Brezovica thërret për ski dhe aventura...

Brezovica thërret për ski dhe aventura...

Written by Gent Mati on Wednesday, 05 December 2012. Posted in Outdoor

Shpatet më të bukura të Brezovicës dhurojnë një larmi të madhe itineraresh

Brezovica thërret për ski dhe aventura...
 Ski qendra e Brezovicës  në Kosovë  është një prej resorteve dimërore që ‘rrethojnë’ kufirin tokësor të Shqipërisë, nga veriu në jug. Vetëm 1 orë e 30 minuta nga Prizreni, e shërbyer nga ‘Rruga e Kombit’, Brezovica është  qendra e skijimit më e afërt me Tiranën.
NË VITE
Në vitet 70të, ndërkohë që në anën tonë të kufirit punohej për të fortifikuar territorin me një pafundësi bunkerësh, llogoresh  dhe tunelesh, fqinjët tanë të “shkujdesur” çelnin pista, ndërtonin teleferikë e hotele për të pritur miq, duke krijuar traditën dhe zhvilluar industrinë  fitimprurëse të turizmit dimëror.    
Pas viteve 90 më në fund edhe ne bijtë e shqipes, dolëm nga “bunkered”, nisëm metamorfozën nga ushtarë në turistë, e gradualisht nisëm të bëjmë dhe shijojmë gjëra që më parë i kishim parë vetëm në televizor. Natyrisht në mungesë të infrastukturës pritëse dhe zbavitëse - përsa i përket turizmit dimëror - iu drejtuam vendeve fqinje.
Faktikisht, në Mal të Zi, Maqedoni dhe së fundmi Greqi, prej vitesh dashamirësit shqiptarë të skijimit që sa vijnë e shtohen, janë bërë frekuentues të rregullt të pistave të bardha të Kolashinit (apo Shën Nikollës, siç quhej kur banohej nga shqipatrët pak shekuj më parë), Sharr/Kodra e Diellit, Mavrovë, Pisoder etj; duke shpenzuar shuma të konsiderueshme, të cilat shumë mirë mund të shpërndaheshin në Shqipëri nëse, do të ishte zbatuar ndonjë strategji investimi në këtë drejtim. Por, “nëse mali nuk shkon te Muhameti, atëhere Muhameti do të shkojë te mali”. 
POR LE TI KTHEHMI BREZOVICËS
Për herë të parë, ekzistencën e kësaj qendre e dëgjova vite më parë në “Kampionatin e Parë Gjithëkombëtar të Skijimit” në malin e Sharrit mbi Tetovë, Maqedoni në vitin 1993, ku merrja pjesë në delegacionin e Federatës Shqiptare të Skijimit.
Aty u mahnitëm nga mundësia për të skijuar gjithë ditën, madje edhe në mbrëmje me ndihmën e teleferikut, në një mal aq të bukur – pasi deri atëherë ishim mësuar ti mbanim skitë në krahë për të rrëshkitur ndonjë qind metërsh “pistë” në Dardhë, Voskopjë e Dajt.
Në mbrëmje kur po dikutonim me entuziazëm përshtypjet tona për këtë mrekulli, dëgjuam nga skiatorët e atjeshëm se pak orë më larg prej Kodrës së Diellit, në Kosovën që atëherë kontrollohej nga Serbia e Millosheviçit, ekzistonte një qendër me kushtet më të mira të dëborës në rajon. Nga tregimet e tyre plot admirim, mu ngulit në mendje imazhi i shpateve të ashpra veriore dhe pishave të ngarkuara me borë të Brezovicës, të cilat patjetër që një ditë duhet t’i skijoja. Për fat të keq, historia e trazuar e Kosovës dhe Shqipërisë në vitet në vijim, e vonoi këtë vizitë deri në mesin e viteve 2000, kur pas një dite acaruese skijimi plot gurë në Shën Nikollë të Malit të Zi, vendosëm ti drejtoheshim Brezovicës. Asokohe, Brezovica ishte të paktën 7 orë udhëtim larg Tiranës, dhe duhej zgjedhur mes kthesave pafund të aksit Pukë – Fushë Arëz - Kukës, ose bezdisë së kalimit dy herë brenda pak orësh të kufirit Maqedon, ama kur mbërritëm, qe dashuri me shikim të parë. Brezovica kishte infrastrukturën më të vjetër në rajon, por njëkohësisht shpatet më të bukura për të rrëshqitur, kushtet më të mira të dëborës si rezultat i ekspozimit verior dhe një komunitet të vogël por plot karakter skiatorësh dhe snowboard-istësh të pasionuar pas bjeshkës, miqësisë dhe rrëshqitjes së lirë: free ride.
TERREN SFIDUES
Kjo qendër e ndërtuar, në fillimin e viteve 80të , u shndërua në destinacionin e preferuar të elitës jugosllave dhe madje do të shërbente si alterantivë për Lojrat Olimpike të Sarajevës në vitin 1984, pasi shpatet u regjistruan zyrtarisht nga Federata Ndërkombëtare e Skijimit (FIS).
