Jutta Benzenberg:

Jutta Benzenberg: "Kam 20 vjet që punoj mbi portretin e shqiptarëve"

Written by Irhan Jubica on Friday, 25 May 2012. Posted in Intervista

Intervistë me fotografen e njohur gjermane

Jutta Benzenberg:

 Në fillim u befasua nga ideja e intervistës – ndoshta duke u nisë prej idesë se këndvështrimi i saj për Shqipërinë është disi i veçantë për me u përfshi në faqet e një reviste që duhet me paraqitë anët e bukura të vendit. Megjithatë, ky moment kaloi dhe Jutta Benzenberg, gjermania që ka fiksuar tranzicionin zvarranik shqiptar në imazhe të panumërta, nis të tregojë sa e ka tronditë Shqipëria qysh se ia dëgjoi emrin, ende pa e njohur nga afër. Shqipërinë që erdhi ta jetonte këtu, Benzenberg e ka quajtur “Bukuri e rëndë”, periudhën e vështirë që kaloi vendi - “Mbijetesa shqiptare”, ndërsa shqiptarët sot, sipas imazheve të librit të tretë të fotografes, janë “Me të shkuarën, përpara”. E shkuara, që nuk është gjithmonë bardhezi. Dhe e ardhmja, që jo përherë i shfaq ngjyrat.

Dikur pat thënë se ndjehet më shumë fotoreportere se artiste, por në intervistën që vijon, Benzenberg flet prapë për dashuri, keqardhje e të tjera ndjenja, për të cilat një reporter nuk shqetësohet fort gjatë punës. Përfundimisht, Jutta Benzenberg është aq e lidhur me Shqipërinë, sa nuk pranon as t’i thuash se portreti i vëllait të Martin Camajt, një peizazh i çfarëdoshëm i këtij vendi, një shamizezë, apo edhe një vashë që rend nëpër korridoret e braktisura të Hotel “Dajtit” - është Shqipëria, sepse ta kthen: jam edhe unë aty; fotot shprehin atë çka unë ndjej në atë shkrepje; fotografia po më ndihmon të gjej çka më mungon.

TRAVEL: Si e kujtoni herën e parë që keni dëgjuar fjalën Shqipëri? Po kontakti i parë me shqiptarët e pastaj me Shqipërinë, si ka qenë?

BENZENBERG: Kontakti i parë ishte nëpërmjet një reviste javore në Gjermani “Die Zeit”, ku pashë të botuara fotot e anijeve me refugjatët që niseshin për në Bari dhe të them të drejtën, nuk isha e impresionuar më shumë sesa e shokuar dhe e habitur se çfarë lloj njerëzish mund të ishin këta, që rrezikonin gjithçka dhe iknin jashtë vendit për të kërkuar fatin në këtë mënyrë. Kontakti i dytë ishte Martin Camaj, profesori i Albanologjisë në Mynih. Ai më këshilloi të takoja gazetarin shqiptar Ardian Klosi, që në atë kohë ishte shumë aktiv në transformimet demokratike të Shqipërisë. E takova Ardianin në Mynih dhe ai më ndihmoi të vija në Shqipëri, për herë të parë në nëntor të vitit 1991.

Kur vendosët të zhvendoseshit për të jetuar në Shqipëri, a kishit frikëra, dyshime, pasiguri? Shkurt: a është Shqipëria një vend ku edhe perëndimorët mund të bëjnë një jetë normale?

Nuk kisha asnjë frikë dhe për asnjë moment nuk dyshova të vija në Shqipëri. Madje kisha pritur me padurim për shumë kohë që të jetoja këtu, sepse e njihja vendin shumë mirë nga udhëtimet e mëparshme dhe gjithmonë isha mrekulluar nga njerëzit, mënyra e jetesës dhe mrekullitë natyrore të Shqipërisë. Nuk prisja të jetoja një jetë “normale” në këtë vend, por kjo ishte krejt çka mendoja gjithnjë për një jetë normale.

