-Koman-Fierzë (udhëtimi me traget Koman-Fierzë), pastaj vazhdohet për në Bajram Curri.

Prej andej mund të zgjidhni në morinë e pafund të destinacioneve të mrekullueshme të Alpeve të Tropojës e në Valbonë (por për këtë destinacion do t’ju flasim më gjatë në një tjetër udhërrëfim).

3.5/5 rating (2 votes)

Hits

16722

Comments (1)

  • RevistaTravel

    RevistaTravel

    06 March 2012 at 22:22 |
    Botuar në nr 2 të Travel Magazine

    reply

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.