Kroçera, kjo botë e vogël që udhëton

Kroçera, kjo botë e vogël që udhëton

Written by Flora Xhemani Baba on Tuesday, 23 August 2016. Posted in Reportazh

Kroçerë, Kruazierë apo Kryqëzore? S`ka rëndësi kjo, e rëndësishme është që kjo shpikje e mrekullueshme është një djep ëndrrash, që përkund ëndërrimtarët bredharakë në çdo cep të globit

Kroçera, kjo botë e vogël që udhëton
Një përvojë e paharrueshme ku koha herë ndal e herë vrapon para teje, ku detet ia lënë vendin njëri-tjetrit, ku qytetet dhe bukuritë të kalojnë para syve marramendthi, aq sa nuk arrin të kuptosh nëse është një ëndërr që po rrëshqet mbi ujra, apo një realitet i bukur që do të mbarojë shpejt. Sot ngrysesh në Korfuz e nesër gdhin në tjetër port. Fle në Bari e zgjohesh në Venecia (ah, Venecia…). Ikën nga Chioggia e drekon në Dubrovnik… pastaj drejt atdheut, mes ujrash e ëndrrash që përmblidhen rrëmbyeshëm mbi këtë qytet të vogël e të bardhë lundrues që quhet Kaltëroshe. Ëndrrat është mirë të ëndërrohen por edhe të jetohen. Faleminderit Çeleste…. :)
Një përvojë e paharrueshme ku koha herë ndal e herë vrapon para teje, ku detet ia lënë vendin njëri-tjetrit, ku qytetet dhe bukuritë të kalojnë para syve marramendthi, aq sa nuk arrin të kuptosh nëse është një ëndërr që po rrëshqet mbi ujra, apo një realitet i bukur që do të mbarojë shpejt. Sot ngrysesh në Korfuz e nesër gdhin në tjetër port. Fle në Bari e zgjohesh në Venecia (ah, Venecia…). Ikën nga Chioggia e drekon në Dubrovnik… pastaj drejt atdheut, mes ujrash e ëndrrash që përmblidhen rrëmbyeshëm mbi këtë qytet të vogël e të bardhë lundrues që quhet Kaltëroshe. Ëndrrat është mirë të ëndërrohen por edhe të jetohen. Faleminderit Çeleste…. :)
Kur mësuam nga fushata promocionale e Plazh.com,se nga Shqipëria më në fund do të nisej kroçera e parë, Celestial Cruises u gëzuam përgjysëm, sepse duke qenë se nisja e parë bëhej në tetor, nuk mund të shkëputeshim një javë apo dhjetë ditë nga Shqipëria në periudhë shkolle. Mirëpo ato ishin dy ture vjeshtore që përmbyllnin një stinë turistike e cila do të fillonte vetëm pranverën e ardhshme, kështu që nuk mund të prisnin aq shumë. I dhamë karar që mësimet e fëmijëve do të merreshin me vete dhe detyrat do të bëheshin me përpikmëri, me qëllim që të shijonim siç duhet të gjithë pjesën tjetër të kohës, që ishin pushimme të një lloji që nuk e kishim provuar më parë.
Puna jonë, duke qenë e lidhur me turizmin nuk la lë hapësirë që të lëvizim për periudha shumëditore, sidomos brenda stinës së verës, atëhere kur edhe angazhimet tona kanë kulmin. Për këtë arsye ende nuk kishim gjetur kohë të përshtatshme për të të provuar kënaqësinë e pushimeve me kroçerë. Epo, kishte ardhur koha.
Koha në fakt, nuk ishte hiç e mirë, e kemi fjalën për motin, që në Sarandë kishte ditë që ishte i vrenjtur e binte shi. Çeleste ishte ankoruar në port dhe priste turistët shqiptarë, që ishin të shoqëruar edhe nga një grup gazetarësh dhe operatorësh turistikë që do ta përcillnin këtë lajm në media, duke qenë se ishte kroçera e parë që nisej nga Shqipëria. Nuk ishte edhe aq e këndshme të niseshe për pushime me një kohë të tillë me shi por vetëm ideja e lëvizjes, të jepte shpresën se edhe koha do të ndryshonte sipas vendit. Dhe ashtu ishte vërtet.
Megjithatë, edhe në Korfuz, Çeleste mbërriti me shi, një shi që nuk të jepte mundësi të lëvizje shumë, përveçse me mjetet e transportit urban dhe me taksi. Ne nuk mund ta linim pa e parë edhe njëherë Korfuzin, apo Venecian e dytë, e ndoshta për këtë shiu pushoi. Nën freskinë e tetorit, kush me bluza e xhaketa në duar, e kush të hedhura krahëve, Korfuzi u mbush edhe njëherë me turistë, duke shënuar kështu edhe qytetin e parë port, ku u ankorua Çeleste.
Atë natë fjetëm në det. Ishte një ndjesi e papërshkrueshme. Natyrisht qe e kishim provuar edhe udhëtimin me traget por atmosfera ishte krejt tjetër. Ndërkohë që gjumi ynë vazhdonte rrugën drejt mëngjesit, edhe Çeleste vazhdonte udhën e saj ujore drejt portit të radhës.
