A mund të kemi një turizëm si në Përmet?

A mund të kemi një turizëm si në Përmet?

on Saturday, 17 October 2015. Posted in Tradita

Qyteti i vogël jugor po shndërrohet në një destinacion të madh turistik

A mund të kemi një turizëm si në Përmet?
Dhjetëra festa dhe aktivitete, kulturore, fetare popullore, mjedisore dhe edukuese, mbajnë një ritëm të lartë të zhvillimit të turizmit gjatë të gjithë vitit në Përmet.
Edhe këtë vit, pranvera përmetare erdhi me mjaft aktivitete të shtrira në të gjithë zonën dhe që përfshinë dhe gjallëruan komunitetin e zonës dhe vizitorët e shumtë të pranishëm. 
Hapja e sezonit turistik me festën e titulluar “Laver Bariu” (2 maj), festa e Ali Postivanit (14 maj), Festa e Shën Elenës (21 maj), festa e Vëllezërve “Frashëri” ( 25 maj) dhe mjaft festa të tjera të cilat do të zhvillohen në muajt në vijim. Gjithmonë e më tepër rrethi i Përmetit po kthehet në një nyje turistike dhe të gjitha këto nisma dhe evente e lejojnë këtë zonë të ketë një gjallëri të përhershme. A doni të dini se çfarë do t’ju ofrojmë gjatë pjesës tjetër të vitit? Ndoshta mund të planifikoni edhe udhëtimin tuaj me kë rast.
ÇARSHOVË: në këtë komunë festa fetare më e rëndësishme është Shën Pandelimoni, që mbahet ëdo vit në datën 26 korrik. Kjo festë organizohet nga komuniteti ortodoks në fshatin Kanikol. Në këtë festë marrin pjesë banorë të zonës së Çarshovës dhe Petranit si ortodoksë ashtu dhe myslymanë e bektashinj. Festa shoqërohet përveç riteve fetare dhe me këngë, valle dhe bankete me gatime tradicionale.
PETRAN: në fshatin Bënjë në datën 12 nëntor celebrohet festa fetare Shën Maria e Bënjës. Në këtë festë marrin pjesë shumë banorë ortodoksë  nga zonat e Çarshovës, Petranit, Piskovës dhe Përmetit. Veçantia e kësaj feste fetare është pasi të gjithë njerëzit mblidhen në mesnatë në kishën e fshatit Bënjë ku sipas një gojëdhëne popullore, dëgjohet zhurma në formë kërcitjeje që vjen nga diçka e “padukshme”.
PISKOVË: në këtë komunë zhvillohen disa festa fetare si myslymane dhe ortodokse. Në 14 Maj, komuniteti bektashi organizon në teqenë e fshatit Alipostivan, një festë të madhe e cila mbledh çdo vit një numër të lartë njerëzish nga i gjithë vendi . Aty organizohet një banket i madh për nder të Babait të Teqesë. Po në këtë komunë, në fshatin Kosinë, celebrohet festa e Shën Mërisë së Kosinës nga komuniteti ortodoks, ku edhe këtu marrin pjesë mjaft besimtarë nga komuna Piskovë, Petran, Këlcyrë dhe Përmet.
FRASHËR: festa kulturore, për nder të vëllezërve Frashëri, e kthyer tashmë në festë mbarë kombëtare organizohet çdo vit në fshatin nga i cili ata kanë marrë edhe mbiemrin. Rreth 40 vjet më parë u vendos që kjo shtëpi të kthehej në muze në mënyrë që çdokush të ketë mundësinë ta vizitojë. Fshati Frashër rrethohet nga peisazhet e bukura të kodrave e maleve të Kokojkës, Miçanit dhe Golikut. Rruga për në fshat është e shtruar me çakull dhe mund të përshkohet nga çdo lloj automjeti  - është e këshillueshme makina të tipit fuoristradë dhe një vozitje me kujdes - por jo në periudhën e dimrit pasi kërkohen mjete të mirëfillta për rrugë malore. Rruga shoqërohet nga panorama të mrekullueshme, mbushur me fshatra të vegjël të ndërtuar me gurë dhe në sfond shfaqet i plotë me bukuritë e tij vargmali i Dhëmbelit. Pak kilometra përpara mbërritjes në Frashër, ndodhet parku kombëtar “Bredhi i Hotovës” që konsiderohet mushkëria natyrore e Jugut të Shqipërisë. Ky park karakterizohet nga një shumëllojshmëri të pasur në bimë dhe kafshë të egra. Data 25 maj është në të vërtetë dita e lindjes (25.05.1846) së njërit prej vëllezërve, poetit të madh rilindas, Naimit. Në këtë datë kujtohen dhe dy vëllezërit e tij, Abdyl dhe Sami Frashëri, të shquar për kontributin që i dhanë lëvizjes kombëtare për njohjen e pavarsisë së vendit..
