Projekti agroturistik

Projekti agroturistik "Rruga e Verës dhe e Ullirit" në Shqipërinë e Mesme

Written by Flora Xhemani Baba on Friday, 17 November 2017. Posted in Lajme

Produktet e reja turistike që po lindin në zemër të Shqipërisë

Projekti agroturistik

Sot në Koridorin e Pallatit të Kulturës dhe në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë u shpalos projekti Agroturistik "Rruga e Verës dhe e Ullirit" në Shqipërinë e Mesme, një projekt i Agjencisë Rajonale për Zhvillim (AZHR2) dhe mbështetur nga Ministria e Turizmit me pjesëmarrje të bashkive Tiranë, Shijak, Kavajë, Dibër e Vorë. Shqipëria e Mesme, kjo zonë e begatë kulturash bujqësore po kthehet me shpejtësi në një zonë të mirëfilltë agroturizmi, në gjirin e së cilës po rriten ferma, kantina, restorante e biznese të tjera me natyrë agroturistike që kanë krijuar një produkt të pastër turistik, siç është projekti "Rruga e Verës dhe e Ullirit”. Vizitorë të shumtë patën mundësi të shijojnë apo siç thuhet në gjuhën turistike “të degustojnë” shijet e veçanta të verërave shqiptare të Kantinave Belba Kavajë,Kantina Kokomani në Eminas, Shijak, Herta Maminas, Duka, Vila Shehi, Kantina Dervishi, “Gjergj Kastrioti” etj., si dhe të shijojnë janin e ullirit të shumë kompanive që kanë shtrirë tashmë aktivitetin e tyre në këtë zonë. 

Por nuk ishte vetëm kaq. Për t`i shtuar më shumë bukuri këtij aktiviteti turistik, stendave të verërave e vajit të ullirit, i ishin shtuar edhe shumë prodhues lokalë të zonave të Veriut, kryesisht të Dibrës, me produktet e tyre artizanale të prodhimeve të qeramikës, leshit, punimeve të argjendit e bakrit etj. Përveç kësaj në hyrje të aktivitetit, ishte organizuar një sfilatë mode e titulluar "Takim Brezash" me veshje popullore shqiptare, që erdhën nga atelieja e mirënjohur “Tradita Popullore Edlira”, veshje që paraqisnin kryesisht kostumet qytetare dhe aristokrate të krahinave të ndryshme të Shqipërisë. Këto veshje ishin ideuar nga djem e vajza të gjimnazeve të Tiranës, frymëzuar nga motivet e kostumeve popullore shqiptare.
“Rruga e Verës” është një projekt i ideuar nga AZHR2, i cili nisi pak kohë më parë e që po zhvillohet sot duke evidentuar kantina cilësore dhe prodhues të vajit të ullirit ekstra të virgjër, dhe rrënjë ulliri mijëravjeçare, si destinacione të vizitueshme për turistët.  Shumë prej kantinave dhe fermave të përfshira në këtë projekt janë tashmë pjesë e këtyre tureve, diku të shkëputura e individuale e diku të organizuara nga agjencitë turistike. Rritja e interesit të turistëve, sidomos atyre të huaj, do t`i japë një hov të madh zhvillimit të kësaj zone të Shqipërisë duke e bërë një zonë me tipare krejtësisht të veçanta turistike për shkak të vlerave të shumta natyrore, pastërtisë së produkteve me natyrë bio-organike, shijes së veçantë, shpesh të çertifikuar të produkteve dhe lehtësisë me të cilën mund të vizitohet secili prej subjekteve të këtij turi.
Një galeri të fotove të aktivitetit mund ta ndiqni këtu.
 
Më poshtë mund të ndiqni edhe linkun për artikullin e shkruar nga gazetarja Rezarta Delisula për turin që u ndërmor në njohje të subjekteve që do të krijonin projektin “Rruga e Verës”
3.0/5 rating (1 votes)

Hits

15065

About the Author

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.