Kur u kthyet në vendet që vizituat para dy dekadash – në udhëtimin tuaj të parë nëpër Shqipëri - çfarë nuk ishte ndryshuar?

Kur shkova pas 20 vjetësh në shtëpinë e Martin Camajt, gjeta një vend të braktisur dhe njerëzit e larguar, ngaqë të gjithë kishin shkuar jashtë, ndërsa kushtet e fqinjëve ishin po ato. Gjeta të njëjtën varfëri dhe izolim ashtu si 20 vjet më parë, të njëjtat tradita, për shembull ku gruaja nuk lejohej të ushqehej me ne në tavolinë, por edhe të njëjtën mikpritje si më parë. E them këtë pa asnjë lloj paragjykimi. Për mua është e mrekullueshme të gjesh të tillë mjedise si artiste, sepse më shërben për foton, por për njerëzit s’më pëlqen aspak që vazhdojnë e janë në të njëjtën gjendje.

A mendoni se dikush ikën prej të kaluarës sepse nuk ka shpresë për të ardhmen?

Nuk besoj në mendimin e të shkuarës dhe as në mendimin e të ardhmes. Për mua është e rëndësishme vetëm e tashmja. Ky është realiteti im. Unë them se kur mendon vetëm në të shkuarën apo në të ardhmen, atëherë humbet sensin e jetës së vërtetë.

A mendoni se ka efekt t’u kujtosh shqiptarëve se si janë, pavarësisht prirjes së tyre për të harruar? A keni pasë reagime negative ndaj punëve tuaja?

Nuk e besoj këtë sepse me këtë lloj vështirësish që kanë shqiptarët, për shembull të fitojnë paranë e përditshme me vështirësitë e mëdha, që i rrethojnë kudo, thjesht për të ushqyer fëmijët e tyre dhe vetveten, nuk janë shumë të interesuar - me sa shoh - për të kaluarën. Ndoshta është ky tisi i brezit tim - që përshkruaj në foton time - ku e shkuara, të detyron ose më saktë na detyronte, të ishim fajtorë për shkak të së shkuarës sonë në luftë. Nuk kam pasur asnjë reagim të keq për fotot e mia dhe njerëzit janë shumë të hapur dhe më kanë vlerësuar për punën time.

Ju keni zgjedhur të tregoni anën tjetër të Shqipërisë. A i kanë vizituar ekspozitat tuaja politikanët që jetojnë në anën tjetër të kësaj Shqipërie?

Sigurisht që ata i njohin punët e mia, sepse këtë e kam vërtetuar në takimet me ta. Por nëse i pëlqejnë në të vërtetë apo jo, kjo nuk ka shumë rëndësi për mua. E nëse do kishte ndonjë reagim kjo s’do ishte keq, sepse do të tregonte se ata e ndiejnë më thellë artin.

A është më e vështirë me gjetë subjekt për foto në Shqipëri?

Aspak. Mund të gjej në çdo sekondë dhe minutë tema dhe subjekte dhe dua të vazhdoj kështu, derisa sa të kem mundësi të punoj.

Më kënaqësi ju jep puna me njerëzit apo me ambientin?

Sigurisht me njerëzit. Ashtu si e shihni në portretet e mia, i dua shumë njerëzit që pozojnë për mua. Ata më duket sikur më falin një jetë të tërë. Më pëlqejnë minutat e pakta të intimitetit, edhe pse shpeshherë as nuk i njoh ata. Ato momente të japin përvoja; të japin idenë se e gjithë bota, apo të gjithë ne, jemi një familje e vetme, ose si thoshin dikur latinët, një tokë.

Keni thënë se jeni fotoreportere e jo artiste. A duhet lexuar kjo si shprehje modestie?

Të them të drejtën, nuk mund të vendos vetë se çfarë jam, por vetë puna e përcakton se atë.