Veçanti të ngjarjes:
Pjesëmarrje aktive e të rinjve;
Spostimi i manifestimit nga Shtëpia Muze në Teqenë e Baba Nasibiut dhe Baba Alushit;
pjesmarrja e shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.
Veçoritë e vendit: stacioni i pyjores që është një ndërtesë dy katëshe karakteristike me gurë;
vendpushimi me burim, ujë të freskët në rrugën gjatë parkut kombëtar “Bredhi i Hotovës”.
Koha e udhëtimit:
rreth  1 orë e 40’ minuta me makinë nga Përmeti, distanca 40 km;
Lipë: Festa e Shenjtorëve Elena dhe Konstandin zhvillohet në 21 maj, në një vend të shenjtë, i vendosur në një pjesë shkëmbore të malit Dhëmbel mbi fshatin Lipë. Frekuentimet e para të vendit datojnë rreth vitit 1600, por kisha që ishte më parë në këtë vend u shkatërrua në 1967 nga regjimi komunist, pasi u shpall ateist. Por besimtarët vazhduan ta frekuentonin në mënyrë të fshehtë këtë vend. Në 1999, kur regjimi komunist kishte mëse një dekadë që kishte rënë, fshatarët vendosën të rindërtonin kishën në një vend më të përshtatshëm, duke qenë se në të shkuarën ajo ishte e vendosur në një vend të thyer dhe shkëmbor. Megjithatë, banorët hoqën dorë nga ky projekt pasi një dritë e çuditshme shfaqej në vendin ku kisha egzistonte fillimisht. Prandaj, të udhëhequr nga drita e Shën Elenës, fshatarët rindërtuan kishën në të njëjtin vend ku ishte shkatërruar dekada më parë.
Veçanti të  ngjarjes: Mbajtja e meshës në natyrë;
Shpërndarja e bukës së bekuar.
Veçoritë e vendit: Uji i shenjtë që pikon, në çdo ditë të vitit, nga një lartësi prej rreth 20 metra nga maja e një shkëmbi të dalë, i mbiquajtur shkëmbi i Shën Elenës;
Zakoni i banorëve të Lipës për të shkuar në vendin e shenjtë një ditë para festës për të kaluar natën dhe për t’u marrë me detajet e organizimit.
Pjesëmarrja e banorëve të rrethit të Përmetit është masive, por nuk mungojnë edhe pelegrinë nga qytetet e tjera të Shqipërisë dhe gjithashtu shumë të rinj. E veçantë është pjesëmarrja e besimtarëve të feve të tjera. Bashkia e Përmetit vë në dispozicion automjete falas nga Përmeti për në Lipë, pastaj nga këtu e tutje vazhdohet në këmbë përmes rrugicave të  fshatit. Në të dalë të fshatit ndodhet një burim i vogël me ujë të freskët, ku pelegrinët ndalojnë për t’u freskuar dhe për të mbushur ujë. Duke u ngjitur gjithnjë e më lart mund të shijohen pamje të bukura të luginës së lumit Vjosa dhe të qytetit.
Koha e duhur: rreth 15 minuta me makinë nga Përmeti në Lipë + 1 orë në këmbë nga Lipa në kishë; rreth 2 orë në këmbë nga Përmeti në kishë.
Festivali i Filmit për Mjedisin.
