"South Outdoor Festival", Pilur 2017, një rikthim te “gjyshja në fshat”

on Thursday, 26 April 2018. Posted in Reportazh

Një festival traditash që po kthehet në traditë

Eraldo Rexho
 
Kur merr të përpjetën e kodrave mbi Himarë për në "South Outdoor Festival" që u organizua këtë vit për herë të parë nga programi “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor” i implementuar prej GIZ në Shqipëri, lë peshën e lodhjes e stresit, mundimet e rrugës dhe i jep krahë vetes për një aventurë. Programi i prezantuar në faqen zyrtare të festivalit premton tri ditë të mbushura plot me aktivitete, aq sa të duket e vështirë të gjesh kohën për të pushuar, sidomos ata që kishin rezervuar biletën e pjesëmarrjes në më shumë se tre sporte.

Në fillim largësia të lodh, mendja të thotë se fshati nuk ka ndërmend të duket. Një gurore që shqyen peizazhin në të dalë të një ‘rruge dhensh’, mandej, gjarpërimet nëpër kodra, e rrugës që të kërcen makinën. Para sysh ke panoramën e  një fshati që motmote më herët, fshehur maleve, veç sa i hidhte sytë mbi det. Gjiri i Himarës duket si në pëllëmbë të dorës. Tufa dhensh të zënë rrugën, më tej bariu sa sheh ‘krushqit që vijnë nga larg’, i shtyn bagëtinë në nën rrugë, ku janë stanet e thjeshta prej dërrase e eterniti. Era e vathës, të shpon hundët. Përshendetemi me bariun. “Punë e mbarë”, - dhe telefonat drejtohen për foto, video, e instastory. “Mbarë paçi e mirësevini. Për festival jeni?”, - pyet dhe me shkopin e drunjtë  i shtyn dhentë të hapin rrugën, deri edhe ndonjë qingj që mezi e arrin të ëmën.

“Po, për festival. Si i ke të imtat sivjet?", - pyesim si fëmijët e paditur që shkonin në fshat te gjyshja. “Mirë janë. Me qumështin e tyre kemi bërë djathin, qumështin e gjizën që do keni në festival”.  E pyesim nëse jemi larg, dhe ai mohon i qeshur. Bariu ikën në udhën e dhenve, ne të makinave.

Rrënoja shtëpish të rëna, përgjatë një kodre të zhveshur të kujtojnë skena filmash. Pothuaj kemi mbërritur në fshat.Banesa me harqe, një a dy katëshe, me gurë të përhimë, me një uniformitet karakteristik, e që të kënaqin sytë, shihen të parat. Kanë kthina e oda miqsh dhe për të mbërritur deri në portat e drunjta lyer me blu, kalon nëpër rrugë të kalldrëmta.

Kisha është në pikën më të lartë, e duket që në të është ndërhyrë së fundmi. Në qendër, te Lapidari ku nderohen Dëshmorët e Atdheut, qëndron një rrap i moçëm, ku burrat mblidheshin e kuvendonin.

Një lokal që shërben kafe, bëhet zemra e Pilurit në kohë të tjera. Janë vajza që shërbejnë. Të qeshura e mikpritëse, u përgjigjen gjithë kërshërive tona. Pyesim për varret e Jelimëve e na thonë se janë pranë kodrës së Kolzës. Nekropoli antik flet për një zonë të banuar qysh herët.

Vajzat na sjellin kafetë, makiatot, lëngjet e frutave, më shumë si t’u kesh behur në odën e pritjes se sa si të ishim klientë. U kërkojmë batanije që të ulemi në lëndinat me bar, e meqë nuk kanë aty, zihen ngushtë.“A ju bëjnë punë mbulesat e tavolinave? Ato që janë prej letre?”, - na japin 10. Aq sa është i gjithë grupi ynë. 

Prej aty, si në një ballkon natyral, Himara qytet, duket larg, deti shkëlqen nën rrezet e fundit të diellit të mbrëmjes së prillit. “Si po u duket fshati”, - na thotë një xhaxha që mban në dorë një gotë rakie, nga ajo e vendit.  “Do kënaqeni. Më lart, duket edhe më bukur”.  Ikim nga kafeneja për në Vanovë.  Dy nëna të veshura me të zeza, me shami borë të bardha na urojnë mirëseardhjen. Mbajnë në duar borzilok që na këshillojnë ta marrim se është i mirë. Bisedojmë e qeshim. I pyesim për rininë e tyre, na pyesin për rininë tonë. I pyesim çfarë duhet të hamë, e na thonë çfarë është specialitet i zonës. Duart e tyre në rrudha, mbajnë tufa lulesh e barishtesh që për ne që s`i njohim janë veçse jeshillëqe. Plakat e jugut, dinë të jenë hokatare.     