Mëngjes. Patra. Një qytet port i zakonshëm por sidoqoftë, me fytyrën e vet të këndshme, që ta tregon qysh në dalje të portit, ashtu siç u tregon banorëve të tij krejt detin si pasqyrë, nga shkallët e larta që ngjiteshin deri lart në kodër, shkallë sfiduese që të matnin përgatitjen fizike. Dhe një kafe në kafenetë e hapura të shesheve, me pëllumbat e kudondodhur që vërtiten nëpër statujat e shesheve, të jep vetvetiu ndjesinë e të qenit nëpër metropolet e botës, dhe të vjen keq që këtë nuk e bën dot në Tiranë, se nuk kemi as sheshe, as statuja,as pëllumba.
Sërish për udhë. Përshëndesim jo vetëm Patrën por edhe Greqinë sepse aty ku ne nuk do ta ndjejmë dot, do të hyjmë në ujrat apenine, për t`u gdhirë në Bari, ku për lumturinë tonë shkëlqente dielli. Një ditë e kristaltë dhe e ngrohtë që na tha të mos i merrnim xhaketat kur të dilnim nëpër qytet se nuk ishte nevoja. Rrugicat e ngushta të Barit të vjetër, ishin si katakombe ku fëmijët vraponin të fshiheshin gjithë qejf për të luajtur kukafshehthi. Natyrisht që makinat andej nuk kalonin dot por biçikletat e vogla me tre rrota, ku në pjesën e pasme rrinin turistët dhe në timon guida që i shoqëronte, ishin padyshim të bukura.
Koha vrapoka më shpejt se Çeleste në këto pushime pa bazë toke dhe ne duhet të lëvizim drejt veriut sepse na pret Venecia (ah, Venecia), por më parë do të kthejmë sërish në një qytet të vogël portual që për hir të së vërtetës nuk e kishim dëgjuar më parë.
Kioxhia (ose Chiogia), ishte një qytet aq simpatik, sa nuk e kuptonim dot se pse nuk kemi qytete të tilla aq të ngrohta në Shqipëri, Durrësi mund të ishte një i tillë, duke qenë se shtrihet i gjithi mbi det, Vlora po ashtu. Varkat e panumërta, të dekoruara e me ngjyra aq të larmishme, nuk kishin si t`i mungonin peisazhit të një qyteti bregdetar, e nuk po flasim për jahtet, që kishin mbjellë një pyll të dendur direkësh në anën veriore të portit (ku Orikumi?). Ky qytet ishte vërtet simpatik bridhej në këmbë dhe na erdhi mire që patëm fatin ta përshëndesnim.
Natyrisht që Venecian nuk mund ta vizitonim për dy orë, e as për katër orë. Duhej një ditë e një natë, për të shijuar magjinë e pafundme që ky qytet ndjellës të fal gjithmonë.
Kush e ka vizituar një herë Venecian nëpërmjet Grand Canal dhe fati e çon përsëri në qytetin e ëndrrave, mund të provojë për herë të dytë ta shijojë nga toka. Nga Piazzale Roma deri tek Piazza San Marco, është një "ëalking tour" që nuk ju zgjat më shumë se 90 minuta, përmes të cilit mund të zbuloni në detaje "cale-t" (ne pamë edhe Cale degli Albanesi) magjike, si katakombe që fshehin brenda jo vetëm sekretet e "Urës së Psherëtimave", por edhe kopshte plot lule, parqe të vegjël mbushur me pemë e sidomos arkitekturën e magjishme të Rilindjes. Eh, Venecia është Venecia....
Dubrovniku ishte porti i fundit që do të vizitonim. Ishte po aq i bukur sa dukej nëpër fotot turistike, ata që i kishin hedhur nuk kishin gënjyer. Një qytet që të bënte për vete të linte ndjesi të mira, mikpritës e me një përgatitje turistike të banorëve për t`u pasur zili. Gjithë qyeti ishte i bukur por natyrisht ne ishim turistë dhe do të shijonim Dubrovnikun e vjetër, kalanë, katedralet, dyqanet e zonës turistike që duhet thënë se nuk ishin edhe aq të shtrenjta sa dukeshin.
Kthimi. Vetëm në mbrëmjen e fundit e kuptuam se do të na mungonte rutina e përditshme e këtyre ditëve me të cilën u mësuam aq shpejt, zbritjen në dhomë, ngjitjet nëpër restorantet e shumta për të konsumuar vaktet e bollshme, pijet pa fund, përshëndetjet e stafit që duke marrë me mend një njohje të greqishtes buzëqeshin miqëshisht me një “Jasas”, pasditet e mrekullueshme në kuvertë (e kishim harruar shiun) saunat dhe hidromasazhet jashtë dhe gjithçka me të cilën mbusheshin pushimet e kaluar na një kroçerë.
Nata e fundit ishte më shumë ditë se natë. Çeleste çante ujin blu, e larë në hënë. Shkuma e bardhë e dallgës që i rrihte faqen, mbetej pas si një fjongo e bardhë dhe e gjatë, si të donte të shenjonte rrugën e bukur që kishte përshkuar për të na bërë të lumtur, teksa vraponte pa pushim për të na dërguar në atdhe. E kur më në fund në mëngjes, horizonti na tregoi Sarandën e dashur, nuk mund të mos dilte nga buzët një shprehje e ngrohtë si të donte t`i drejtohej një njeriu.
Ishte një jave e mrekullueshme. Faleminderit Çeleste.
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

11826

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.