Gjatë muajit maj, qyteti i Përmetit ishte një nga vendet e përzgjedhura ku u zhvillua Festivali i Filmit për Mjedisin. Ky aktivitet u organizua nga Ministria Shqiptare e Mjedisit me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri dhe gjithashtu me mbështetjen e Ambasadave dhe OJF-ve partnere të kësaj inisiative. Në qytetin e Përmetit ky event u organizua nga OJF Cesvi, Bashkia Përmet, drejtoritë e shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazi i qytetit. Kinemaja luan një rol kyç në edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit të brezit të ri për mbrojtjen e mjedisit dhe në të njëjtën kohë është edhe argëtim për ta. Festivali i Filmit Mjedisor Shqiptar në thelb jep një mesazh unik për mjedisin i cili është i lidhur ngushtë me jetën tonë dhe planetin në të cilin jetojmë. Në Përmet, ky event u zhvillua në kinemanë e qytetit në datat 18-19 Maj. Eventi parashikonte dy shfaqe në ditë në mënyrë që të përfshiheshin grupmosha të ndryshme. Paradite, nëpërmjet bashkëpunimit me drejtoritë e shkollave 9-vjeçare, morën pjesë fëmijë të grupmoshave 10-12 vjeç ndërsa pasdite, nëpërmjet bashkëpunimit me drejtorinë e gjimnazit dhe qeverinë e nxënësve, morën pjesë grupmosha 14-18 vejç, gjithashtu dhe qytetarë të tjerë të interesuar për mjedisin. Pjesëmarja dhe interesi i publikut ishte i lartë, kjo falë  karakterit dhe ndërgjegjësimit që ka çdo qytetar i qytetit të Përmetit për respektimin dhe mbrojtjen e mjedisit ku jeton. Me mbështetjen e Cesvi-it, u organizua aktiviteti i pastrimit të mbeturinave në ujrat termale të Bënjës në mënyrë që të rritet vetëdijshmëria institucionale për rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Angazhimi i Cesvi-it në organizimin e nismave për mbrojtjen e mjedisit dhe natyrës tashmë janë bërë popullore në qytetin e Përmetit. Aktiviteti i sivjetëm kishte si qëllim pastrimin e mbeturinave në një zonë natyrore me një fluks të lartë turistik dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të qënë më të përgjegjshëm ndaj mjedisit dhe për të bashkëpunuar me autoritetet, në mënyrë që së bashku të mbrojmë mjedisin. Në këtë aksion dhanë kontributin e tyre nxënësit e shkollave të organizuar nga Cesvi dhe duke punuar së bashku, realizuan grumbullimin e mbeturinave në zonën e ujërave termale. Cesvi ka mbështetur Bashkinë e Përmetit për të krijuar sistemet dhe mekanizmat për të adresuar dhe ngritur vetëdijshmërinë e qytetarëve për çështjet mjedisore.
Slow Fish 2015
Për sa i përket promovimit të territorit, Përmeti përfaqësoi Shqipërinë në  edicionin e 7 të Slow Fish 2015 që u organizua në Xhenova të Italisë. Covivium Slow Fish Përmet në bashkëpunim me Shoqatën Cesvi, në kuadër të projektit “Bukë, Kripë e Zemër. Ushqimi, Tradita e Kultura: procese të zhvillimit të përbashkët të zonave të margjinalizuara në veri e jug të Shqipërisë” i financuar nga Kooperacioni Italian, mori pjesë në këtë eveniment ndërkombëtar me dy anëtarë të saj. Shqipëria vëndi i shqiponjave mori pjesë me një powerpoint për luginën e Vjosës me titullin “Vjosa, Perla e Europës”. Në prezantimin në powerpoint u fol për bukuritë e lumit Vjosa, për biodiversitetin, për shumllojshmërinë e specieve të lumit Vjosa ku ndodhen edhe specie në zhdukje që duhen mbrojtur si Gubio Gubio, Barbus, Alburnus, Squalius cephalus, Ngjala, Luntra etj. Duke vazhduar me burimet e tjera që ka lugina e lumit Vjosa si kultura, turizmi, aktivitetet sportive si rafting, kanoa, not. Për të vazhduar më tej me pjatat karakteristike të peshkut dhe si mbështetjen ekonomike të familjeve të luginës, falë peshkut të lumit Vjosa. Në fund u diskutua mbi problematikat që po përballet së fundmi lumi Vjosa si