Si janë pritur ekspozitat tuaja jashtë Shqipërisë?

Njerëzit jashtë Shqipërisë kanë gati të njëjtën përshtypje për punët e mia dhe thonë se janë të prekur nga emocionet që përcjellin këto fotografi. Më ka mbetur në mendje mendimi i dikujt që ka thënë, se ngaqë unë kam punuar shumë në Shqipëri, fotot e mia tregojnë realisht historinë e vërtetë të shqiptarëve.

Nëse do t’ju kërkonim të paraqitnit me një foto të vetme Shqipërinë e sotme, cila do të ishte ajo foto?

Nuk është e mundur të paraqesësh Shqipërinë me një foto të vetme, sepse e paraqitur në këtë mënyrë, do të ishte një vend shumë i mërzitshëm. Unë jam duke punuar prej 21 vjetësh për të paraqitur portretin e shqiptarit nëpërmjet qindra-mijëra shkrepjesh dhe ende vazhdoj punën.

Fotot tuaja ndoshta nuk janë imazhi më i mirë publicitar për një vend, por ata janë pjesë e realitetit me të cilin përballet një turist që e viziton Shqipërinë. Megjithatë, a e keni menduar ndonjëherë idenë e përmbledhjes së kontrasteve mes natyrës dhe njeriut shqiptar në një guidë origjinale turistike?

Gjithnjë kam menduar të bëj një udhëtim special për të treguar bukurinë e Shqipërisë e bashkë me to, edhe njerëzit që jetojnë në këto vende. Një udhëtim ku të tregoja jo vetëm shkëlqimin, por edhe gjëra të tjera, sepse Shqipëria ka dhe shumë gjëra të jashtëzakonshme që kanë të bëjnë me natyrën dhe mënyrën e saj të jetesës. Një udhëtim për t’u treguar artistëve se vërtetë Shqipëria s’është si Franca, por ka një dramaturgji të veçantë e cila mund të shihet që nga fytyrat e njerëzve, në peizazhet dhe ngjyrat e ndryshme të mjedisit të saj. Kurse në librin tim të fundit “Me të shkuarën përpara” njerëzit - “turistët” më shkruan emaile shumë pozitive për fotografitë. Ata e panë të tillë këtë libër, megjithëse për hir të së vërtetës nuk ishte turistik. Gjykimi i tyre ishte se: kjo është ajo çka pamë në këtë vend. Me këto foto, na solle më afër me këtë vend.

A mund të thuhet se ju e keni një njohje të mjaftueshme të realitetit në Shqipëri dhe në Kosovë, sa për të evidentuar të përbashkëtat apo dallimet që mund të ekzistojnë?

S’jam analiste, por nëse bëj më shumë foto në të ardhmen në Kosovë, atëherë vetë fotot do të tregojnë diferencën - nëse mund të ketë ndonjë diferencë. Sa më shumë vite që po kaloj në këtë vend, aq më pak kuptoj! Por kjo është ajo që e bën Shqipërinë dhe Kosovën për mua interesante, si të thuash, të jetosh duke kuptuar ato që thuhen mes rreshtave.

Na tregoni diçka më shumë për projektin e ekspozitës me veteranët e UÇK-së. A është lufta një vlerë?

Kam zgjedhur një subjekt shumë të vështirë dhe të ndjeshëm, të cilin e fillova para një viti në Kosovë. E them këtë, sepse më duhet të gjeja një mundësi sesi të merresha vesh me ta, por projekti përmbledh të gjithë veteranët e luftës së ish-Jugosllavisë . Në këtë moment, jam duke bërë ende searching për temën.

5.0/5 rating (1 votes)

Hits

13248

About the Author

Irhan Jubica

Kryeredaktor i Revistës Travel, prej themelimit të saj dhe aktualisht.
Gazetar dhe shkrimtar 
Për më shumë info klikoni në linqet më poshtë:

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.