Nga 9 teleferikët e ngjitjes, ekzistues, sot vetëm dy punojnë bashkë me ski-lift-in e fillestarëve. Teleferikët janë të vjetër por i japin akses një terreni mjaft të përshtatshëm për skijim të angazhuar, dhe sidomos për eksperienca jashtë piste. Gjithashtu shëtitja me teleferik të bën të shijosh panoramën madhështore të Maleve të Sharrit dhe të thithësh me babëzi ajrin e pastër të bjeshkëve.
Për fillestarët në krahasim me resortet e tjera fqinjë, terreni i Brezovicës është më pak i përshtatshëm pasi pistat mirëmbahen fare pak ose aspak, dhe shpesh nuk mungojnë gungat, gurët e akulli. Por, për skijatorët e përparuar, shpatet e Brezovicës dhurojnë një larmi të madhe itineraresh sfiduese dhe shpejtësi maramendëse. Në bazë të stacionit të teleferikut, një numër baresh dhe restorantesh të vogla e të këndshme ofrojnë shlodhje, pije dhe ushqim në përfundim të skijimit; ndërsa akomodimi mundësohet nga disa hotele të kategorive të ndryshme në të cilët mund të hyhet dhe dilet me ski në këmbë. Është për t’u theksuar se këtu, komunitetit serb i enklavës të Shtërpces, bashkëjeton më së miri me atë shqiptar, të bashkuar nga pasioni i përbashkët  për malin, duke dhënë një shembull të  shkëlqyer të bashkëjetesës së dy komunitetetve.
TË SHKOJMË APO JO?
Në pritje të privatizimit që do të transformojë qendrën duke i kthyer dhe tejkaluar shkëlqimin e mëparshëm, Brezovica është një qendër me një numër vizitorësh që sa vjen e shtohet, paçka problemeve të bezdisshme të infrastrukturës të skijimit që ndeshen përditë. Për shembull, në Brezovicë nuk është aspak çudi që teleferikët të çelen me vonesë rreth orës 11 të paradites, të mos punojnë fare pasi fryn pak erë lart në mal, apo nga ndërprerja e rrymës mund t’ju rastisë të prisni pezull në ajër duke shpresuar që lëvizja të rinisë para se të bëhet shumë ftohtë; dhe fare mirë pistat mund të mos shkelen nga makinat përgatitëse për ditë të tëra. Nga ana tjetër, këtu gjenden çmimet më të lira, ndoshta në botë, për skijim dhe akomodim: për shembull hotel “Sharri” (njohur nga të gjithë si Hotel “Partizani”) ofron akomodim të thjeshtë e të ngrohtë, duke filluar nga 10€/natë ngjitur me teleferikët – një çmim i tillë është vështirë për t’u gjetur tjetërkund!
Nuk mungon dhe akomodimi cilësor i cili ofrohet nga hoteli shqiptar “Woodland”, me vendodhje strategjike në zemër të resortit ku mund të prenotoni dhoma panormike me hidromasazh duke filluar nga 70€/natë. Restorantet e vogla të Brezovicës përgatisin ushqim tepër të shijshëm, me bazë mishi e specialitetesh malore, por nuk mungojnë dhe picat apo pjata të guzhinës ndërkombëtare, shoqëruar me raki shtëpie dhe ujë të akullt e të lehtë të malit të Sharrit nga i cili mund të pini sa të doni! Si përfundim, nëse kërkoni një fundjave të rehatshme në dëborë me të gjitha kushtet që një resort duhet të ofrojë, atëhere Shën Nikolla (Kolasin) në Mal të zi dhe Mavrova në Maqedoni, bëjnë për ju. Ndërsa, nëse niseni me mendje të çelur për aventura në dëborë dhe miqësi me shpirt e zemër ‘bjeshkatari’ atëherë: MIRËSEERDHËT NË BREZOVICË! “Hapësira e qendrës së skijimit është rreth 2500 ha, në lartësinë mbidetare 1718-2522 m. Përbrenda kësaj hapësire janë shtigjet e skijimit me gjatësi mesatare rreth 4 km dhe me një lakueshmëri mesatare prej 38%. Në lartësinë mbidetare prej 1718 m, në Livadhin e Madh gjendet teleferiku më i ri. Stacioni i daljes nga ky teleferik është në lartësinë 2212 m mbi nivelin e detit.
3.7/5 rating (3 votes)

Hits

19667

About the Author

Gent Mati

Eksplorues dhe ushtrues i sporteve te natyres si rafting, kayaking, skiing, kite-surfing etj, me kompanine e tij Outdoor Albania. OA eshte nje nga kompanite me te spikatura qe ushtron aktivitete dhe ture me natyre aventureske ne Shqiperi.

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.