ndërtimi i hidrocentaleve, përdorimi i inerteve të shtratit të lumit për materiale ndërtimi,   problemi i ndotjeve të ujrave të zeza dhe mbetjeve urbane dhe peshkimi i paligjshëm. Për objektivat në të ardhmen në krijimin e një shoqate peshkimi dhe bashkëpunimi me shoqata të tjera, mbrojtjen e biodiversitetit të lumit si dhe afrimi i të rinjëve në peshkim. Në këtë edicion morën pjesë nga shumë vënde të Europës dhe të Afrikës si Spanja, Franca, Anglia, Germania, Estonia, Hollanda, Shqipëria, Zvicera, Algjeria, Tunizia, Maroku, Mauritania. Të pranishmit bënë diskutime të hapura dhe ndanë eksperiencat, idetë e tyre rreth temave  të biodiversitetit e kulturave të peshkimit, duke i dhënë vlerë peshkimit tradicional dhe komunitetet e peshkatarëve të bashkojne zërin e tyre për t'u përballur me sfidat e përbashkëta për të ardhmen.  Për të afruar të rinjtë në peshkim peshkatarët iu përgjigjën pyetjeve të të rinjve për të shpjeguar bukurinë dhe eksperiencën e tyre në peshkimit. U mbajt një tryezë e rrumbullaktë ku u diskutua për të dalë me një deklaratë të përbashkët në mbrojtje të peshkimit artizanal. Eventi u mbyll me përpilimin e një deklarate  e cila u firmos nga të pranishmit.
Festa të shumta tradicionale të zonës, Slow Fish, Festivali i Filmit për Ambjentin, ujrat termale të Bënjës, turizmi, sporti dhe në këtë panoramë të gjerë resursesh nuk mund të mungonte natyra. Përveç festës përkujtimore të vëllezërve Frashëri (Dita Naimiane), në këtë rajon, Parku Kombëtar “Bredhit i Hotovës” u vizitua së fundmi nga një grup vlerësuesish të Kooperacionit Italian në Shqipëri. Qëllimi kryesor i kësaj vizite ishte vlëresimi i kapaciteteve menaxhuese të institucioneve lokale që kujdesen për parkun. Lideri i këtij grupi Caterina Carugati, në kuadër të projektit “Natura 2000” të financuar nga Bashkimi Europian me bashkëpuntor projekti Unionin Ndërkombetar të Ruajtjes së Natyrës (IUCN), do të bëjë një analizë të vlerave natyrore dhe problematikave relative të këtij parku për ruajtjen dhe mbrojtjen e tij. Një tjetër motiv i kesaj vizite ishte dhe vlerësimi i nivelit të vetëdijes së komunitetit lokal në lidhje me interesimin e tij për mbrojtjen e kësaj pasurie kombëtare dhe mundësitë e përfitimeve ekonomike nga ky park. Analizat e bëra nga ky grup vlerësuesish do të shërbejnë për përzgjedhjen e parqeve natyrore të mbrojtura të cilat do të jenë pjesë e projektit “Natura 2000”. Shpresojmë shumë që kjo nismë, të shërbejë në promovimin e parkut dhe të rrisë turizmin në këtë zonë duke pasur në fokus dhe duke ruajtur në të njëjtën kohë të pandryshuar  ambientin e mrekullueshëm të tij.
Ju presim të gjithëve në EXPO 2015 - pasi të përcaktohen datat e eventit -  ku do të mund të shijoni prodhimet e njohura të Përmetit dhe të ndjeni aromën e vendit të Shqiponjave.
KONTAKTE:
SHBR  PRO PËRMET
 Pro Përmet
This email address is being protected from spambots. You need JavaScript enabled to view it.
RAFTING VJOSA ALBANIA OUTDOORS SPORT
 Rafting Vjosa Albania Outdoors Sport
      Ahmet Berzani, mob. 069 27 78 215
SLOW FOOD
Zyra e informacionit turistik
Qëndra Kulturore Multifunksionale
Shëtitorja OdisePaskali
Ora e hapjes :  çdo ditë nga ora 9.00 deri në orën  16.00
Ph.  +355 (0) 81320015
0.0/5 rating (0 votes)

Hits

14652

Leave a comment

Please login to leave a comment. Optional login below.