South Outdoor Festival “Vuno 2018” rikthen shkëlqimin e perlave të Jugut

South Outdoor Festival “Vuno 2018” rikthen shkëlqimin e perlave të Jugut

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 04 May 2018. Posted in Reportazh

Festivali që vjen për të dytin vit, çeli edhe sezonin turistik në Himarë

South Outdoor Festival “Vuno 2018” rikthen shkëlqimin e perlave të Jugut

Më shumë se pesëmijë ishin ata që iu përgjigjën ftesës së organizatorëve të edicionit të dytë të South Outdoor Festival, i cili këtë herë zuri vend mes ullinjve e shtëpive magjike të Vunoit, fshatit më të bukur të gjerdanit të perlave arkitektonike të Himarës.

Ishin sërish tri ditë të mbushura me adrenalinë, prej larmisë së pashoqe të aktiviteteve që zunë vend në sheshin e Festivalit por gjithashtu edhe përqark tij, në disiplina të ndryshme sportesh e sektoresh turistike. Kalendari i pasur i tureve dhe programit të gjatë të SOF 2018, që zuri vend nëpër faqet e internetit e të rrjeteve sociale, u prenotua i gjithi dhe sekush pati mundësinë të zgjidhte mes ekskursioneve në natyrë, sporteve të ndryshme, aktiviteteve të lira, lojrave të shumta, apo edhe risive të këtij festivali, tureve kulturore dhe atyre të ushqimit.

Vunoi mori jetë. Rrugicat e ngushta u mbushën plot me të rinj e tinguj të gëzueshëm, muzikë e aktivitete pa fund. Asnjëherë banorët e pakët e të shtyrë në moshë të Bregut nuk kishin parë kaq shumë njerëz së bashku sepse rëndom turistët varen poshtë në kërkim të detit e aventurave të plazhit. Por këtë herë ata kishin ardhur për Vunoin, për fshatin, për rrugicat e tij me kalldrëm e shtëpitë e bukura, hijeshuar me porta me qemerë, që vetëm mjeshtrat e Bregut e dinë se si i kanë gdhendur aq bukur. Rrëmujës së rindërtimit të fshatit, që po i nënshtrohet restaurimit, iu shtua edhe rrëmuja e bukur e festës.

Këtë vit shumica e vizitorëve ksihin ardhur edhe nga Kosova sepse jehona e festivalit të vjetshëm, mbajtur në Pilur la gjurmët e saj. Shtimi i numrit të vizitorëve dhe afërsia me Himarën, bëri një një numër më i madh hotelesh të prenotoheshin, krahasuar me vitin e kaluar dhe ndonëse një pjesë e mirë e të rinjvë shfrytëzuan kampingun e ngritur mes ullinjve të Vunoit, hotelet e Himares ishin plot.

Një festival quhet i tillë për larminë e aktiviteteve që përcjell. Dhe këtë vit, SOF 2018 pati shumë. Në sheshin e festës zunë vend sportet e shumta të qendrës Smart, si lojrat me dorë, shahu, lojrat e zgjuara, gjuajtja me hark, dhe shumë lloje të tjera lojrash që bashkë me personazhet e dashur të përrallave argëtuan pa masë jo vetëm të rinjtë por edhe fëmijët. Joga dhe ushtrimet gjimnastikore ishin sërish të pranishme mëngjeseve, ndërkohë që ditët u mbushën me një sërë aktivititetesh e turesh, që filluan me ngjitjen në Malin e Çikës në Llogora, zhytjet dhe turet me kajak në Jal, Fluturimet nga Llogoraja mbi Palasë dhe turet me biçikletë nëpër shtigjet e parrahura të Bregut.

Panairi i produkteve lokale nuk mund të mungonte në festival, si pasqyra e begatisë së kësaj zone të bukur të Shqipërisë, ende pak e njohur në këtë pikë. Përpos produkteve të tjera, zahireve, reçelnave e bimëve mjekësore, apo produkteve artizanale, mbreti gastronomik i panairit ishte padyshim vaji i ullirit ekstra i virgjër, prodhuar nga disa punishte të zonës së Himarës.

Kjo ishte edhe një prej arsyeve që përveç ofrimit të ushqimeve “fshatçe” në ambientet e festës, këtë herë festivali ofroi edhe një risi; Turet e Vajit të Ullirit, ideuar nga Luga e Argjendtë, që konsistonin në njohjen nga afër të kësaj kulture të lashtë të zonës, përmes vizitave në punishtet e vajit të ullirit, që janë ngritur në zonë. Ky aset i çmuar i fshatrave të Jugut, mund të gjenerojë nesër rritjen e numrit të turistëve që nuk do të vijnë më vetëm për plazhin por edhe për shumë vlera të tjera, ende të pashijuara.

Dhe një prej gjërave që shumica e turistëve, sidomos atyre shqiptarë nuk kanë ditur t`i vlerësojnë deri tani, është edhe arkitektura, historia dhe kultura e kësaj zone të jashtëzakonshme. Për fat të mirë, disa prej fshatrave si Dhërmiu, vetë Vunoi, Himara e vjetër, kanë fituar të drejtën e restaurimit dhe po risillen në jetë, duke I kthyer edhe njëherë sytë tek vlerat monumentale, që nesër do të sjellin këtu grupet e turistëve kulturorë. Jo më kot organizatorët këtë vit kishin menduar edhe për turet kulturore, me vizitat në Vuno dhe Himarën e vjetër.

Mbrëmjet e festivalit, u ndezën me muzikën shpirtërore të Grupit të pamungueshëm Polifonik Karakteristik të Himarës, për t`u pasuar më tej nga muzika moderne, që mbajti zgjuar të rinjtë deri në orët e para të mëngjesit. Për ata që donin diçka tjetër, një kinema e improvizuar, shfaqi filma gjatë të gjithë mbrëmjes, duke mbledhur rreth vetes dashamirësit e ekranit të madh.

Nëse Festivali i hap e u përshëndet nga zëvendësministri i Turizmit, mbyllja e tij u bë nga dy ministrat, ai i Turizmit, Blendi Klosi dhe ai i Bujqësisë Niko Peleshi, të cilët kishin ardhur për “të përfituar” nga prania e vizitorëve të shumtë, që të shpalosnin edhe një nismë interesante si “Smile Albania” dhe kalendarin e Festave Lokale që u shpallën fituese nga gara që Ministria e Bujqësisë kishte organizuar, për ndërtimin e këtij kalendari.

Forumi i gazetarëve, i cili gjithashtu u zhvillua për të dytin vit, u rrek të nxirrte ca përgjigje për një sërë problematikash që ka sot turizmi, përveçse për të nxjerrë konkluzionet kryesisht pozitive të Festivalit të Dytë SOF 2018.

Kjo festë e bukur, që mund të thuhet me plot gojën se e çertifikoi veten për t`u kthyer në traditë, natyrisht që nuk mjafton për t`i dhënë jetë Vunoit apo edhe fshatrave të tjerë të Bregut, që të ushtrojë ofertën e tij turistike gjithë verën. Por ajo është një trampolinë shumë e mirë që këto përla të bukura harruar në pluhurin e të shkuarës, të shkëlqejnë sërish me të gjithë madhështinë e tyre dhe të zbukurojnë pushimet e turistëve të huaj dhe shqiptarë, që zgjedhin të pushojnë në Rivierën Shqiptare.

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

12657

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.