Pllaja e Vanovës e shtrirë në lartësi, puth mjegullën me qiellin. Kur është kohë me re, maja e malit nuk duket më.

Të mësuar me jugun e egër të verës, me çmimet e kripura që të ofrohen nga uji te mëngjesi, mirësjellja e mikpritja e piluriotëve, bën përshtypje. Në verë, jugu të shet dhe fjalën, ndërsa në Pilur, njerëzillëku është falas, mirësjellja e mikpritja njëherësh, gjithashtu.    

Një zonë e pllajës është bërë vend kampingu. Çadrat janë ngritur. Matanë, janë çiklistët, makinat "4x4", ‘kuzhina’ e shef Sokol Prengës dhe kostumet për çdo sport. Nisja bëhet nga Vanova, ndërsa mbërritja nuk dihet: aktivitetet sportive outdoor përfshijnë ecjen malore, çiklizmin malor, yogën, kanoen, parashutizmin, zhytjen e shumë të tjera; kudo përreth Himarës, nga kalaja e Vasiliqisë - të dashurës së zemrës së Ali Pashë Tepelenës në Porto Palermo - e deri në Llogara. Ne ndoqëm nga afër pjesën më të madhe të aktiviteve; udhëtuam me "Jeep Safari" për në Kuç, nga ku pamë edhe shtegun e biçikletave, vijuam më tej me aktivitetet e ujit në Porto Palermo ku shumë nga kolegët e medias provuan kayakun dhe zhytjet. Ndoqëm sigurisht grupin e hiking për në Gjipe, prej nga shijuam një panoramë magjike, që na ftonte të gjithëve të hidheshim në det.

Por "South Outdoor Festival" nuk solli vetëm sportet... Nata e parë, qe nata e festës, muzikë live, nga këngët më te vjetra te ato të ditëve tona, derisa qershi mbi tortë duhej medoemos të ishte iso-polifonia e grupit të Pilurit - të cilin e njohim që para fshatit kur festivalet folklorike, na sillnin në skenë burra e gra që duket se u këndonin legjendave. Kinemaja e hapur dhe panairi i produkteve artizanale e lokale, qëndronin në një qosh tjetër, duke përçuar të shkuarën e të tashmen në ekran a mbi stenda. Një ambulancë për ndihmën e shpejtë qëndron në hyrje të pllajës si edhe një polici private. Krahas ushqimeve të zonës, bëhet pas çdo vakti ngrënieje nga vullnetaret e festivalit, mbledhja e mbeturinave. Një zjarr bubluak, ngrohte pjesëmarrësit pranë një sobe të madhe. Mbrëmjeve të freskëta, me pije nëpër duar, në këmbë, duke kërcyer a ulur mbi kashtën e grurit zjarri që i avitej qiellit, dritat e verdheme e bënin atmosferën surreale.

Qindra turistë që morën pjesë provuan kombinimin e turizmit malor dhe turizmit të aventurës, nën moton “jo vetëm det”, Piluri e fshatrat e tjerë të Himarës u bënë strehë të një festivali, që u mbajt për herë të parë. Nuk mungoi gjatë tri ditëve intensive as forumi me gazetarët ku morën pjesë më shumë se 20 gazetarë dhe dy ministrat e qeverisë, Z. Gjiknuri dhe Znj. Ekonomi. Gjatë forumit të moderuar nga Arbana Osmani dhe Aleksandër Çipa, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Z. Damian Gjiknuri, premtoi energji elektrike dhe një rrugë të shtruar për drejt fshatit. Mandej, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi foli për rëndësinë e aktiviteteve si festivali “South Outdoor” dhe foli për turizmin e qëndrueshëm. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, dy ministrat dhe kreu i Bashkisë Himarë e Vlorë, premtuan në këtë parafushatë elektorale se këtë vit, qytetet bregdetare do jenë të pastra, pasi kanë nisma të reja e investime për plehrat. Në fund të festivalit, fshati mbi Himarë, rikthehet në mjegull, duke ruajtur shpresën për një event që rivjen vitin tjetër. E siç kishte parashikuar Hans-Jurgen Cassens, drejtor i GIZ “prezantojmë fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimisë kulturore. Ky festival do të kthehet në një traditë ku kombinimi i aktiviteteve outdoor me kulturën e trashëgiminë mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut, e shpresoj që festivali të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”.
Duket surrelae çdo gjë, por na besoni “te gjyshja në fshat” është gjithmonë shumë bukur, edhe kur je rritur, ndaj mos e humbisni për asnjë arsye një fundjavë aventure dhe relaksi në Pilur, ballkonin e rivierës shqiptare.  

0.0/5 rating (0 votes)

Hits

8513

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.